Lamtumire Met Beges artistit qe beri njerezit te buzeqeshin!

Lamtumire Met Beges, artistit qe beri njerezit te buzeqeshin!

Në dy orë, para se të përcillej për në banesën e fundit, mjeshtri i humorit Met Bega (1948-2015) u nderua në sallën e vogël të ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar. Familja, gruaja, vajza dhe të tjerë, që ai la pas, ishin aty përballë ark-mortit të tij. Ata që e deshën për artin e tij, miqtë dhe kolegët, nuk e lanë vetëm, por ishin aty deri në fund të sallës.

Gjatë gjithë homazheve, në këndin ku qëndronte një fletore për të shkruar mbresat e veçanta për këtë artist, u projektuan edhe filmime të pjesëve, që ai ka realizuar përgjatë gjithë punës së tij në skenë. Kolegët e tij, përveçse si mjeshtër të humorit, e kujtojnë edhe si një njeri të thjeshtë, që fitoi zemrat e artdashësve me artin që bëri.

Luftar Paja: Ditën që vdesin, njerëzve u thurim lavde të mëdha, ndërsa sa janë gjallë i kalojmë në mënyrë të rëndomtë

Aktori Luftar Paja gjatë vlerësimeve që bën për këtë artist, tregon edhe se shqiptarët gabojnë, duke i kujtuar njerëzit vetëm kur vdesin. “Ne jemi aktorë të humorit, kemi një jetë të tërë që i kemi dhënë këtij populli. Meti ishte një artist me plastik të shkëlqyer, që e donte humorin, prandaj e donte edhe spektatori, sidomos ai i Shqipërisë së Mesme ishte i dashuruar pas Met Begës”. Sipas tij, ne kemi shumë të mira si shqiptarë, por kemi edhe një të keqe të madhe: Ditën që vdesin, njerëzve u thurim lavde të mëdha, ndërsa sa janë gjallë i kalojmë në mënyrë të rëndomtë.

“Për këtë nuk më vjen mirë, sepse nuk kishte përse të harrohej Met Bega, por edhe të tjerë. Prandaj atë që e do populli stimuloje”. Paja shpjegon se me këtë do të tregojë se, përpjekjet që ka bërë prej kohësh Met Bega dhe familja e tij, për ta çuar në ndonjë klinikë të specializuar, kanë shkuar kot. “Megjithatë nuk është koha për të bërë vetëm kritika, sepse vepra e tij do të mbetet brez pas brezi. I paharruar qoftë kujtimi i tij!”, përfundon Paja.

Sulejman Dibra: Do ta mbaj mend atë, si një njeri me zemër të madhe

Ashtu i trishtë, dhe i zhytur thellë në mendime doli nga salla ku gjendej arkmorti i artistit Met Bega, edhe aktori Sulejman Dibra. Ai ka punuar me të për vite me radhë, aq shumë saqë, as ai vetë nuk i mbante mend. “E kam njohur qysh para 40 vjetësh, fillimisht në grupet amatore, e më pas në vitin 1979 kam pas ndenjur shumë me të, sidomos gjatë kohës që isha drejtor i Estradës. Met Bega ishte një njeri i dashur dhe i respektueshëm. Iku i ri...”, thotë Dibra. E teksa thotë se e ka patur mik të afërm, tregon edhe se para pak kohësh i ka qëndruar pranë, sepse e ndjente si detyrë që t’i qëndronte pranë, për atë që Met Bega përfaqësonte.

Ai e kujton atë në një dhomë, ku shihte edhe materialet që i kishte xhiruar vetë, apo edhe ato të shokëve të tij. “Kishte dëshirë të jashtëzakonshme që të luante përsëri”. Për këtë sipas Dibrës, ka patur edhe angazhime që të luante përsëri në skenë, qoftë edhe vetëm me pantonima. Por ashtu sikurse shkuan punët ato dy-tri pantonima që u shkruan për të, nuk u vunë asnjëherë në skenë, sepse sëmundja e tij u përkeqësua.

“Do ta mbaj mend atë si një njeri me zemër të madhe, si një njeri që humorin e kishte të vetin. Mënyra sesi e bënte një rol, por edhe sesi e trajtonte atë ishte vetëm patentë e Met Begës. Askush tjetër nuk mund ta luante një rol, si mund ta bënte ai”, thotë Dibra. Sipas tij, titulli “Artist i Merituar” nuk mjafton për një artist që e donte populli.

Muharrem Hoxha: Kishte dëshirë që të ngjitej sërish në skenë

Muharrem Hoxha (Rreme i Durrësit) e kujton si një njeri pozitiv, dhe familjar të rregullt. Teksa ngushëllon familjen flet edhe për meritat që ka si artist, për atë çka i ka dhënë popullit shqiptar, brenda edhe jashtë vendit. “ Para pesë vjetësh jemi vlerësuar të dy me titullin ‘Naim Frashëri i Artë’, ndërsa para dy vjetësh që e kam takuar ka qenë pa qejf. Ai kishte dëshirë që të ngjitej sërish në skenë, edhe vajza këtë i thoshte, por nuk mundi që ta arrinte më këtë ditë”.

Mirela Kumbaro: Nuk është bërë sa duhet për artistët

Ministrja e Kulturës, Mirela kumbaro e konsideron ndarjen nga jeta të aktorit Met Mega, një humbje të madhe për skenën dhe për artin. “Është një vlerë e jashtëzakonshme për skenën, artin dhe për publikun, sepse iku një njeri që e kishte buzëqeshjen në zemër edhe në shpirt”. Sipas Kumbaros, ky artist bëri njerëz që të buzëqeshnin, në kohërat kur nuk ishte e kollajtë që të buzëqeshje. “Ju dha shpresë edhe arsye për të qenë të lumtur njerëzve, qoftë edhe për pak çaste, prandaj publiku do ta kërkojë gjithmonë me dashuri. Është një ndër emrat që do të mbetet monument në skenën shqiptare të artit dhe të komedisë”.

E teksa pyetet nëse është bërë sa duhet për kontributin që ka dhënë ky artist, Kumbaro shprehet se: “Sigurisht që nuk është bërë sa duhet për të”. Kumbaro thekson më tej se, jemi në prani të ikjes së një brezi artistësh, të cilët pjesën më të madhe të prodhimtarisë së tyre artistike e kanë bërë në kohërat kur shumë nocione të së drejtës së autorit, të vlerësimit, jo vetëm me duartrokitje dhe me dashurinë e publikut, por sidomos edhe me vlerën materiale që duhet që t’i shoqëronte, e kaluan në një kohë që nuk njihej ky nocion.

Biografi

Met Bega (1948-2015) ka lindur në Tiranë. Ai i është përkushtuar për 40 vjet radhazi artit dhe skenës shqiptare, ku pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar në Estradën e Tiranës. Rolet më të njohura, ato që e shndërruan në një ikonë të paharrueshme për publikun shqiptar janë: “Edhe ashtu, edhe kështu”, në vitin 1989, “Stolat në park” në vitin 1988, “Tela për violinë” në vitin 1987, "Dy herë mat" në vitin 1986, që është edhe roli i tij i parë në kinematografi etj. Por të panumërueshme janë edhe rolet në Estradën e Tiranës, përmes të cilave ka bërë të qeshin mijëra shqiptarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama