Botimet e reja te javes 17-12-2007

Botimet e reja te javes 17-12-2007

Përktheu: Urim Nerguti, Hysen Voci

Shtëpia botuese: Skanderbeg books

Çmimi: 300 lekë

Unë shkruaj sepse kam dëshirë të shkruaj. Shkruaj, sepse nuk mund të bëj si të tjerët, një punë normale. Shkruaj që libra si të mitë të jenë të shkruar dhe që t'i lexoj. Shkruaj, sepse jam tepër i mërzitur me të gjithë ju, me tërë botën. Shkruaj, sepse më pëlqen të rri mbyllur në një dhomë, gjatë gjithë ditës. Shkruaj, sepse nuk mund ta duroj ndryshe realitetin, përveçse duke e ndryshuar. Shkruaj që mbarë bota ta dijë çfarë lloj jete kemi jetuar dhe jetojmë, unë, të tjerët, ne të gjithë, në Stamboll, në Turqi. Shkruaj, sepse e dua erën e letrës dhe të bojës. Shkruaj, sepse ky është një zakon dhe një pasion. Shkruaj, sepse kam frikë të jem i harrueshëm. Shkruaj, sepse më pëlqen fama dhe interesi që kjo më sjell... Shkruaj, sepse besoj si një fëmijë në pavdekësinë e bibliotekave dhe në vendin që do të zënë aty librat e mi... Shkruaj, sepse nuk arrij të

jem i lumtur, çfarëdo që të bëj. Shkruaj për të qenë i lumtur.

Titulli: Aj rum, cici rum...

Autori: Albri Brahusha

Proza të shkurtra

Shtëpia botuese: Ombra GVG

Çmimi: 450 lekë

...gjithnjë e më shumë shkrimtarët e kohëve të sotme hasen me një problem që ka të bëjë me shumëllojshmërinë e titujve në treg dhe se titujt e librave janë nën zë në krahasim me titujt e filmave, emisioneve televizive dhe reklamave masive të prodhimeve industriale. Bota në këto dyzet vitet e fundit është kthyer në një Babel postmodern, siç e përcakton me të drejtë Giani Vattimo, në Babelin

ku të gjithë ndikojnë mbi të gjithë. Duket sikur roli i librit nga në rënie në fillim të bumit ekonomik të

të viteve '70, tani në vitet e para të shekullit XXI, ka

pësuar rritje, pasi po vihet re përditë një velje prej

teknologjisë dhe robotizimit të jetës së përditshme. Arsyeja se pse i rashë kaq gjatë për të dalë tek

titulli që mban kjo përmbledhje prozash të shkurtra, është se titulli "Aj rum, cici rum" erdhi pas disa dilemave që kisha për titullin. Duke bërë pjesë në shoqërinë ku çdo gjë bëhet pjesë e reklamës, shkrimtari ndodhet në morsën

shoqërore që e shtyn atë dhe librin e tij të bjerë në sy sa më shumë, dhe për të rënë në sy me një libër duhet një titull i mirë, tërheqës, të pëlqyeshëm, ndoshta edhe skandaloz. Shpesh duke u bërë mjeshtër titujsh interesantë shkrimtari mund të keqkuptohet, duke kthyer si pa e kuptuar nga shkrimtar në "titullar"...

Albri Brahusha

fragment nga "Iliadë në miniaturë"

Titulli: Fëmija, pasqyra jote

Autori: Martha Alicia Chavez

Përktheu: Lorenc Rabeta

Botimet: Max

Çmimi: 500 lekë

Të qenit prind është një aventurë pa fund. Mbetemi prindër deri në çastin e fundit të jetës dhe deri atëherë nuk reshtim së projektuari nevoja, ndjenja dhe të gjitha llojet e karakteristikave vetjake te fëmijët. Prindërit projektojnë te fëmijët e tyre ëndrrat dhe dështimet, ato që u kanë ngelur peng nga fëmijëria e adoleshenca, si dhe dëshirat e papërmbushura, teksa presin në mënyrë të pavetëdijshme që fëmijët të shndërrohen në zgjatime të tyre dhe të përmbushin këto pengje...

Titulli: Midis zhgënjimit dhe mitit (Realitete amerikane)

Autori: Ardian Vehbiu

Botimet: Max

Çmimi: 300 lekë

Kjo përmbledhje esesh, skicash dhe artikujsh s'është veçse një përpjekje imja për të kuptuar ose përshkruar neurozën post-traumatike të Amerikës, e ndoshta të mbarë Perëndimit, pas tronditjes kapitale të 11 shtatorit. Sulmet terroriste ndaj "Ëorld Trade Center" dhe Pentagonit, të përcjella dhe të amplifikuara me miliona herë nga televizioni, u shndërruan sakaq në një narrativë themeluese për shekullin XXI e në mit të origjinës për një botë të re e të ashpër, që ndoshta askush nuk e ka mirëpritur...

Festivali

Pas akuzës së Bleros përgjigjet Saraçi:

Nuk kam lekë dhe "moral" të blej çmimin

"Do të desha ta blej çmimin,por nuk di se si dhe as nuk kam mundësi financiare". Kështu është përgjigjur me një lloj humori dhe ironi Shpëtim Saraçi, pas akuzave të bëra publike një ditë më parë në shtypin shqiptar se çmimet e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar janë shitur. Akuzat e ardhura nga këngëtari nga Kosova me banim në Suedi, Blero, i drejtohen pikërisht këngës së orkestruar nga Shpëtim Saraçi, të interpretuar prej duetit Mira Konçi e Redon Makashi dhe këngës së Greta Koçit.

"Edhe kësaj radhe nuk mungon korrupsioni dhe padrejtësia në këtë festival", shkruan Blero në një letër, ku shpjegon tërheqjen e tij nga festivali si konkurrent pas rreth një jave përgatitjeje.

"Një person anonim më tregoi fakte se gjithçka është vendosur para kohe dhe vendi i parë, i dytë dhe i tretë, janë të vendosura nga vetë udhëheqja e festivalit. Mendoj se është e padrejtë dhe e pamoralshme që gjëra të tilla të ndodhin. Bëhen pagesa të fshehura për të fituar dhe këngët e gabuara e përfaqësojnë Shqipërinë në 'Eurosong'", ka vijëzuar mes të tjerash ai, duke folur për para të paguara nën dorë për dy çmimet e para.

Nga ana tjetër, anëtarë të jurisë së festivalit i cilësojnë dhe i quajnë të ulëta akuza të tilla, të atyre që vetë nuk janë të pastër moralisht.

Kurse Saraçi, i akuzuar drejtpërdrejt për blerje të çmimit, thekson se akuza me sa duket vjen nga dikush që është mësuar me shitje-blerje të tilla në festivale private.

"Unë s'kam lekë të blej. Blero që është nga Kosova jeton në Danimarkë a ku di unë, mund ta blejë. Ku blihet çmimi që të shkoj ta blej? Se do desha ta blej vërtet, por nuk di se si dhe as nuk kam mundësi financiare. Me sa duket ky Blero dhe shokët e tij janë mësuar të blejnë çmime në festivale private. Unë nuk e njoh mirë madje ç'është ky njeri. Blero! Mos është humorist francez? Për vete di që jam në festival, konkurroj dhe kaq", ka nënvizuar artisti.

Ndërkohë dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë situatë theksojnë se Blero ka bërë kërcënim apo presion, duke kërkuar çmimin e parë e se në të kundërt do të braktiste festivalin, Saraçi shprehet se këto 'kërcënime' janë faktet konkrete të asaj se si është "blerë" festivali.

"Nëse unë jam nga ata që blejnë çmime apo jo, këtë e ka treguar dhe do ta tregojë publiku në vlerësimin e atyre që kam krijuar", përfundon Shpëtim Saraçi.

B.Goce

Titulli: Eragon

Autori: Christopher Paolini

Botues: Instituti i Dialogut dhe Komunikimit

Përktheu: Ines Ekonomi

Çmimi: 1 200 lekë

Eragoni është një ndër librat e letërsisë fantastike më të lexuar gjatë viteve të fundit. Është përkthyer në pothuajse gjithë gjuhët kryesore të botës. Ky libër është një nga librat më të shitur në mbarë botën.

Vlerësime

"Një vepër e një talenti vërtet të madh"

Titulli: Antropologjia social-kulturore (Një hyrje e shkurtër)

Autori: John Monaghan dhe Peter Just

Përktheu: Bashkim Shehu

Botimet: Ideart dhe IDK

Çmimi: 600 lekë

Duke përdorur shembuj jetësorë nga përvoja e tyre në Indonezi dhe Meksikë, John Monaghan dhe Peter Just i japin lexuesit arsye se ç'do të thotë të jesh antropolog, duke përcaktuar gjithashtu edhe fushëpamjen që e bën këtë disiplinë të veçohet nga shkencat e tjera shoqërore. Autorët japin shpjegime të kapshme dhe koncize mbi pyetjet "e mëdha", ku janë përqendruar antropologët që prej zanafillës së krijimit të kësaj fushe të shkencës. "Ç'është unike në qenien humane? Si janë formuar grupet njerëzore-familjet, klasat, fiset, kombet, dhe ç'i mban ata të lidhur bashkë? Ç'natyrë ka besimi, shkëmbimet ekonomike, vetvetja?

"...një ide e çmuar. Një libër dinamik, i vogël..., i pashëm..., i përkryer për ta pasur në xhepin tuaj në kohën e lirë."

Lisa Jardine, “The times”

"Një ide shumë e mirë, këto hyrje të shkurtra. Një konceptim i ri nga Botimet e Universitetit të Oksfordit"

Nicholas Lezard, Guardian

"Hyrja më origjinale në Antropologji që unë kam ndeshur ndonjëherë... Përmes këtij libri lexuesi merr përvojë antropologjike. Stili i shkrimit të tekstit është veçanërisht i qartë, i thjeshtë dhe i përkorë. Libri i jep lexuesit ndjesinë e veçantë të arritjeve të deritanishme të Antropologjisë, vendin e kësaj disipline mes disiplinave të tjera sociale, si dhe pozicionimin e saj si zhvillim dhe jo si qëllim drejt biznesit.

Igor Kopytoff, Universiteti i Pensilvanisë

Titulli: Studime Shqiptare

Autori: Johan Georg Von Hahn

Botues: Instituti i Dialogut dhe i Komunikimit

Përktheu: Veniamin Dashi dhe Afrim Koçi

Çmimi: 1 500 lekë

Vepra e J.G.fon Hahnit “Studime shqiptare”, e shkruar dhe e botuar në Gjermani në vitin 1949, konsiderohet si një ndër veprat themelore dhe themeluese të studimeve shqiptare (albanologjisë). Po ndonëse ajo vazhdon të citohet pareshtur, në fakt deri më sot janë të paktë ata që e kanë lexuar dhe mund t’i referohen asaj drejtpërsëdrejti. Në fakt, në Institutin e Historisë ekziston prej vitesh një dorëshkrim me një përkthim të bërë nga një figurë fatkeqësisht e mbetur e panjohur për publikun, siç është Veniamin Dashi, koleg me Eqrem Çabejn dhe Aleks Budën, por që pas Luftës së Dytë Botërore mbeti në hije për “arsye biografike”. Por ky variant përkthimi është tejet i cunguar për arsye biografie. Prej tij ishin shkurtuar në mënyrë selektive nga Instituti i Historisë së asaj kohe, pothuajse gjysma e librit (350 nga 800 faqet e librit). Në botimin e përgatitur nga IDK-ja, që ka marrë për bazë përkthimin e V.Dashit, këto faqe janë përkthyer nga Afrim Koçi. E gjithë kjo do të thotë se deri më sot, duke përjashtuar ata pak që kanë mundësi t’i referohen veprës origjinale në gjermanisht, pjesa më e madhe e studiuesve i janë referuar një vepre deri diku të falsifikuar.

Nga ana tjetër, s’kemi të bëjmë thjesht me një vepër me rëndësi historike. “Studime shqiptare” është e ndarë në gjashtë pjesë kryesore: Pjesa e parë dhe hyrëse, përmban një vështrim të përgjithshëm gjeografiko-etnografik të shqiptarëve dhe të vendit te tyre.

Pjesa e dytë, përfshin shënimet e një udhëtimi që Hahni bëri në vitin 1848 anë e mbanë Shqipërisë së asaj kohe, duke na dhënë një tablo mjaft realiste dhe tërheqëse të realitetit të kohës. Pjesa e tretë, përfshin një tablo etnografike, ku përshkruhen zakonet e krahinave të ndryshme ku banonin shqiptarët. Pjesa e katërt, ka të bëjë me historinë e popullit shqiptar, duke ndalur në historikun e hollësishëm të mjaft vendeve e qyteteve në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Pjesa e pestë, i kushtohet mitologjisë së shqiptarëve, duke kërkuar njëkohësisht shpjegimin, krahasimin dhe rrënjët e çdonjërit prej miteve.

Pjesa e gjashtë, që titullohet “Alfabeti i shqipes” na jep një tablo të të gjitha përpjekjeve të deriatëhershme për të shkruar gjuhën shqipe. Pjesa e shtatë dhe e fundit, i rikthehet dhe njëherë historisë së shqiptarëve. Vepra e J.G. fon Hahnit “Studime shqiptare”, sipas botuesve të saj "është jo vetëm një ndër veprat themelore të studimeve shqiptare, por madje konsiderohet si një ndër themelueset e tyre". "Kjo vepër ka një rëndësi tejet të veçantë historike dhe kulturore".

Marre nga : Gazeta Metropol

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama