Dyrrahu sishte pushtuar nga romaket ishte i lire

'Dyrrahu s'ishte pushtuar nga romaket, ishte i lire'

Arkeologu Gjergj Frashëri, në një botim mbi rezultatet e gërmimit në “Lulishten 1 Maji” në Durrës, ku sot është ndërtuar një pallat, ndonëse flitet se do të ndërtohet nën të një muze modern. Në librin prej 600 faqesh, “Dyrrahu ilir”, për herë të parë arkeologu artikulon nga burime antike se Dyrrahu nuk ishte pushtuar nga Roma, ishte i lirë, i pavarur

Dyrrahu ka qenë qytet i ilirë. Romakët e quanin qytet të lirë. Për këtë arsye qyteti antik, bregdetar shqiptar një nga portet më të mëdha të Adriatikut lindor gjatë periudhës antike, nuk ka qenë i pushtuar ndonjëherë nga romakët, siç është thënë deri tani. Arkeologu Gjergj Frashëri dje ka dhënë këtë përfundim historik, duke publikuar librin prej 600 faqesh me gërmimet e shpëtimit arkeologjik në “Lulishten 1 Maji” të Durrësit, aty ku ishte vendosur një nga lagjet e para antike të qytetit, duke thënë se nga hulumtimet e gjithë periudhave nga gjurmë antike burimore, origjinale nuk ka hasur ndonjëherë që Dyrrahu të jetë pushtuar, por vetëm se administrata dhe gjuha u vendos romake.

Epidamn-Dyrrahu prej periudhës antike të vonë e asaj mesjetare, vazhdoi në të njëjtin territor ekzistencën e tij si një qendër ekonomike e rëndësishme deri në ditët tona. Një qytet me një jetë aktive prej 28 shekujsh, në Dyrrahun e njohur në botën antike si “taberna e Adriatikut” nevoja e ndërtimeve bashkëkohore kushtëzoi ndërmarrjen e gërmimeve arkeologjike disa vjeçarë nga prof. dr. Gjergj Frashëri në vendin e quajtur “Lulishtja 1 maji”, të cilat nxorën në dritë mbetjet e lagjes së zejtarëve e tregtarëve, rezultate të cilat janë në qendër të këtij studimi.

Rreth dy dekada si specialist i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë, i angazhuar sistematikisht në fushën e historisë së artit të ndërtimit, të fortifikimeve dhe të ndërtesave religjioze, të krishtera dhe islamike. Prof. Frashëri ka qenë shkencëtar i ftuar i fondacionit “Alexander von Humboldt” në Universitetin e Mynihut dhe të Bonit në Gjermani, por duke kaluar për dy dekada edhe përvojë në krye të institucionit të tij privat me qendër në Berlin, Keln dhe Aachen, si drejtues i disa gërmimeve të mëdha arkeologjike në Gjermani, rezultatet e të cilave janë botuar në organe shkencore si dhe në pesë botime monografike.

Me rezultatet e gërmimit të shpëtimit arkeologjik në “Lulishten 1 Maj” për herë të parë shihet urbanistika e qytetit antik Dyrrah. Shtëpitë janë vendosur njëra pas tjetrës, secila me ambientet e banimit kryesisht në katin e sipërm, me mjediset e punës në pjesën e pasme të katit përdhe, dhe me dyqan apo magazinën përpara rrugës për shitjen e prodhimeve. Rrugët e shtruara me gurë dhe anësuar me portikë, trotuare nën portikët, kanale shkarkimi ujërash në të dyja anët e rrugës dhe me tubacione të ujit të pijshëm, përbëjnë dukuri urbane të sistemit iliro-helen, të konsoliduar nga administrata romake dhe të përdorur më tej në kohën bizantine, me një zgjidhje me karakter origjinal tipike për Dyrrahun. Ky konsiderohet një zbulim i rrallë si edhe në Romën e madhe, Pompein, Erkulanean, apo qytete të tjera të famshme të botës romake. Deri tani ky konsiderohet i vetmi gërmim shpëtimi sipas standardeve evropiane të kryera në Shqipëri, bërë në vitin 2010 në qytetin bregdetar të Durrësit, Dyrrahut antik. Deri në 2010-ën, aty ndodhej një sipërfaqe e gjelbëruar me emrin “Lulishte 1 Maji”. Ky projekt arkeologjik intensive u krye prej majit 2010, deri në tetor pot ë këtij viti, nga shoqëria arkeologjike “AKe R”, sh.p.k nën drejtimin e arkeologut dhe restauratorit Gjergj Frashëri, i cili në intervistën për Mapon flet dhe për betonin e hedhur në këtë lagje antike dhe pallatin e ndërtuar mbi të, tani me dëshmi të vetme, librin “Dyrrahu ilir”.

Thatë se është një punë e mundimshme, me shumë përpjekje, dalja e botimit “Dyrrahu Ilir”, sa vite ju ka marrë ky botim?

Ne arkeologët e kemi kështu: Të gjitha shënimet dhe materialet e nevojshme të grumbulluara i mbajmë në tavolinë, me vite të tëra. Zbulimi i “Lulishtes 1 maj” në vitin 2010 ishte sinjali që duhej shkruar pasi u pa një material i bollshëm. Mbi bazën e këtyre rezultateve ishte e nevojshme të shkruhej. Ishte koha për të thënë për t’u dëshmuar dhe për ta ballafaquar me botën jashtë se kush është Durrësi.

Pse në tri gjuhë?

Ai është shkruar në tre gjuhë pasi është bërë për t’ju afruar mjedisit shkencor ndërkombëtar të arkeologjisë, në përgjithësi dhe asaj evropiane në veçanti. Gjermanisht është gjuha kryesore që është shkruar pothuaj materiali pasi Durrësi në këto vite ka qenë në qendër të vëmendjes kryesisht nga albanologët dhe arkeologët gjermanë dhe austriakë. Këtë plejadë kam dashur të ndjek në libër. Analizën e punës së arkeologëve të huaj gjithë punës së tyre mbi historinë dhe arkeologjinë e Durrësit, e kemi çuar një hap më përpara me gërmimet arkeologjike më 2010, në “Lulishten 1 Maj”. Libri “Dyrrahu ilir”, nuk është rastësisht, titulli vjen nga rrjedha logjike që na sollën rezultatet e gërmimit.

Kemi të bëjmë me strukturë urbane, deri ku shkojnë kufijtë e shtrirjes së qytetit, në ç’nivel?

Ne kemi të bëjmë me një sipërfaqe që mund të ndiqej që kur ka filluar aktiviteti njerëzor, në pjesën e qytetit të Durrësit, jo në kodër, e deri sot.

Cilat periudha përfshihen?

Bëhet fjalë që nga shekulli i VII p.e.r kur aty ka qenë laguna, këneta dhe deri vonë, rreth 200 vjet më vonë ku vendosen mjediset e punës së qytetarëve dhe u bë sheshi i qytetit.

Ndërtimet në këtë sipërfaqe fillojnë qysh në fund të shekullit të V para Krishtit dhe shtrihen në gjithë shekullin e IV p.e.r.  Për këtë dëshmojnë shtëpiza dhe punishte të vogla të cilat më vonë përgjatë shekullit të III para Krishtit ku u zëvendësuan me shtëpi të mëdha me standard të lartë jetese dhe një urbanistë qytetare të avancuar për kohën.

Përveç kësaj, gërmime nxori në dritë rrugë e kanale dhe mbetje shtëpish nga një lagje banimi dhe veprimtarie zejtare e cila në shekullin e II para Krishtit dhe deri në mes të  shekullit të IV pas Krishtit ka qenë pa ndërprerje në përdorim. Mbi këtë lagje, sidomos të kohës romake, të braktisur në mesin e shekullit të IV pas Krishtit u gjetën mbetje ndërtimesh të mëdha të shekullit të V dhe shekullit të VI të kohës bizantine që i takonin ndërtimeve publike të krishtera. Në shek. VI pas Krishtit kjo hapësirë urbane pushoi së qeni si shesh ndërtimi dhe më pas deri në prag të mesjetës së largët të shek. XI u përdor si vend për varrime. Duhet vënë në dukje se sipërfaqja e gërmimit në “Lulishten 1 maj” me ndërtime intensive të pandërprera qysh në antikitetin nuk ka qenë në arealin qendror të qytetit por një lagje e banuar nga shtresa e mesme e cila dominohej nga tregtarët dhe artizanët të vendosur jashtë qytetit antik por në buzë të saj.

Është një fakt historik, që ju e sillni për herë të parë në këtë studim: a ka qenë Dyrrahu i pushtuar nga romakët?

Dyrrahu ka qenë qytet i lirë. Romakët e quanin qytet të lirë. Romakët kur pushtonin e kthenin në koloni, ata donin t’i qytetëronin vendet me dhunë. Kur romakët erdhën në Durrës ata gjetën një qytet shumë të zhvilluar. Për këtë arsye e lanë qytet të lirë. Ata nuk arritën ta bënin koloni, por vetëm se administrata dhe gjuha u vendos romake.

Pra, ishte një kompromis?

Po, jam i mendimit se ishte kompromis. Roma duke përfshirë edhe Durrësin bëri kompromis me katër qytete që kur erdhën në shekullin e III të p.e.s, e deri në përfundimin e kohës së republikanëve,  ajo ka qenë qytet i lirë. Roma donte ta kishte vetëm nën varësinë e saj, si administratë romake. Pra jo ta sundonte, jo ta trajtonte si koloni, si qytet i varur ku mund të bënte çfarë të donte Roma. Durrësi kishte një pavarësi qytetare, shtetërore.

Ku jeni mbështetur për këtë të dhënë kaq të rëndësishme historikë?

Ne kemi hulumtuar të gjitha burimet antike, origjinale, jo siç janë trajtuar nga shumë autorë duke i kaluar të dhënat nga njëri tek tjetrit. Duke shfrytëzuar të gjitha burimet origjinale antike kemi arritur t’i parashtrojmë në libër, duke ndjekur në të gjithë shekujt e kohës romake, helene, bizantine fatin e këtij qyteti në dokumente, dhe nuk na del ndonjëherë se ka qenë i pushtuar.

Është një reaksion që vjen natyrshëm çfarë ka ndodhur në këtë zonë. Në rregull, vlerësimi i punës së librit është i padiskutueshëm, pasi tashmë ky botim bën të vetmen dëshmi që kemi nga lagjja antike e Durrësit, ndërsa mbi të është hedhur beton….

Prisni një sekondë, ajo nuk është e gjitha e betonizuar, aty është lënë bërthama e gërmimit dhe rrugët janë nën pallat. Aty do të bëhet një muze me pjesë të ruajtura origjinale dhe të gjitha çfarë janë gjetur do vendosen rreth e rrotull. Ndoshta do të jetë muzeu më i bukur. Por me dëshminë origjinale të kryqëzimit të rrugëve.

Por është një pallat i ndërtuar aty?

Pallati i ndërtuar ka marrë miratimin nga qeveria dhe shteti. Ne jemi privat.

Kjo tregon rolin e pakët, pafuqishmërinë e Akademisë së Shkencave?

Akademia s’ka asnjë punë me ligjin. Akademia është institucion shkencor. Ligjet i kanë ministritë, qeveria dhe shteti. Ata i marrin vendimet. As Akademia, ekspertë private, si puna jonë, as universiteti nuk merr vendime për ruajtje. Ruajtjet i ka shteti qeveria dhe ministria.

Kështu i bie të dorëzohen Akademia, Universiteti dhe arkeologët sa herë qeveria miraton, si në këtë rast një krim kulturor?

Asnjëri nuk dorëzohet, por përpara qeverisë duhet të zbatosh vendimin e saj. Nuk mund të protestosh derisa vendoset.

Ky është kompromis?

Edhe pronarët bëjnë kompromis.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama