JE SUIS... SULEJMAN

JE SUIS... SULEJMAN

Është bërë e udhës që, sa herë ngjet gjë, të dalim e të thërresim në FB “je suis…” sipas radhës ç’të jetë. Zakonisht kjo bëhet për të mbështetur (mbështetje i thënçin) një kauzë a një të drejtë të ndonjë të dobëti që i vetëm s’ka ç’bën. Sulltan Sulejmani I, i mbiqojtur “i Madhërishmi” s’ka qenë ndonjë i dobët, por meqë ka vdekur është më i dobëti nga të gjithë. Dhe të vdekurit janë bela e të gjallëve. Të egjrit nga të qytetëruarit ndahen me një pikë, si e trajtojnë trashëgiminë e të vdekurve që s’mbrohen dot më vetë. E shkelin me këmbë dhe i bien me çekiç, apo e mbrojnë dhe e vlerësojnë. Ndaj për të mbrojtur qytetërimin tim, kësaj radhe “je suis Sulejman”.

Pasi vajtën në Lezhë të gjithë, duke filluar që prej Sulejmanit që vuri pllakën para 500 vjetësh, e deri te bojaxhinjtë që ia bojatisën para një jave, vendosëm të shkojmë edhe ne, Tan Lame me Tan Shkrelin. Rilexuam ndër libra (jo ndër gazeta) gjithë ç’ishte shkruar për këtë punë, ç’prej Piri Reizit e Teodor Ipenit e deri tek Aleksandër Meksi e Gjerak Karaiskaj. Muarrmë me vete edhe gjithë fotografitë e vjetra që kishin të bënin me kalanë dhe u nismë.

Ca muaj të shkuara, Auron Tare zbuloi në bodrumet e Lezhës një pllakë kushtimore që, me pasionin e studiuesit, e publikoi i entuziazmuar (foto 1). Natyrisht që s’e vrau mendjen kush dhe do kish bërë mirë që të mos e kish zbuluar fare se kështu edhe patriotët e stadiumeve do kishin qenë të qetë edhe pllakës 500-vjeçare s’do t’i kërcënohej rreziku i zhdukjes, siç po i vjen vërdallë tani.
Nejse, ajo pllakë me gjithë hulumtimet e Auronit mbart ende plot enigma dhe çështje që kanë nevojë për studime. Në një vend normal institucionet shkencore do ishin marrë me qejf me këtë punë, ndërsa këtu si fillim duhet t’i krijojmë ato e pastaj t’i vëmë të bëjnë ndonjë punë. Kështu që nuk po merrem me epigrafinë, stilistikën, historikun, paleografinë, transkriptimin e transliterimin e saj, por po shkoj më tej, drejt e te dita e sherrit.

Pllaka që vuri instituti para një jave dhe që u bojatis dy ditë më pas, është vendosur përsipër portës së brendshme të hyrjes lindore të Kalasë. Zakonisht të tilla pllaka kushtimore vendoseshin përsipër portës së jashtme, se atje ishin të lexueshme. Ndërsa porta e brendshme, duke qenë se ishte brenda një ambienti të mbyllur pa dritare (vetëm me frëngji lufte), do ta bënte praktikisht të palexueshme. Pra si fillim, edhe në ka qenë në hyrjen lindore të Kalasë, zor të ketë qenë mbi portën e brendshme, por mbi portën e jashtme. Kështu që më ngjan t’ia kenë futur kot kur e kanë vënë aty ku e vunë.
Fotografia më e vjetër që njoh unë e një prej hyrjeve të Kalasë së Lezhës, është e vitit 1910 (foto 2). Në të, përmbi harkun e portës, ca me vështirësi shihet një shenjë që mund të interpretohet si gjurmë e një pllake kushtimore. Por restaurimet e një pasnjëshme kanë zhdukur çdo shenjë të saj. Na ka mbetur vetëm fotografia e vjetër, në të cilën shihet që ka një pllakë përsipër, ndërsa pllakën tani vanë e vunë mbi portën tjetër.
Kalaja ka pasur edhe dy porta të tjera në krahun verior, një pak nga VP dhe një tjetër nga VL. Për këtë të VP, kam edhe dy fotografi bajagi të mira të mesit të viteve ’20 (foto 3). Mbi portë ka një kamare fort të ruajtur, ku duhet të ketë pasur edhe një pllakë kushtimi, dhe që nga fotografitë e vjetra shihet se ka qenë e hequr që në vitet ’20. Mirëpo bën vaki që ajo pllaka që po flasim të ketë qenë edhe mbi këtë portë. Pavarësisht se porta lindore është porta kryesore e kalasë, porta VP ishte më e lehta për t’u arritur nga njerëzia më këmbë apo me kalë (foto 4).
Për më tepër, njëra nga fotografitë e mia që unë e kam në origjinal, ka të shkrojtur prapa “Tyrbja e Kalasë”. Pra, bën vaki që aty të ketë pasur një faltore myslimane, xhami a tyrbe, a xhami të kthyer në tyrbe më pas, a dreqi e di. Ndoshta ka qenë përdorur vetë ambienti i brendshëm i portës si faltore, ndoshta ka pasur faltore mbi ambientin e portës (teknikë e përhapur gjerësisht kjo në arkitekturën ushtarake osmane). Ka një mori “ndoshtash”, që askush nuk e vrau mendjen t’i thellonte.

Shkurt muhabeti, përpara se t’i hyj kësaj pune, donte bërë një studim shterues rreth vetë objektit, pra pllakës kushtimore të Sulejmanit, që bën vaki as të mos jetë e Sulejmanit, por e të atit, Selimit.
Pastaj donte bërë një studim tjetër, po aq shterues, se ku duhet të ketë qenë vendosur në origjinë ajo pllakë, në portën lindore apo në atë veriperëndimore, në portën e jashtme apo në atë të brendshme, apo kund tjetër.

Pastaj donte hapur diskutimi nëse duhej rivendosur apo jo në vendin e saj apo donte vënë me po aq kujdes në ndonjë muze, apo donte bërë një muze në kala e të ishte pjesë e tij, a kushedi se ç’ide të tjera mund të hidheshin.

Qëllimi i ministres Kumbaro për rivendosjen e një copëze historie në vendin e vet, ishte fisnik. Por ajo harroi dy parakushte që duheshin marrë në sy, para se t’i hynte kësaj pune.
E parë e punës, vullnetit politik ministror për të rivendosur në vendin e origjinës pllakën kushtimore, duhej t’i ish përgjigjur një vullnet teknicienësh për të përcaktuar se ku kish qenë vendi i origjinës. Mirëpo, Instituti i Monumenteve për çdo punë mund të vlejë, përveçse për punë shkence.

E dytë e punës, në Shqipëri ka me dhjetëra kala osmane, apo të rindërtuara, apo të meremetuara nga osmanët. Secila prej tyre ka pasur pllaka kushtimore për këto rindërtime. E pra sot nuk ka mbijetuar absolutisht asnjëra prej tyre. Të fundmet u shkulën e u zhdukën në mes të viteve ’90. Atëherë si mendonte zonja ministre se pas këtij bilanci të trishtë, papritur lezhjanët do vepronin ndryshe?

Po bëhet një javë që të gjithë patriotët e stadiumeve i janë lëshuar pllakës së Sulejmanit, duke harruar që gjithë gratë e tyre çdo pasdite kselhasen e qajnë duke parë telenovelat me Sulejman.
I janë lëshuar me gjithë patosin e shpirtit, sikur të jenë të bindur që ditën që do hiqet ajo pllakë, Lezha do lulëzojë e do ndritojë si asnjëherë.

Sikur ditën që pllakën do ta bëjmë copë e thërrime, do zhduken vetiu ndërtimet pa leje, do ringrihen muret e rrënuara të kalasë, nuk do vidhen më shtyllat e elektrikut që ndriçonin kalanë, do pastrohet Drini nga pisllëku e qelbësirllëku, do çlirohet vendvarrimi i Gjergjit nga ndërtimet që po i zënë frymën, do restaurohen muret ilire që vazhdojnë të copëtohen për gurë, do hiqen antenat e telefonave që kanë shpartalluar Akrolisin antik, e ç’t’u them tjetër.

Jo mor jo, të gjitha këto do mbeten po aq barbarisht të shëmtuara si sot. Thjesht ditën që do thyejmë pllakën (dhe ju garantoj që do ta thyejnë) do kemi një dëshmi më pak të faktit që në këtë vend kanë banuar njerëz asokohe, e jo vetëm çakej pylli e arinj mali. Dhe në fakt, veçanërisht muajt e fundit, asaj ane na kanë ardhur plot raste dijetarësh që po i bëjnë nder edhe Tiranës.

Qejfi do ma kish dashur që këto rreshta e të tjera diskutime si këto, t’i shkruajnë ndonjë revistë shkencore, por në Shqipërinë tonë plot kulturë, ka revista për thashethemet, për Big Brother-in, për të ndarët e të bashkuarit, për cicat e mëdha e për shkuma-partin, por s’ka mbetur as edhe një, po njëckë e vetme, revistë shkencore e ndonjë fushe të dijes.

Dhe në fakt, e ç’duhen dijet në detin e madh të shqiptarëve që i dinë të gjitha?

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama