Hipokrizia e Evropes

Hipokrizia e Evropës
Ato vlera evropiane kanë qenë themeluar mbi shtetin e së drejtës, mbi demokracinë, mbi deklaratën universale për të drejtat e njeriut dhe mbi ekonominë shoqërore të tregut. Qemë të lumtur ta identifikonin veten si qytetarë evropianë dhe njëherësh vendosëm t‘i përhapnim këto vlera të përbashkëta edhe nëpër rajone të tjera të botës.

Ky vizion u përforcua më tej pas rënies së murit të Berlinit. Pasi arritën të fitonin lirinë, vendet e Evropës Lindore menjëherë shfaqën dëshirën për t‘u integruar në sistemin evropian të vlerave, dhe sot pjesa më e madhe e këtyre vendeve janë bërë pjesë e familjes së komunitetit evropian.

Tani do të doja t‘ju tregoja disa përvoja që i kam jetuar personalisht në zona të ndryshme të botës, që nga çasti kur Bashkimi Evropian i ka dhënë jetë projektit për krijimin e një sistemi të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare. Sistem në të cilin respektimi i të drejtave njerëzore dhe të demokracisë vërehet si kusht që duhet përfshirë domosdoshmërisht në çdo lloj marrëveshjeje për bashkëpunim. Aq i rëndësishëm është ky parim, sa në bazë të "kushtëzimit demokratik", marrëveshjet mund të prishen menjëherë në rast se vendi përfitues e shkel në një farë mënyre. Bashkimi Evropian nuk kishte synim vetëm perfeksionimin e projektit të vet të integrimit, duke përfshirë vendet e Lindjes, por edhe përhapjen anembanë botës të vlerave të lirisë e demokracisë.

Kur nga selia e Brukselit i dhamë jetë kësaj nisme politike, menjëherë u ndez një debat ndërkombëtar. Çdo interlokutor pretendonte t‘ia përafronte shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të drejtat e njeriut kulturës së vet si edhe specifikave të tij kombëtare. Polemika më e ndezur u vërejt në rastin e Azisë. Këmbënguljeve evropiane për më shumë demokraci iu kundërvunë "vlerat aziatike": fillimisht zhvillimi ekonomik, më pas demokracia, dhe vetëm në fund qytetarët. Kina dhe tigrat e atëhershëm aziatikë nuk e pranuan kushtëzimin. Por kriza ekonomike, e nisur me zhvleftësimin e bahtit tajlandez bashkë me pasojat politike, bindën shumë vende të juglindjes së Azisë që rruga e zhvillimit kalonte pashmangshmërisht përmes pranimit të parimeve demokratike.

Në Amerikën Latine, krijimi i dialogut rezultoi shumë më i thjeshtë. I gjithë kontinenti ishte në kërkim të normalitetit demokratik pas viteve të tmerrshëm të juntave ushtarake dhe luftërave të Amerikës Qendrore. Ndërkaq vendet afrikane mbajtën qëndrime të ndryshme përballë këtyre parimeve. Shumë lider afrikanë i kuptuan përftimet e modelit të ri të bashkëpunimit, ndërsa të tjerë jo.

Dy brigjet

Mesdheu ka qenë objekt i disa vendimeve të rëndësishme që vizatuan një panoramë të re bashkëpunimi, i zyrtarizuar nga Konferenca e Barcelonës në vitin 1995. Përgatitja e Konferencës qe shumë e vështirë dhe gjetja e pikave të përbashkëta (në minimumin e mundshëm) kërkoi përpjekje dhe mund të jashtëzakonshëm. Deklarata e parimeve të konferencës flet vetë. Bashkimi Evropian dhe vendet e Mesdheut zotoheshin të krijonin shtetin e së drejtës e të demokracisë, por duke i njohur secilit prej tyre të drejtën për të zgjedhur dhe artikuluar lirshëm sistemet politike, social-shoqërore, ekonomike dhe gjyqësore.

Me këtë formulë zyrtarizohej superioriteti i sistemit demokratik, të cilin, secili nga vendet qe i lirë ta interpretonte në bazë të kushteve të veta të brendshme. Nuk qemë të zotët të shkonim përtej kësaj zgjidhjeje, ndërkohë që formula ishte e pamjaftueshme, por, nga ana tjetër, krijoi mundësinë e një serie programesh për të favorizuar dialogun me këto vende dhe për t‘i dhënë shtysë evoluimit të tyre të brendshëm.

Mendoj se disa vende të Mesdheut të jugut kanë arritur progrese në kuadrin e të drejtave të njeriut dhe të pluralizmit politik. Sot gjendja e tyre është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me vitet ‘90. Është e vërtetë që nuk janë demokraci të përkryera, por duhet vërejtur se janë bërë hapa përpara. Jam i bindur se vetëm shteti i së drejtës dhe demokracia do të arrijnë të frenojnë radikalizmin islamik. Nuk ekziston kurrfarë ndarjeje mes vlerave evropiane dhe atyre myslimane: mund të bashkëjetojnë shumë mirë dhe në shumë pika plotësojnë njëra-tjetrën. Debati nuk duhet zhvendosur te domethënia e vlerës së jetës në Evropën e krishterë dhe në Mesdheun mysliman, por te drejtësia sociale dhe te ndarja në mënyrë sa më të drejtë e pasurisë.

Është gjithnjë më mirë të luftohet për një sistem ku qytetarët të kenë kushte të mira jetese nën një shtet që di të kujdeset për ta, se ta kërkosh shpëtimin te dhuna ndaj dikujt tjetër. Sigurisht e kam fjalën te qytetarët e shtresës së mesme, që përbëjnë edhe pjesën dërrmuese të popullsisë së vendeve. Nga ana tjetër, për sa i përket fanatikëve të të dy brigjeve të Mesdheut, jam i bindur se nuk mund të bëhet asgjë.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama