Angjelin Prelocaj rikthehet serisht ne Tirane

Angjelin Prelocaj rikthehet serisht ne Tirane

Përpjekjet që Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit të jetë në parametrat e duhur evropianë vazhdojnë dita-ditës. Këtë e konfirmoi dje, edhe një herë, drejtori i këtij institucioni, Ilir Kerni. Rikthimet e koreografëve, Astrit Zejnati, si drejtues i baletit në TKOB dhe bashkëpunimi i Angjelin Prelocaj me baletin “Noces”, sipas Kernit janë tregues për punën që po bëhet. Një tjetër hap pozitiv është edhe rikonstruksioni i TKOB-së, që po bëhet për herë të parë pas 60 vjetësh.

Astrit Zejnati lë karrierën 20-vjeçare në SHBA për Tiranën

“Kemi fatin që në një periudhë të shkurtër të rikthemi në një teatër, që do të jetë krejt modern dhe me parametrat e duhur. Është e rëndësishme që në ekipin tonë kemi dhe drejtorin e ri, Astrit Zejnati, me një karrierë 20-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shpresojmë që sektori i baletit të jetë një nga më të veçantët, sepse do të kemi jo vetëm vepra të mëdha, por dhe cilësi artistike”, u shpreh Kerni.

Sipas tij, Astrit Zejnati, i cili është një koreograf, që nuk të falë as sekondën, as milimetrin në gjithçka disiplinore, është bindëse për mbarëvajtjen e punës. “Nëse e ruajmë këtë pasion në teatër do të kemi një gjë që është krejtësisht ndryshe nga gjithçka në Shqipëri. Për këtë jam i bindur”, tha ai.

Kerni nuk heziton të tregojë edhe për premierat e këtij sezoni siç janë “Don Giovani” dhe “Carmen Burana”, të vëna deri më tani në skenat perëndimore. Në këto shfaqje do të angazhohen të gjithë sektorët e teatrit si: kori, orkestra, baleti dhe solistët. Ndërsa vetë Zejnati u shpreh se: “Trupa e baletit ka qenë me pushimet e verës. Tani kemi nisur intensivisht punën për të ardhur në formë. Baleti i ri ‘Carmina Burana’ është tepër i vështirë përsa i përket anës fizike dhe artistike. Prandaj ne po mundohemi që të vijmë në formë sa më shpjet për ta realizuar. Ndërsa përsa u përket ndryshimeve në staf, ato janë të paevitueshme. Gjithmonë diçka duhet të rinovohet, që të ecë para, por kjo në kohën e duhur”.

Angjelin Prelocaj vjen me vepër tërësisht shqiptare

“Është tepër e rëndësishme që ne vazhdojmë të bashkëpunojmë me Angjelin Prelocaj. Në nëntor ai vjen në Tiranë për baletin ‘Noces’. Në këtë mënyrë ne vulosim në teatrin tonë një tjetër bashkëpunim me një artist shumë të madh. Kjo është një pasaportë që e renditë teatrin tonë, ndër më seriozët në rajon dhe më tej”. Duke kujtuar edhe buxhetin e dhënë për këtë institucion, Kerni shprehet se në dy vjet situata artistike në TKOB ka qenë në zhvillim.

Prelocaj e përshkruan baletin “Noces” si një nga krijimet e tij, që është frymëzuar drejtpërdrejt nga trashëgimia e shqiptarëve. Ai është shprehur për të se: “Baleti ‘Dasma’ që u realizua nga eksperienca ime nga ajo që unë kisha parë në dasmat që organizoheshin në familjen time, sidomos në Mal të Zi ku kam dhe anëtarë të familjes sime. Kjo është një vepër tërësisht shqiptare, por shqiptarizmi im mund të ndihet jo vetëm aty, por dhe në vepra të tjera të miat. Unë jam thellësisht i lidhur me vendin e origjinës çdo pjesë e imja e vënë në skenë në mënyrë direkte ose kjo reflekton brendinë time dhe origjinën time. Gjithë ajo që kam unë nga Shqipëria, letërsia, leximet edhe kur tema nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë apo përkatësinë time etnik, është e qartë, dhe sensi im kombëtar ndihet kudo”.

Për herë të parë rikonstruktohet TKOB

Rikonstruksioni i TKOB-së nis në janar të vitit 2016 dhe do të zgjasë 11-12 muaj. Sipas Kernit, ende nuk është parë projekti, por ai ka kërkuar që ballkonet dhe lozhat të shkojnë rreth, të kenë një rivendosje të domosdoshme, që teknikisht është e realizueshme. Përveçse këtyre teknologjia do të jetë bashkëkohore. “Teatri fillon një sezon, që për mendimin tim është sezoni më i veçantë në 60 vjet. Përveçse aktiviteteve artistike, për herë të parë pas 60-vjetësh do të bëhet rikonstruksioni total i teatrit”, thotë Kerni. Programi artistik zgjat deri në dhjetor. Është menduar edhe plani strategjik sesi do të funksionojë TKOB gjatë kësaj ndërhyrje.

“Duke qenë largpamës ne do t’i adoptojmë shfaqjet në grupe më të vogla, po flas për koncerte të ndryshme apo për mbrëmje koncertale, që mund të bëjmë. Ansambli është një nga sektorët që e ka këtë praktik. Ndoshta ata do të na sugjerojë dhe ne, sesi mund të lëviznim në periudhën e rikonstruksionit nëpër Shqipëri. Në Tiranë do të jepen shfaqje të ndryshme, por padiskutim edhe në rajon e më gjerë. Për festat e nëntorit trupa e baletit do të jetë në Gjermani. Është menduar që orkestra të shkojë diku, por ende nuk është vendosur”.

Voshtina: Teatri nuk është tavolinë pokeri

Abigeila Voshtina, drejtoresha Artistike e TKOB-së, u shpreh dje se teatri nuk është tavolinë pokeri, prandaj strategjia e teatrit ka qenë shumë e qartë që në fillim të këtij sezoni. “Po mundohemi që të fusim një strategji tjetër, që nuk është momentalisht, sepse arti për t’u bërë art do punë të vazhdueshme. Flas përsa i përket muzikës së dhomës, sepse koncerte për muzikën simfonike, për operën janë bërë”. Sipas Voshtinës, teatri nuk mbahet vetëm me premiera.

“Të gjithë teatrot mbahen vetëm me repertorin, sepse prandaj është i hapur gjashtë ditë në javë. Unë mendoj se ne e kemi demonstruar këtë me numrin e shfaqjeve që kemi prezantuar dhe me kualitetin e tyre, por flas për muzikën simfonike, që është në luftë për t’iu kthyer kokën njerëzve”. Ndërsa përpjekjet për të pasur emra të njohur shqiptarë dhe të huaj në skenën e TKOB-së janë të vazhdueshme, duke pasur parasysh buxhetin që është në dispozicion.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama