Për aq sa mund të shpjegohej me fjalë krijimtaria e tij ka si nxitje momentin, mendimin dhe gjuhën. "E quaj veten poet filozof, edhe pse nuk kam asnjë doktrinë për t'ju paraqitur", - shprehet Tufa, teksa thotë duke qeshur se e ndjen veten më të zot në të shkruar se në të folur. Si për t'i bërë parapritë lexuesit, i cili zakonisht pret gjëra të mëdha, thotë se nuk është tipi i poetit që reagon ndaj ngjarjeve të ditës, ndaj problemeve sociale, ndaj padrejtësive, madje thotë hapur se nuk e pëlqen këtë lloj të shkruari as tek të tjerët. Sipas tij kjo lloj gjuhe, poezia, duhet të mbetet sa më e pastër dhe e pacënuar. Pas kësaj ligjërate, u lexuan disa poezi të zgjedhura nga përmbledhja e prezantuar. Duke e konsideruar këtë botim si një libër të ri, i cili ende nuk ka depërtuar tek lexuesi, Tufa ka preferuar që të mos flitet për "Frymën mbi ujëra" nga të pranishmit, siç ndodh rëndom nëpër prezantime.
A. M. : Gazeta Shekulli











