Xhanfise dhe Endri Keko ishin ndër kuadrot e para shqiptare, që vajtën në Moskë për të studiuar kinematografi dhe ata ishin të parët që filluan punë në Kinostudion „Shqipëria e Re“ e sapondërtuar në vitin 1952. Veç të tjerash Kinostudio ka qenë një shkollë e vërtetë për të gjithë operatorët, regjisorët, montazhierët që u përgatitën me përkushtim nga puna e palodhur e regjisorëve të parë si Viktor Gjika, Kristaq Dhamo, Piro Milkani, Dhimitër Anagnosti. Ata gjithçka që dinin ua jepnin të tjerëve pa ngurrim sepse arti bëhet vetëm me dashuri.
Në fillim Xhanfiseja punoi montazhiere, më vonë xhiroi dokumentarë, pastaj punoi si regjisore montazhi për filmat artistikë dhe më tej iu përvesh vetë punës duke xhiruar filma artistikë me temën e fëmijëve. Një jetë e tërë midis fëmijëve duke i përzgjedhur nëpër shkolla e kopshte dhe kështu do të bëheshin aktorë: Herion Mustafaraj, Genci Mosho, Adrian Laperi, Gentian Basha, Selma Sotirllari, (Tullumbacja) Zhaklina Dhimojani, Anila Kardhashi, e plot të tjerë. Xhanfiseja mbante lidhje të vazhdueshme me shumë mësues dhe mësuese në disa qytete të Shqipërisë, ata i shkruanin për gjëra të veçanta, që vërenin tek nxënësit e tyre dhe këto vëzhgime regjisorja i përpunonte më tej në mënyrë artistike duke i futur si elementë të natyrshëm në filmat e saj.
Në punëne saj, Xhanfiseja, gjithnjë ka patur ndihmën e paçmuar të shokut të saj të jetës, regjisorit Endri Keko, i cili e porosiste ngahera: “Aty qëndro tek filmat për fëmijë se aty e ke zemrën!” Po ashtu Xhanfiseja ka patur një bashkëpunim të ngushtë me shkrimtarësi Nasho Jorgaqi, Bedri Dedja, Bashkim Hoxha dhe sidomos me Natasha Lakon, që ishte edhe skenariste e Kinostudios. Artistë të shquar të skenës dhe ekranit kanë luajtur përkrah aktorëve të vegjël në filmat e regjisores Xhanfise, këtu mund të përmendim: Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Dhorkë Orgocka, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Marjeta Ljarja e të tjerë. Vlen të përmendet edhe bashkëpunimi me kompozitorët si Robert Radoja, Aleksandër Peçi, Aleksandër Lalo etj. Me thjeshtësinë e saj Xhanfiseja tregon se asgjë nuk do të kishte arritur vetëm me punën e saj pa patur mirëkuptimin e autorëve të skenareve, muzikën e kompozitorëve, interpretimin e aktorëve të mëdhenj e të vegjël dhe sakrificat e pafund të operatorëve, që kanë punuar me të Ilia Tërpini, Petraq Lubonja, Saim Kokona, Pëllumb Kallfa, Faruk Basha.
Ndër filmat më të spikatur të regjisores Xhanfise Keko mund të përmendim: „Beni ecën vetë“, „Pas gjurmëve“, „Tomka dhe shokët e tij“, „Kur xhirohej një film“, „Një vonesë e vogël“, „Taulanti kërkon një motër“. Në vitin 1976 u organizua Festivali i parë i Filmit Shqiptar dhe filmi „Beni ecën vetë“ fitoi çmimin e parë, po në këtë vit në Festivalin e Filmit në Beograd fiton çmimin e Organizatës së Pionierit. Në vitin 1978 në Festivalin e Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifone të Italisë fiton çmimin special. Në vitin 1979 filmi „Pas gjurmëve“ fiton Medaljen e Presidentit të Republikës Italiane. Filmi „Kur po xhirohej një film“ në vitin 1983 në Festivalin e Pestë të Filmit Shqiptar fiton çmimin e tretë dhe po këtë vit medaljen e argjendtë në Xhifone – Itali.
Regjisorja Xhanfise Keko rrëfehet se nuk ka punuar për të marrë tituj, „...por për të bërë art, për të dhënë diçka nga shpirti im për popullin tim dhe ndihem tepër e nderuar dhe e vlerësuar kur njerëz të thjeshtë të panjohur më ndalin dhe më falenderojnë për kënaqësinë që kanë marrë prej filmave të mi.“
Ajo është nderuar me disa tituj: Çmimi i Republikës në vitin 1979, po në këtë vit merr titullin „Artiste e Merituar“, në vitin 1984 merr titullin e lartë „Artiste e Popullit“.Siç ka treguar operatori Petraq Lubonja, ndërsa në Greqi (para viteve 90-të) shfaqej një film i Xhanfise Kekos dhe pyetën për emrin e regjisorit të filmit u habitën shumë kur morën vesh se ishte një grua. „Ju në Shqipëri paskeni grua regjisore ndërsa ne nuk kemi!“
Në këto vite që Xhanfiseja është larguar nga xhirimi i filmave ka një brengë të madhe, sepse askush në Shqipëri nuk po realizon një film për fëmijë në këta njëzet vitet e fundit. Po kështu regjisorja jonë ka mall për dy djemtë e Dorit: Martinin dhe Elion si edhe për Denisën, vajzën e Ilirit, të cilët studiojnë jashtë shtetit dhe pret e pret kur ata të vijnë me pushime verore apo për të dëgjuar zërin e tyre në telefon siç bëjnë mijëra gjyshër dhe gjyshe në vendin tonë.
Dhe sot ne po percjellim Xhanon, gruan, artisten që bëri për Shqipërinë aq sa mundi ndërsa sot ajo po kryen detyrën e fundit duke i vajtur pranë Dorit, birit të saj të shtrenjtë.
Shuhet regjisorja e parë e fëmijëve
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, 22 dhjetor, u nda nga jeta regjisorja e shquar e flimit shqiptar “Artistja e Popullit” Xhanfise Keko. U lind më 27 janar 1928 në Gjirokastër, ajo do të ishte themeluesja dhe regjisorja e parë e filmit shqiptar për fëmijë, Keko është edhe e para kineaste femër në Shqipëri. E filloi karrierën si montazhiere, një nga shtatë anëtarët themelues të Kinostudios “Shqipëria e Re”, më 1952. Pas një përvoje të gjatë si montazhiere e dokumentariste, filloi karrierën e regjisores, më 1971. Për 13 vjet, deri në vitin 1984,Keko realizoi 12 filma artistikë, që janë edhe sot mjaft të pëlqyer, sidomos për fëmijët. Të realizuar artistikisht, por edhe me vlera eduktative, filmat e Xhanfise Kekos kanë konkuruar me dinjitet edhe në festivalet ndërkombtëare. Filmografia e saj përfshin filmat “ABC...ZH” (1971), “Kryengritje në pallat” (1972),“Mimoza llastica” (1973), “Qyteti më i ri në botë” (1974/edhe montazhiere, “Beni ecën vetë” (1975/edhe montazhiere), “Tinguj lufte” (1976), “Tomka dhe shokët e tij” (1977/edhe montazhiere), “Pas gjurmëve” (1978/edhe montazhiere), “Partizani i vogël Velo” (1980), “Kur xhirohej një film” (1981/edhe skenariste), “Një vonesë e vogël” (1982/edhe skenariste), “Taulanti kërkon një motër” (1984/edhe skenariste). Përveç çmimeve e titujve të shumtë, në vitin 1984 u vlerësua me titullin e lartë “Artiste e popullit”, ka fituar edhe Kupën e Festivalit të Parë për filmin “Beni ecën vetë” në 1976. Xhanfise Keko është edhe regjisorja e parë shqiptare e vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifoni (Itali), ka fituar medalje për filmat “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve” dhe “Tomka dhe shokët e tij”.
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka ngritur një grup pune për organizimin e gjithë ceremonisë së varrimit të regjisores. Homazhet pranë trupit të saj bëhen në Muzeun Hiostorik Kombëtar, sot prej orës 11.00 -12.00.
Filmografia
1971 A B C…. ZH
1972 Kryengritje në pallat
1973 Mimoza llastica
1974 Qyteti më i ri në botë
1975 Beni ecën vetë
1976 Tinguj lufte
1977 Tomka dhe shokët e tij
1978 Pas gjurmëve
1981 Kur po xhirohej një film
1982 Një vonesë e vogël
Meri Lamaj : Gazeta Shekulli











