Ndiej energji pozitive ne artin shqiptar

'Ndiej energji pozitive ne artin shqiptar'

Dëshira e tij është që të përfshihet në projekte që ofrojnë hapësira të pasura, por edhe tematika të veçanta sociale, në të cilat çdo qytetar global mund të bëhet pjesë e tyre. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ai rrëfen rrugëtimin e tij artistik dhe dëshirën për t’u marrë me pikturë, instalacione, fotografi etj. Bëhet fjalë për Helidon Gjergjin, artisti pamor që prej katër muajsh është bërë pjesë e ngjarjeve kulturore artistike të Tiranës. Së fundmi, ishte drejtor artistik i “Tirana Open 1”, Festivali i Arteve Pamore. Gjatë bisedës me të, ai na tregon jo vetëm çastet më të veçanta të jetës së tij artistike, por edhe mendimin e tij për zhvillimin e artit në Shqipëri. E konsideron në rrugë të mbarë çdo hapësirë arti që krijohet dhe që ka për qëllim promovimin e artistëve, vendas apo dhe të huaj.

Helidon, si e mbani mend “takimin e parë” me pikturën...

Familja ime ka pasur lidhje me artin, gjyshi nga ana e mamasë ishte dramaturg, ka qenë dhe drejtor i TK-së, gjyshja ka qenë poete, shkrimtare, publiciste, një nga feministet e para. Im atë ka qenë muzikant, i ka rënë trombës në Shkodër, në Tiranë, nëse shkoj dhe pak më larg, xhaxhai i babait ka qenë muzikant i njohur në Shkodër etj. Ndonëse ata nuk janë marrë me artin pamor, lidhja ime me artin është e trashëguar. Unë klasën e parë e nisa për violinë, por kur e pashë se nuk më tërhiqte, nisa të shkoj si nxënës i jashtëm, me klasën e profesor Danish Jukniut. Gjimnazin e kam bërë të përgjithshëm, por profesorin e ndiqja si i jashtëm. Ai për ne ka qenë një pasuri e madhe, jo vetëm nga ana estetike, por edhe ajo kulturore.

A ju kujtohet puna e parë në vizatim apo pikturë?

Unë nuk do ta quaja pikturën e parë, sepse të gjithë fëmijët pikturojnë, vizatojnë dhe gradualisht nisin që të bëjnë diçka më profesionale, më estetike. Ndonëse kam nisur në moshë të vogël, kur një punë vjen në mënyrë organike, nuk mund që të përcaktosh se cila është e para dhe cila është e mesmja. Por kam një barkë, që e kam bërë në moshën 7-8 vjeç dhe e kam të ruajtur diku.

Më vonë nisni Institutin e Arteve... Çfarë mbani mend nga ajo periudhë?

Ka qenë ende koha e socializmit, viti 1988. Vitet e para kanë qenë një sfilitëm akademik, për të mësuar modelet dhe formulat klasike, për të cilat nuk isha as i prirur dhe as i interesuar, por që duheshin mësuar, ndërsa në vitin e tretë ra Muri i Berlinit. Pedagogët nuk është se kanë ndryshuar shumë. Kujtoj Ilir Pojanin, Vlash Priftin te dega e Grafikës, bashkë me Pandi Melen, Najada Hamzanë etj. Në vitin 1991 kaloi mësimi si në sfond, sepse ne ishim më tepër të interesuar për grevën politike dhe hymë atje.

Keni qenë pjesë e grevës?

Ka qenë një moment i paharrueshëm në historinë tonë. Nuk ndodh dy herë që të kontribuosh në ndërrimin e një sistemi. Kanë qenë ditë të paharrueshme, për më tepër kur hyn si ushtar dhe nuk ke protagonizëm politik, por thjesht për të mbështetur shumicën. Mua më kujtohen disa të tjerë që kanë qenë te greva, si për shembull pedagogu Sadik Spahija. Ekzistonte frika se mund të na sulmonin me tanke, por ne kemi qenë të vendosur, si të rinjtë që nuk mendojnë gjatë për këtë.

Ndryshe nga shumë artistë të tjerë, ju u larguat jashtë vendit për studime?

Ka qenë e ngatërruar, sepse mbarova vitin e tretë në Institut dhe më doli mundësia që të vazhdoj në Itali. Më ka ndihmuar Don Simon Jubani i famshëm, për të marrë një vizë si student, ndërsa në Itali më ka mbështetur piktori i njohur Lind Delia. Nisa nga e para akademinë në Akuila (Aquila), sepse nuk e njihnin shkollën tonë të artit.

Ne ishim katër shqiptarë, që dolëm mbi të tjerët, sepse ishim shumë të përgatitur nga shkolla, por kishin shumë etje për të studiuar, mësuar dhe absorbuar. Unë bëra dy vite dhe më pas më erdhën dy miq nga Shqipëria, të cilët më thanë se po të kthehesha në Shqipëri në vitin e fundit e eliminoja rrezikun e marrjes për ushtar.

Kishte ndryshuar sistemi, nga zborë, ishte kthyer me detyrim për të gjithë. U mendova dhe thashë pse të mos kthehem, për të mbyllur vitin e fundit. Në vitin 1994 pata bërë diplomën që doli shumë mirë, por gjatë procesit pati shumë probleme, sepse kur del jashtë, ndodhin shumë ndryshime, aq sa nis dhe e shikon botën ndryshe. Ndërsa kur kthehesh këtu, je shumë i ri dhe kërkon që të sjellësh energjinë që ke marrë andej. Ndërkohë që gjërat këtu kishin lëvizur në mënyrë graduale, jo aq shpejt, prandaj krijohen tensione dhe mendime të ndryshme, por që në fund të fundit unë kisha pedagog Vladimir Myrtezain, që më mbështeti jashtëzakonisht shumë, Edi Ramën gjithashtu dhe Edi Hilën.

Ishte interesante, sepse sapo ishin krijuar debatet e para mbi artin dhe unë kisha zgjedhur një situatë paksa abstrakte, që ishte një ndjesi, një gjendje ku unë luaja me drita, instalacion që e pata bërë jo në Akademinë e Arteve, por në një galeri që kishte shumë pak kohë hapur. Instalacioni ishte diçka e re, për të cilën shkruan dhe gazetat, por unë u ktheva sërish për të vazhduar dy vitet e fundit në Itali.

Kësaj here shkova në Napoli, i cili ka qenë qyteti i parë që kam ndenjur një muaj kur kam shkuar në Itali, më kishte lënë mbresa shumë të madha. Akuila ishte interesant, por i vogël, nuk e ofronte atë zhurmën që doja unë, prandaj e gjeta në Napoli me shumicë. Atje kam kaluar shumë mirë dhe me pedagogët pata marrëdhënie shumë të mira, kam qenë përherë te maksimalja në nota.

Historia ime si shqiptar shfaqet në mënyrë të natyrshme 

Sapo mbaruat shkollën, Francesco Bonami ju përzgjodhi në Bienalen e Parë të Tiranës…

Ishte ai që më përzgjodhi në mënyrë profesionale në bienalen e parë, në ekspozita etj. Unë nisa që të jap mësim në disa vende, në shkollën e artit në Çikago, në Northwestern etj. Në vitin 2004 për 2 vjet qëndrova në San Francisko, aty ku na lindi dhe vajza, të cilën e quajtëm Sisili. Në vitin 2004 shkuam në Nju-Jork dhe qysh nga ajo kohë jetojmë atje. Kemi bërë dhe shkëputje për rezidenca, një vit në Çikago, 1 në Romë, por që gjithsesi baza ka qenë Nju-Jorku.

Fillimisht Bienalja e Parë e Tiranës, ekspozita juaj personale “E-mages” në GKA dhe së fundmi te “paMUR”. A mund të na bëni një përshkrim të situatës si e latë në fillim, por dhe si e gjetët hapësirën artistike në Tiranë?

Bienalja e Tiranës natyrisht që ka qenë një bienale historike, sepse u bë menjëherë një nga bienalet më të rëndësishme në hartën e bienaleve ndërkombëtare dhe ka mundësi që të rifillojë sërish. Por ky që bëmë kësaj here është një Festival Arti, një ndërthurje e disa arteve dhe formave të krijimit, në një format më të hapur me qytetin. Megjithëse dhe Bienalja e Tiranës ka pasur përmasa të mëdha ndaj hapjes së fasadave, është bukur kur shtohen elemente të tjera në kulturën kombëtare nga ato ndërkombëtare.

Krijohen hapësira për artistë ndërkombëtarë, kjo energji është ndier nga të gjithë të ftuarit që kanë ardhur dhe fjala ka filluar të përhapet. Në Tiranë ka një energji kulturore interesante, ndonëse skena ka shumë probleme për arsye buxhetesh etj., etj., por ne nuk duhet të dorëzohemi nga kjo. Ndërsa ekspozitën personale “Emages” në GKA (2014) e kam bërë me kënaqësi të madhe, sepse pas kaq shumë vitesh, që unë kisha ekspozuar në gjithë vendet, kthehesha në Shqipëri me një prezantim, që me të vërtetë u mirëprit.

Piktura e ka krijuar tregun në Shqipëri, ndërsa instalacionet ende nuk kanë nisur që të jenë pjesë e së përditshmes sonë... Sa fitojnë artistët nga instalacionet?

Shqipëria është një vend i vogël, ku nuk mundet që ne të mbështesim situata të tilla kaq kollaj. Por ky është një problem gjithandej për instalacionin, dhe pse unë nuk bëj vetëm instalacion. Instalacioni është në format që kërkon impenjim hapësire, por dhe impenjim monetar. Është shumë e vështirë që ta marketosh një instalacion, normalisht që unë kam marrë pjesë në ekspozita, bienale etj., ku instalacionet trajtohen si evente kulturore dhe nuk kanë lidhje shumë me tregun, por nëse artisti arrin që të jetë në një nivel shumë të lartë, pastaj dhe ajo marketohet. Bëhet fjalë për hapësira dhe muzeume shumë të mëdha dhe kështu dhe instalacioni krijon “fëmijët e vet”, që mund të jenë foto dhe vizatime që dalin prej tij.

Temat që trajtoni janë shumë universale, por sa ju ngacmon elementi shqiptar?

Duke qenë vetë shqiptar, është historia ime që më ngacmon. Kjo shfaqet në mënyrë të natyrshme, ashtu sikurse shfaqen dhe elemente nga periudha që kam jetuar në Napoli, në Nju-Jork etj. Është një komponent që bëhet pjesë e trupit tënd, e të menduarit dhe e të reflektuarit ndaj asaj që të rrethon, edhe kur i ke bërë të gjitha të tuat, të dalin të gjitha jashtë në mënyrë natyrale. Nuk kam bërë shumë punë që janë të lidhura me Shqipërinë, sepse nuk përpiqem që ta gjej vetveten nëpërmjet kanaleve të historisë shqiptare, pavarësisht se më duket shumë e trishtë.

Prej disa muajsh jetoni në Shqipëri… Jeta artistike në Tiranë?

Këtu kam që në fund të dhjetorit, por kam ikur dhe kam ardhur nja tri apo katër herë. Ne kemi artistë shumë të mirë, të cilët jetojnë ose jo këtu, unë tek ata shikoj energji pozitive. Është TICA, Art Lab, Tulla Center, Galeria Zeta, por dhe GKA është bërë shumë aktive dhe selektive, sepse nuk mund të fusë këdo për të hapur një ekspozitë, ndiej ndryshim dhe tek ekzistenca e “Tirana Open 1”, edhe pse nga ana financiare u mbështet pak. Mbështetja që i është bërë Bienales së Venecias tregon se ka art dhe, për situatën shqiptare, kjo gjë duhet lavdëruar.

Çfarë mund të na thoni për artin që zhvillohet jashtë Tirane?

Kam shëtitur në disa vende, që nuk kisha qenë ndonjëherë, si: në Korçë, Ohër, Prespë, Strugë, Prizren etj. Jemi me të vërtetë një vend i bekuar, sepse në një territor kaq të vogël ndodhin kaq shumë gjëra, ka zbulime arkeologjike dhe jo vetëm. Prandaj nëse i shikon si një hapësirë pa kufi, sheh se ka mbivendosje kulturash dhe është një gjë shumë interesante. Unë shikoj shenja pozitive, sepse është bërë Muzeu “Marubi” në Shkodër, në Durrës u hap Muzeu Arkeologjik, shpresojmë se do të ketë ndërhyrje dhe tek Amfiteatri dhe kjo është shumë pozitive.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama