Jo vetëm kaq, por në atë kohë qeveria greke i dërgonte një notë proteste Austro-Hungarisë dhe Italisë, me anë të së cilës u bënte të ditur atyre se ankesat që ata kishin bërë në adresë të Greqisë për dëbimin me dhunë të popullsisë shqiptare të Jugut, apo siç e konsideronin ata "Vorio-Epirit", ishin të pabaza dhe nuk qëndronin. Po në të njëjtën situatë që asokohe ndodhej popullsia shqiptare në Jug të vendit, gjendeshin edhe shqiptarët që jetonin në trojet e tyre etnike në Veri të Shqipërisë, e cila përballej me terrorin e masakrave serbo-malazeze. Të gjitha këto dhe të tjera ngjarje të ndodhura në territoret shqiptare të atyre viteve, janë pasqyruar gjerësisht në disa numra të gazetës "Përlindja e Shqipnis", e muajve nëntor-dhjetor 1913, cila botohej në Vlorë nga patrioti Dhimitër Berati. Disa prej atyre shkrimeve të botuara asokohe nga ajo gazetë, po i publikojmë më poshtë në këto faqe të rubrikës sonë historike, duke pretenduar për të sjellë sadopak një panoramë të ngjarjeve të atyre viteve, të cilat në një farë mënyre ngjajnë me gjendjen ku ndodhet sot Kosova dhe viset e tjera shqiptare, të cilat u ndanë padrejtësisht nga trungu mëmë prej politikës së padrejtë të Fuqive të Mëdha evropiane të atyre viteve.
Marre nga : Gazeta Shqip