Nje jete sa nje histori

Nje jete sa nje histori

Zoti ndoshta tregohet bujar me kohën që u jep historianëve. Kristo Frashëri qe 96-vjeçar, e megjithëse prej vitesh në gjendje të rënduar shëndetësore ai nuk e ndali punën. Vetëm pak muaj më parë, më nëntor të vitit 2015 ai botoi librin e tij të fundit “Historia e Çamërisë”. Ai u nda nga jeta për shkaqe natyrale më 31 janar, ndërsa homazhet në nderim të tij do të mbahen në Akademinë e Shkencave mesditën e 3 shkurtit

Kur e di se ke shumë për të dhënë e për të thënë, më shumë se ditët për të jetuar që për çdo të vdekshëm prej fillesave të njerëzimit mbeten mister, mundohesh të shfrytëzosh çdo frymëmarrje për të çuar në fund atë mision që ke marrë përsipër ta kryesh mirë… Ashtu siç bëri historiani dhe akademiku i shquar Kristo Frashëri ndoshta deri mbrëmjen e 31 janarit kur edhe u nda nga kjo jetë. Zoti ndoshta tregohet bujar me kohën që u jep historianëve. Frashëri qe 96-vjeçar (i kishte mbushur më 4 dhjetor të vitit të kaluar) e megjithëse prej vitesh në gjendje të rënduar shëndetësore ai nuk e ndali punën. Shumëkush e ka parasysh pamjen e tij me tubat në hundë që e ndihnin të frymëmarrë teksa jepte intervista televizive. Prej vitit 2012 e deri më tani janë botuar shtatë libra të tij. Vetëm pak muaj më parë, më nëntor të vitit 2015 ai botoi librin e tij të fundit “Historia e Çamërisë” , nga shtëpia botuese “UET Press” e me siguri ka lënë dhjetëra dorëshkrime që do mbërrijnë te lexuesi pas vdekjes së autorit.

“Deri sot, promovimet për botimet e librave të mi kanë qenë procedurë e zakonshme, pasi me ato janë vënë në dukje meritat e zakonshme dhe të jashtëzakonshme të ngjarjeve kryesore të historisë sonë mijëravjeçare; në përgjithësi janë vënë në dukje fitoret që janë nënvizuar nëpërmjet këtyre ngjarjeve. Promovimi i librit të kësaj radhe, Historia e Çamërisë, është promovimi i një rezistence shekullore etnike, është historia që kanë zhvilluar për shekuj me radhë banorët e viseve tona të cepit jugor, shqiptarët e Çamërisë, për të përballuar përkatësinë e tyre etnike, shqiptare. Është një histori famëkeqe, e cila përfundoi me një golgota biblike të udhëzuar nga zyrtarët nacionalistë grekë, të fqinjëve tanë, por 60 vjet më parë. Historia e kësaj popullsie shqiptare të martirizuar është kaq e dhimbshme, sa në historinë tonë kombëtare lë gjurmë kaq të thella, saqë të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet e tyre etnike e kanë pasur ashtu siç e kanë të vështirë kujtesën e tyre nga ndërgjegjja historike. Kjo monografi i kushtohet pikërisht kësaj kujtese historike”, kështu shprehej me anë të një mesazhi për të gjithë ata të pranishëm në ceremoninë e përurimit të librit të tij të fundmë njeriu që i kushtoi 70 vite të jetës së tij shkrimit të historisë, i pamundur të ishte atje vetë fizikisht.

Ajo që ka lënë pas është një opus i madh botimesh shkencore, që shtrihen thuajse në të gjitha periudhat e historisë shqiptare, prej Antikitetit, Mesjetës, Rilindjes Kombëtare e deri në ditët tona.

I pari shkrim që mban autorësinë e tij daton në vitin 1938 , një material mbi Jeronim de Radën për të mos u ndalur më në botimet e artikujve studimore, referateve historike, vëllimeve dokumentare dhe monografive shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Mbeten të rralla veprat e tij për Skënderbeun, Perandorinë e Arbrit, Pavarësinë, Rilindjen, kufijtë e cunguar të Shqipërisë në 1913, por edhe për Çamërinë, Epirin, Kosovën, Himarën, shqiptarët e Maqedonisë e deri për kryeqytetin Tiranën.

Spikatin punimet shkencore të botuara pas vitit 1990, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta –për shkaqe natyrale –e ka dhënë Akademia e Shkencave, anëtar i së cilës qe edhe akademiku Kristo Frashëri. Homazhet në nderim të tij do të mbahen në godinën e kësaj Akademie mesditën e 3 shkurtit. “Akademia e Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella fëmijëve, familjarëve e të afërmve për humbjen e këtij personaliteti të shquar të historisë e të mbarë kulturës shqiptare”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave.

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të historianit. “Kristo Frashëri na kujtoi se s’kemi ardhur nga hiçi dhe se historinë duhet ta bëjmë me punë çdo ditë! Prehje në paqe!”, ka shkruar Veliaj, ndërsa vetëm pak ditë më parë ai i ka dorëzuar Frashërit titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës. Edhe Ministria e Kulturës u ka shprehur ngushëllimet e thella familjes, të afërmve, botës akademike për humbjen e një njeriu si Frashëri.

Kristo Frashëri mban titullin “Nderi i Kombit”, akorduar nga presidenti Bamir Topi. Ka marrë dy herë “Çmimin e Republikës” të klasit I , fillimisht më 1961-shin dhe më pas më 1984–ën, si edhe është dekoruar me Urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Kristo Frashëri u lind më 4 dhjetor të vitit 1920 në Stamboll të Turqisë. Pinjoll i Frashërllinjve të shquar të Përmetit, është i parëlinduri i patriotit dhe rilindasit Anastas Frashëri. U pagëzua në kishën e Shën Triadhës së Fanarit në Stamboll, ndërsa kumbari i tij ishte Dhimitër Noli, i vëllai i peshkopit Fan Noli. Fshat me gurishte, me zhur, pyje e një kështjellë brenda kështjellës që quhet Dangëlli… Kështu e përshkruante akademiku vendin e origjinës së familjes së tij. “Më kanë thënë pleqtë e mi, se ata e kishin më të sigurt jetën aty në Frashër sesa në Stamboll”- shprehej në një prej intervistave televizive në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Kristo Frashëri. Pas riatdhesimit nga Stambolli në moshën 7–vjeçare vjen në Tiranë. Ishte viti 1927.

“U kthyem në Tiranë, pasi ndryshe nga sot që ikin nga Shqipëria, ishte koha kur ktheheshin në Shqipëri për dy arsye. E para njëherë, se me ndryshimet që bëri Mustafa Qemali, shqiptarët e Stambollit pësuan një goditje ekonomike të madhe. Kryeqyteti u vendos në Ankara. Ushtrinë e sulltanit e shpërbënë. Në Shqipëri erdhën gjithë ata oficerë, me grada të larta dhe të ulëta, erdhën edhe banorët e krishterë që kishin hapur ndonjë dyqan atje, sepse ra tregtia. E dyta, pastaj edhe politika fiskale që bëri Mustafa Qemali i rëndonte këta, i konsideronte grekë për t’i detyruar të iknin, u vinte taksa të rënda. Babai erdhi një herë, sepse ishte i pleksur me Lëvizjen Kombëtare. Ishte me Fan Nolin e me të tjerët. Kur erdhi Revolucioni i Qershorit ai u kthye. Zuri punë në kohën e Fan Nolit. Sa zuri punë u përmbys qeveria e tij dhe ai priti gjersa gjeti një punë tjetër dhe erdhëm. Kjo është arsyeja e kthimit tonë në Shqipëri….” do të kujtonte profesori fëmijërinë e hershme, pa harruar ta shoqëronte me kontekstin dhe argumentet historike, kthimin e familjes së tij në atdhe. Më 1940-ën , pasi kreu shkollën e mesme, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Më 1942 u burgos dhe u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në radhët partizane. Ndërsa 7 prillin e 1939–ës do ta quante një nga momentet më dramatikë të jetës së tij.

Në vitin 1945–1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar (Sektori i kreditit). Ndërkohë ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951–1955).“Pas luftës? Erdha kokulur, kërkova punë, mezi gjeta në bankë. Hyra atje në bankë. Kërkova të drejtën e studimit. Doli në gazetën “Bashkimi” emri, pastaj ma mohuan. Ula kokën, punova gjersa erdhi rasti që kalova pas shtatë viteve në Institutin e Shkencave. Nuk dhashë asnjë shenjë kundërshtimi. Mbaj mend një herë kur kisha drejtor të përgjithshëm Kostandin Boshnjakun, drejtor të kredisë kisha shkrimtarin Dhimitër Pasko” – kujtonte më 2007-ën, Frashëri. Prej vitit 1953 punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, më 1955 në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, më 1957 në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT. Më 1966-ën u dërgua për pesë vjet për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme të Përmetit; më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku doli në pension (1990). Më 1997 u emërua zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 1999 përsëri në pension.

Kohë që padyshim profesori i shquar, historiani dhe akademiku e shfrytëzoi për të shkruar e botuar një sërë veprash shkencore.

I pyetur nëse kishte nisur t’i hidhte kujtimet e tij në letër, profesor Frashëri do të përgjigjej “…unë them gjithnjë: lexoni filozofinë e historisë…” . E bëri më 2014–ën, me librin autobiografik “Jeta e një historiani” , libër që i përmbahet lidhjes me familjen e Frashërllinjve të Rilindjes Kombëtare, nga edhe rrjedh. “Disa miq dhe shokë më janë lutur që të gjej kohë për të shkruar kujtimet mbi jetën time. Unë kam ngurruar mbasi nuk kam qenë personalitet i shquar shoqëror, as burrë shteti apo shkencëtar i dëgjuar, të cilët lënë gjurmë në veprimtarinë e tyre politike” , do të shprehej njeriu që pati një jetë për të shkruar historinë.

 

Testamenti i fundit, një libër mbi historinë e Çamërisë

Historia e Çamërisë për herë të parë në një vështrim shkencor, një projekt pesëvjeçar i iniciuar nga UET-PRESS me Fondacion “Çamëria” dhe Qendrën Kërkimore “Ligji, Norma dhe Tradita” pranë Fakultetit Juridik në UET, prezantoi në nëntor të 2015–ës botimin “Historia e Çamërisë”, shkruar nga historiani Kristo Frashëri. Fjalët e historianit, në mungesë, i ka përcjellë i biri, Gjergji Frashëri, si një libër rezistence shekullore etnike, një golgotë etnike e udhëzuar nga zyrtarët nacionalistë grekë. “Deri sot, promovimet për botimet e librave të mi kanë qenë procedurë e zakonshme, pasi me ato janë vënë në dukje meritat e zakonshme dhe të jashtëzakonshme të ngjarjeve kryesore të historisë sonë mijëravjeçare; në përgjithësi janë vënë në dukje fitoret që janë nënvizuar nëpërmjet këtyre ngjarjeve. Promovimi i librit të kësaj radhe, Historia e Çamërisë, është promovimi i një rezistence shekullore etnike, është historia që kanë zhvilluar për shekuj me radhë banorët e viseve tona të cepit jugor, shqiptarët e Çamërisë, për të përballuar përkatësinë e tyre etnike, shqiptare. Është një histori famëkeqe, e cila përfundoi me një golgota biblike të udhëzuar nga zyrtarët nacionalistë grekë, të fqinjëve tanë, por 60 vjet më parë. Historia e kësaj popullsie shqiptare të martirizuar është kaq e dhimbshme, sa në historinë tonë kombëtare lë gjurmë kaq të thella, saqë të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet e tyre etnike e kanë pasur ashtu siç e kanë të vështirë kujtesën e tyre nga ndërgjegjja historike. Kjo monografi i kushtohet pikërisht kësaj kujtese historike”, do të shprehej Frashëri.

 

Kujtimet e Kristo Frashërit, takimi me Enver Hoxhën

“Jeta e një historiani”, ku autori, ndonëse është historian i dorës së parë, nuk vihet në këtë rol kur tregon për jetën e tij, edhe pse ajo është e gërshetuar dhe e pleksur me ngjarje historike.

Sipas biografit të famshëm Emil Ludvig, “në përshkrimin e jetës së tij ka rëndësi qëndrimi i autorit, sa ai është në gjendje të zbulojë vetveten”. Kristo Frashëri e ka arritur këtë në librin e vet: të zbulojë dimensionet shpirtërore, raportet e veta njerëzore me realitetin e kohës, karakterin dhe botën e tij të brendshme, por të gjitha këto me sens mase, në përputhje e harmoni me natyrën e tij. Nuk gjen kurrfarë iluzionesh mitike, pra nuk i ngre mite vetes…

Por lufta s’ka mbaruar, pavarësisht nga kapitullimi fashist. Kristos do t’i duhet të marrë pjesë në luftën për mbrojtjen e Dibrës së çliruar, kur vendin e italianëve e kishin zënë pushtuesit gjermanë. Ishin këto beteja heroike, ku u përfshinë dhe gratë e fëmijët, që përbëjnë nga faqet më emocionuese të librit. Kristoja në këtë betejë do të kalojë nga situatat më të rënda të jetës partizane. Pas luftimeve të ashpra dhe në pamundësi për të përballuar ushtrinë gjermane, forcat partizane u tërhoqën. Tërheqja e partizanëve do të ishte një odise e vërtetë përmes maleve të Martaneshit, në mes shiut, dëborës e të ftohtit. Kristoja dhe disa partizanë do të sëmuren rëndë, aq sa do të strehohen në Tërnovë, në një nga shtëpitë malësore. Aty ai do të qëndronte deri sa të merrte disi veten dhe pastaj, me një letër përcjellëse të Haxhi Lleshit, u nis në këmbë për mjekim për në Tiranë. Rastësisht gjatë rrugës, kujton Kristoja, u takua me Enver Hoxhën dhe pasi u përshëndetën, duke pasur parasysh dyshimet e udhëheqësit, i tregoi letrën autorizuese të H. Lleshit. Kësisoj, ata u ndanë, por në një letër që më vonë Enveri i dërgon G. Nushit, ai do t’i shkruante. “Këtej kaloi Kristo Frashëri. Po shkon për në Tiranë. Kini kujdes. Duket se ai si partizan nuk pati sukses të organizojë në çetë një lëvizje antiparti. Tani vjen për të njëjtin qëllim në Tiranë.” I shkreti Kristo, edhe i sëmurë gjatë operacionit të dimrit, nuk i ndahet dyshimi.
 

 
Mbi Çamërinë në Nju Jork: Kristo Frashëri, një nga debatet më të rëndësishme shkencore

Edhe pse në një gjendje shëndetësore të rënduar pak kohë më parë, në mungesë të tij, është promovuar nga UET Press, libri “Historia e Çamërisë”, vështrim historik ku vetë Frashëri na veçon në një kapitull një nga debatet sipas tij më të rëndësishme, të organizuar në Nju Jork për çështjen çame

Një nga debatet më të rëndësishme që është zhvilluar në sferat shkencore në lidhje me gjendjen e Çamërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndodhi në Nju Jork, në datat 19 tetor 2013 dhe 28 shkurt 2014. Debati u zhvillua në Universitetin e Columbias të Nju Jorkut, nga Instituti për Studimin e të Drejtave të Njeriut së bashku me Institutin Harriman. Në mbledhjen e parë (19 tetor 2013) pjesëmarrësit identifikuan çështjet për të cilat ishin dakord dhe ato për të cilat nuk ishin dakord. Në mbledhjen e dytë (28 shkurt 2014) morën pjesë dy profesorë të historisë greke dhe shqiptare- nga njëra anë profesor Lambros Baltsiotis, ndihmës lektor në Qendrën e Kërkimeve për Grupet e Minoriteteve në Athinë, Universiteti Panteion, nga ana tjetër, profesor Pëllumb Xhufi, i Institutit të Historisë së Shqipërisë, Tiranë. Të dy profesorët e shquar prunë në debatin e tyre argumentet të cilat çojnë në vlerësimin sa më objektiv të dramës që pësuan çamët e Çamërisë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në të vërtetë, ai ishte një dialog në kuptimin se të dyja palët parashtruan argumentet e tyre pa shkaktuar debate. Në këtë mbledhje, e cila u bashkësponsorizua nga Instituti Herriman, dijetarët nga Shqipëria dhe Greqia i diskutuan ngjarjet më në thellësi. David L.Phillips, i cili drejtoi Programin për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Studimeve për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias dhe Alexander Cooley, profesor i Shkencave Politike në Kolegjin Barnard dhe zëvendësdrejtor për Programin në Shkencat Shoqërore në Institutin Herriman bashkëkryesuan sesionin. Mbledhja përfshinte dijetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile nga të dyja komunitetet. Të dy profesorëve iu kërkua të formulonin me rreth 1 mijë fjalë perspektivën e komentuar për këtë deklaratë:

“Çamët shqiptarë vuajtën internimin duke filluar që nga 1940, vrasjet më 1944-1945 dhe dëbimin më 1945. Mijëra çamë shqiptarë u vranë më 1944 dhe 1945. Këto ngjarje ndodhën në një kontekst dhe cikël dhune. Aludohet që çamët shqiptarë qenë bashkëpunëtorë me qeveritë fashiste dhe naziste të Italisë dhe Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Dialogun e hapi profesor Lambros Baltsiotis. Fjala e profesor Lambros Baltsiotis: Çamët myslimanë banonin në tokat e ulëta perëndimore të Epirit. Sot quhet prefektura e Thesprotisë. Komuniteti (çam-K.F) vuajti forma të ndryshme të diskriminimit, kryesisht nëpërmjet ngacmimit administrativ dhe akteve të dhunshme që synonin t’i detyronin ata të përfshiheshin në shkëmbimin e popullsisë greko-turke. Gjatë gjysmës së dytë të viteve ’20 u ndërmorën (nga shteti grek- K.F) shpronësime ilegale të tokave që preknin jo vetëm bejlerët çifligarë (pronarët e mëdhenj të tokave), por edhe pronarët e vegjël dhe të mesëm të tokave, të cilët përbënin shumicën e komunitetit, të paktën ata që banonin në shumë pjesë të Çamërisë. Sipas zbulimeve tona, këto ishin rrethanat që çuan në një transformim gradual të komunitetit mysliman të Ballkanit jugor në një minoritet kombëtar, një proces i cili ndeshet më shpesh në pjesën veriore të krahinës. Çarja ndërmjet dy komuniteteve fetare të krahinës, që më parë bashkekzistonin, tashmë ishte në fuqi që nga mesi i viteve ’20. Por, cikli i gjakderdhjes dhe i hakmarrjes u shkaktua nga gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur Italia pushtoi Greqinë, disa çamë myslimanë të armatosur kryen, një numër të kufizuar, krime kundër popullsisë së krishterë. Kjo përfshinte një numër vrasjesh dhe plaçkitjesh. Në fund të nëntorit 1941, kur ushtria italiane u tërhoq, ndodhën shumë akte dhunë në shkallë të tjera, por këtë herë kundër çamëve myslimanë. Nisur nga fakti se shumë prej meshkujve të rritur myslimanë ndodheshin në mërgim, të krishterët kryen vrasje, plaçkitje dhe përdhunime me tolerancën, për të mos thënë me mbështetjen e autoriteteve lokale…

Përgjigja e profesor Pëllumb Xhufit (Instituti shqiptar i Historisë)

Ditën që Italia pushtoi Greqinë, autoritete greke internuan pothuajse gjithë meshkujt çamë në ishujt e Egjeut (Kretë, Kios, Mitilin, Kokina e të tjerë). Kur u kthye ushtria greke në nëntor 1940, u kryen krime mizore kundër çamëve myslimanë. Rreth 56 çamë u vranë në provincën e Filatit, 300 të tjerë në Paramithi dhe Igumenicë. Në mes të nëntorit në Vilicë ushtarët grekë vranë tetë burra shqiptarë myslimanë. Duke ndjekur shembullin e tyre, banorët të krishterë kryen sulme kundër myslimanëve. Në Igumenicë ata vranë Dule Idrizin së bashku me dy djemtë e tij. Vrasësit detyruan babanë të gërmonte varrin e dy djemve të tij. Autoritetet greke bënë një sy të verbër ndaj krimeve të kryera nga grekët vendës kundër çamëve. Presioni i autoriteteve greke mbi çamët myslimanë vazhdoi si gjatë pushtimit italian ashtu dhe gjatë atij gjerman. Nga njëra anë italianët dhe gjermanët përkëdhelin ëndrrat shqiptarë për bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Në fakt, ata emëruan fisnikun Xhenil Dino si “Komisioner i lartë” i Çamërisë, por ky u zhvesh nga çdo pushtet konkret dhe u la pa asnjë kompetencë. Nga ana tjetër, autoritet ushtarake italiane dhe gjermane mbështetën qeverinë kuislinge greke të Çollakgllusë. Me lejen e tyre, qeveria greke vazhdoi edhe nën pushtimin italian dhe gjerman t’i ushtronte kompetencat e saj civile, gjyqësore dhe politike në Çamëri. Kështu, grekët e caktuar si president dhe shefa policie vazhduan të këmbëngulin në politikën e tyre armiqësore, duke arritur deri aty sa të bashkëpunonin edhe me bandat e jashtëligjshme të krishtera (Koçnikolla, Balumi, e të tjerë) të cilat terrorizonin popullsinë myslimane…

*Fragment nga debate në Nju Jork


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama