Parkingjet e rezervuara bashkiaket nuk ia dalin dot tek selia e LSI

Parkingjet e rezervuara, bashkiaket nuk ia dalin dot tek selia e LSI

Lirimi i hapësirave publike, ku pjesë e saj janë edhe parkimet ilegale, është një nga betejat kryesore të shpallura nga ana e Bashkisë së Tiranës.

Prej ditësh, policët bashkiakë po mësyjnë çdo vend e rrugicë të ish-njësisë bashkiake numër pesë për të liruar hapësirat e zëna në mënyrë të paligjshme.

Pjesë e kësaj nisme janë dhe tabelat e parkimeve, të cilët vendosen apriori nga qytetarët. Aksioni i së dielës së shkuar u ndal dhe në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ndodhet në njësinë bashkiake numër pesë.

Dhjetëra policë bashkiakë e zyrtarë të bashkisë tentuan që të çmontonin tabelat e posaçme me logon e “Parkim LSI”.

Por kjo hasi rezistencën e punonjësve të selisë së aleatit kryesor të Partisë Socialiste.

Policët kanë kërkuar që të çmontonin dhe të sekuestronin tabelat me mbishkrimin “Parking” dhe me logon e LSI-së, por kanë hasur në rezistencën e punonjësit të selisë së LSI-së, të cilët i kanë kërkuar që të mos ta ndërmarrin një veprim të tillë, pasi sipas tyre, vendet e rezervuara janë të LSI-së, duke i treguar me gisht se ka dhe një tabelë ku tregohet se e drejta u takon atyre, shkruan Shqip.

Debati mes zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës dhe punonjësve të LSI-së ka zgjatur për disa minuta, në përpjekje për të bindur partiakët e aleatit në zgjedhje që të pranonin zbatimin e vendimit të dhënë nga kryebashkiaku Veliaj.

Por siç duket nisma e punonjësve të bashkisë shihet ende si një mision i pamundur.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama