86-vjetori i vdekjes se Andon Zako Cajupit Nje profil dhe 3 poezi nga poeti i madh

86-vjetori i vdekjes se Andon Zako Cajupit: Nje profil dhe 3 poezi nga poeti i madh

Më 11 korrik të vitit 1930 – Në Kajro, Egjipt, vdiq Çajupi, Andon Zako (64 vjeç), atdhetar, rilindas, poet romantik i madh midis De Radës e Naim Frashërit.

Emri i tij i vërtetë është Andon Çako, nuk dihet për ç’arsye ai përdori edhe formën Zako. Emri letrar Çajupi është emri i një mali të vendlindjes, mallin dhe kujtimin e së cilës e nguliti dhe e përjetësoi në pseudonimin e tij.

Vepra që e bëri të njohur në mbarë botën shqiptare ishte përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) ku përfshiu komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”. Me këtë vepër ai u bë poeti më i njohur pas Naimit, figura që zuri vendin që mbeti bosh pas humbjes së poetit kombëtar më 1900.

Çajupi ishte për demokracinë dhe qytetërimin, prandaj e përshëndeti Revolucionin Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924, frytet e të cilit nuk arriti t’i gëzonte populli shqiptar. Demokracia e pati jetën e shkurtër dhe, në vend të saj, u rikthye pushteti i feudalëve me ardhjen e A.Zogut në fuqi. Kur u mor vesh se ky do ta shpallte veten mbret, Çajupi që ishte në krye të “Shoqërisë së miqve”, të themeluar në Kajro, i drejtoi Qeverisë së Tiranës një protestë, midis të tjerave thuhej se koha e mbretërve shkoi, “kurse edhe ata që i kanë, po vështrojnë t’i përzënë”, Ky qëndrim i vendosur antimonarkist ia mbylli përfundimisht poetit rrugën për t’u kthyer në Shqipëri, që të tretej në “baltën më të ëmbël se mjalta” të mëmëdheut. Vdiq në Kajro më 11 korrik 1930. Shtypi zyrtar në Shqipëri e kaloi vdekjen e tij pothuajse në heshtje.

Baba Tomori

Baba-Tomor, kish’ e Shqipërisë,

mal i lartë, fron i perëndisë,

tek ti vinin njerëzit që moti

për të msuar se ç’urdhëron zoti…

Tek të lutem dhe u duk’ e qarë

të msoj q’thot dhe për shqipëtarë.

Kanë qenë trima të lëvduar

dhe në luftë s’janë turpëruar,

qenë trima dhé mëmëdhetarë,

besa, feja s’i kishnë dhe ndarë,

Shkonin jetën me pushkë në dorë,

Donin shqipen, s’qenë tradhëtorë,

lulëzonte gjithë Shqipëria,

s’e s’kish shkelur si sot robëria,

gra e burra donin Shqipërinë,

djem e çupa këndonin Lirinë.

Sot qysh gjendet komb’ i Shqipërisë!

I përmbysur nga zgjedh’ e Turqisë,

shqipëtarët, si dhe bagëtia,

zbathur, zhveshur vdesën nga uria!

Shqipëtarët? Sot s’ka shqipëtarë,

turku, greku na kanë përndarë!

Prifti, hoxha, kisha dhe xhamia,

Na gënjejnë… U prish Shqipëria…

Mal i lartë, me krye në diell,

fron i zotit q’është mbret në qiell,

Baba Tomorr, o mal’ i uruar,

ç’kanë ngjarë, gjithë ç’kanë shkuar,

i di vetë, s’duhet të t’i themi;

C’do të ngjajnë, të lutem rrëfemi,

Sot e tutje, ç’thotë perëndia?

Do të heqë shumë Shqipëria?

çfaj ka bërë, ç’gjynahe paguan?

Nga Turqia të tërë shpëtuan:

Greku, serbi, vllahu, bullgari,

nënë zgjedhë mbeti shqipëtari

çthotë zoti për kombinë tonë,

do ta lerë penë sulltan qenë?

Na shkretoi, na preu, na griu,

na ç’nderoi dhe gjaknë na piu,

na mundoi, shpirtin na nxori!!

Fshiu lotët dhe më tha Tomori:

0 shqipëtarët e gjorë,

Ndëgjoni Baba-Tomorë:

Kombi tuaj s’vete mbarë

se besët u kanë ndarë.

Besa e bashkon njérinë:

Ju pse e ndani perëndinë?

Si ungjilli dhe kurani:

nukë na dihetë fundi;

me qiejtë mos u mbani

se nukë mbahen gjikundi.

Të krishter’ e myslimanë

gjithë një perëndi kanë;

ini një gjak, mor të ngerë,

se ndë një vend kini lerë.

Ini gjithë shqipëtarë,

s’ini grekër a tartarë,

hiqni dorë nga rreziku,

shihi se ç’punon armiku

i pabesi dhe i ligu.

Mblidhuni të bëni benë,

të kujtoni Skënderbenë,

të duani Memëdhenë,

të mos e lini të shkretë…

Ngrihi ta shpëtoni vetë,

se u ndin zot’ i vërtetë,

mos e peshoni Turqinë,

mos e besoni Morenë

të duani perëndinë;

të duani Memëdhenë

Erdhi dita të lëftojmë

për lirin’ e Shqipërisë;

ja të vdesim, ja të rrojmë

si burrat’ e trimërisë.

***

Korriku

Na erdhi korriku prapë,

me grurë të ri, me vapë.

Mirë q’erdhr, o korrik,

gjithë bota të ka mik,

të duanë varfëria,

se s’vdes njeri nga uria.

Korriku, si flak’ e drizit,

na ngroh palcën e kurrizit.

0 korrik, o faqezjarr,

gjithë lule, gjithë bar,

dhe me pemë barrë-barrë,

s’dimë ç’të hamë më parë.

Në korrik piqen me radhë

pjeshkë, mollë, thanë, dardhë;

kur afrohet korriku,

zë të piqetë dhe fiku.

Nga gjithë pemët e tjera,

fiku na mbiftë te dera,

se gjersa ka shporta fiq,

gjithë bota janë miq…

Me shpresë të këtij muaj,

punëtor, puno e vuaj,

të punojmë që të gjithë,

të mos mbetemi pa drithë,

se në këtë muaj zoti

na kërren nga tërë moti.

Ata që kanë punuar,

në korrik janë të gëzuar,

Se në këtë deli muaj

nuk ka lëmë pa duaj.

Vjen korriku, punëtorë,

mirrni drapërin në dorë,

të korrij kush ka punuar,

kush ka mbjell’ e ka lëruar.

Dilni, dilni nëpër ara

e shihni, ç’ka bërë fara:

shikoni një koqe gruri,

se sa koqe, grurë pruri.

Shikoni kallinjt’ e verdhë,

në korrik duhenë mbledhë.

Shihni, shihni kur fryn era,

kallinjtë, lozin si shqerra;

me diell, kur fryn veriu,

si floriri ndrit kalliu,

fusha, ara, palë-palë,

duken si deti me valë.

Fush’ e gjatë, fush’ e gjerë,

pse më bën të qaj ngaherë?!

Me djersën e varfërisë

gjith’ arat e Shqipërisë

vaditen, e gjë s’kërrejnë,

se të huajt’ i rrëmbejnë!

Shqipëtari, dëm e kotë,

punon gjithnjë për botë;

arat që mbjell, ngaherë

vjen’ e i korrin të tjerë!

0 korrik, o faqezjarr,

je dukur dhe luftëtar:

në Francë, kush nuk e di,

u ngre vëndi për liri;

në korik lufta u zu,

u bë gjaku gjer në gju…

kryengritjet q’u bënë,

prej korriku janë zënë;

se zjarrë që ndez korriku,

nuk’ e shuan dot armiku;

se dielli është i ngrohtë,

ndez gjakun në gjithë botë.

Gjaku i trimit vërtetë

për liri ndizetë vetë,

gjaku yt, o shqipëtar,

s’të ndizet as në behar!

Të ndeztë vap’ e korrikut,

t’i biesh në kok’ armikut!

***

Naim Frashëri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqipëri!

Mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni

shqipëtarka, shqipëtarë!

Naimnë kur ta kujtoni,

mos pushoni duke qarë!

Vdiq Naimi, gjithë thonë,

qani turq, qani kaurë!

Bilbil’ i gjuhësë tonë

s’do të dëgjohet më kurrë!

Vdiq Naimi, që këndoi

trimërinë, Skënderbenë,

vdiq Naimi, që lëvdoi

dhe nderoi memëdhenë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

o moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjerë.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkretë,

pse more të tillë burrë?

I ndritë shpirti për jetë,

mos i vdektë nami kurrë!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama