Ka nje lajm Shqiperia nje realitet i ri

Ka një lajm: Shqipëria, një realitet i ri
Nuk ndodh dhe aq shpesh që një autor shqiptar të botohet në vendet gjermanishtfolëse, aq më rrallë ndodh që ky autor të jetë poet. Lindita Arapit i është botuar së fundi një vëllim poetik „Në det, natën" nga "Edition Thanhäuser", sipas përkthimit të Hans Joachim Lankschit. Duke pasur parasysh natyrën e studimeve albanologjike të Arapit me të cilën ajo mbrojti temën e disertacionit në Vjenë e cila ka të bëjë me imazhin dhe paragjykimet e Shqipërisë që qarkullonin në botën gjermanishtfolëse në shekullin e 19-të dhe 20-të, u ndalëm tek kjo intervistë edhe në imazhin dhe paragjykimin e një tjetër lloji në realitetet social-kulturore shqiptare të reflektuara në letërsi.

Cila është historia e këtij botimi gjermanisht?

Si çdo libër edhe ky imi bëri një rrugë të gjatë deri në publikim. Ideja kishte lindur që gjatë një qëndrimi në Austri, ku u njoha edhe me botuesin në vitin 2004, Christian Thanhäuser. Kaluan tre vjet deri sa i erdhi radha librit, madje në kohë të caktuara e kisha harruar. Secili botim lidhet me një rezidencë në Ottensheim, pranë qytetit Linz, ku ndodhet edhe shtëpia botuese, "Edition Thanhäuser". Kështu korniza e botimit është seria e njohur me emrin "Ranitz Drucke" dhe e mbështetur financiarisht nga landi i Austrisë së sipërme, fondacioni KulturKontakt, Vjenë dhe ministria austriake e kulturës. Unë qëndrova në Ottensheim pranë Danubit, një qytezë e vogël austriake. Jo vetëm Danubi i ardhur nga vende të tjera i jep kësaj qyteze internacionalitetin, por për mua edhe artistët e ardhur nga vendet e ndryshme për të punuar. Vetmia është karakteristikë e qytezave të tilla, anonimiteti i plotë që të rrethon, në të vërtetë kushte ideale për të vëzhguar e soditur në qetësi pa u bezdisur, e në rastin më të mirë për të punuar.

Në shtator libri u prezantua në Austri. E veçanta e botimeve të këtij edicioni është shtypja me dorë, madje në shtypshkronjën e Christian-it të duket sikur ka ngecur koha në një epokë tjetër, në një epokë ku edhe radhitja bëhet një me një me dorë, edhe shtypja me makineri me levë. Kështu secili libër është një unikat në vetvete. Libri është botim poetik por i shoqëruar edhe me skica, nga stampimet e punimeve në dru të vetë botuesit, i cili është edhe një artist ksilograf i nderuar. Thanhäuser i jep drurit jetë. Punimet e tij në dru të përmasave të mëdha janë vërtet impresionuese. Me një punim aq të imët në dru krijohen peizazhe apo portrete mjaft ekspresive.

Poezitë janë përkthyer në gjermanisht nga Hans Joachim Lanksch, i cili di të punojë në mënyrë të mrekullueshme me gjuhën e poezisë. Unë nuk mund të përktheja në gjermanisht, por e zotëroj gjuhën për të kuptuar përkthimin. Dhe ai vërtet ka punuar në mënyrë kreative me gjuhën, duke dhënë copëza artistike të përkthimit.

Prapë për "Në det, natën", ç'janë këto ksilografi të botuesit Thanhaeuserit që janë përfshirë në librin tënd?

Ksilografitë e Thanhäuser-it shoqërojnë librin, por të shtypura në letër si skica. Botimi merr kështu vlerën e një ekzemplari artistik dhe nuk është një botim serie. Kjo mendoj unë i përshtatet natyrës ekzotike që ka marrë tashmë poezia.

Na thuaj diçka më shumë për librin "Në det, natën". Çfarë emocionesh, idesh dhe mendimesh vesh ky titull?

"Në det natën" fitoi si variant mes disa të tjerëve që mua nuk më dukeshin keq, po në fund të fundit duhej vendosur për një titull. Titulli ka një lloj ekspresioni të brendshëm dhe mendoj se i përshtatet frymës së librit: Ecejake vetmie në terr përballë një deti po aq të terrtë, të panjohur, e fuqiplotë. Uni poetik është i ndodhur në mes të kanosjes së heshtur nga njëra anë dhe hapësirës pa kufij nga ana tjetër.

Asosiacioni tjetër i këtij titulli është edhe një lloj statizmi pranë detit e valëzave, që natën nuk simbolizojnë atë përkëdheli e romantikë, me të cilën ne i veshim gjatë ditës. Gjendja statike nënkupton edhe kthimin e vështrimit thellë brenda vetes, në kërkim të përgjigjeve.

Titulli i përshtatet një faze të caktuar të poetikës sime, ku gjuha është hermetike, madje ku ajo himnizon vetminë dhe dhimbjen njerëzore. Tonaliteti i librit, mendoj unë lëviz kështu brenda një sekuence të tillë.

Pastaj titulli mbart edhe një element tjetër, ujin. Uji është një element ngjizës i lëndës sime poetike. Fillimisht ka qenë me sa duket e pavetëdijshme futja e ujit si element në tekst. Elementi ngjizës i jetës simbolizon rrjedhjen, çlirimin e lehtësimin e barrës së përditshme. Shpëlarjen e dhimbjes. Ujërat janë të thella, joshëse por edhe të mistershme. Megjithëse fjala "ujë" nuk është e gjinisë femërore, nuk ka element tjetër mendoj unë që i përshtatet më së miri përfytyrimit për femrën. Në një tekst para vitesh unë kam shkruar se femrat janë prej uji.

Dhe meqë jemi në këtë pikë, a s'është e vërtetë se në letërsinë shqipe, ku dominojnë penat e shkrimtarëve, pothuaj mungon figura femërore, nëse po pse mendon të ketë ndodhur?

Nuk do të thoja se mungon tërësisht, por është një figurë që nuk ka aq peshë. Kjo është e shpjegueshme në rrethanat historiko-sociale dhe kontekstet kulturore tonat. Nëse ndërgjegjja kombëtare e një populli ngre lart djalin e burrin, pushkën para dialogut, atëherë figura e femrës vihet në dispozicion të këtij mentaliteti. Në historinë tonë kulturore duhet thënë se ka një dallim mes figurës së femrës si nënë dhe si e re. Nëna është një figurë e nderuar, e fortë, ajo ka rritur djem, madje kjo figurë me kalimin e viteve fiton rëndësi, gjë që shprehet edhe në letërsi. Ndërsa figura e së resë është paraqitur në mënyrë ambivalente. E reja është e dëshirueshme, por edhe e rrezikshme. Gërsheti i së resë, apo sytë si ullinj poetizohen edhe tek ne, por vetë femra gati gati nuk ka të drejtë të flasë. Asaj i vihen në gojë ato që përshtaten mirë me konceptin patriarkal mbi femrën. Kur dua unë që ti të flasësh, mund të hapësh gojën edhe ti. Dua të them se femra nuk paraqitet si një figurë supreme. Por ne jemi ende një shoqëri maskiliste, gjë që reflektohet edhe në botën letrare.

Sipas teje a ka fituar të paktën letërsia shqipe terren për pak individ, për pak hapësirë psikike personale dhe intime, që dikur e kishte humbur prej uniformitetit?

Letërsia shqipe ka kohë që i është kthyer individit. Madje shenja të kësaj u dhanë që në vitet 80-të. Unë nuk i përkas kategorisë që mendon se letërsia filloi me mua, pra me brezin e viteve 90-të. Ne kemi krahas Kadaresë edhe prozë e poezi të autorëve të tjerë që i rezistoi deformimit të realizmit socialist. Unë pata fatin të shkruaja e lirë, pa përkufizime ndërkohë që një brez i tërë autorësh që jetuan në ato vite duhej të shihnin me sytë e tyre vetëpërçudnimin. Ishte një ambient letrar që nxiste vetëm uniformitetin. Nga ana tjetër mungesa e komunikimit me zhvillimet kulturore në botë, sigurisht që la gjurmët e saj.

Tashmë letërsia jonë është një fushë eksperimentale, mendoj unë. Kur kam mundësinë të flas për letërsinë e vendit tim, përmend se në Shqipëri ka shembuj letërsie të nivelit evropian, ka autorë që nuk kanë përse të kenë asnjë kompleks ndaj letërsisë në vendet perëndimore. Është për t'u theksuar se ende në Perëndim nuk ka mbërritur gjithkund lajmi, se Shqipëria në tërësi ofron një realitet të ri. Klishetë e vjetra të varfërisë e izolimit gjallojnë ende.

Vazhdon të shkruash poezi?

Shkruaj më pak poezi, pasi dua të përfundoj një tekst në prozë, por rikthimi që vë re së fundi ndodh brenda një konteksti të ri dhe unë i kthehem me një bindje të re. E theksoj këtë se në vend të huaj, ku duhet të luftosh për të mbajtur gjallë kujtesën e vendlindjes, nuk është aq e kollajtë të vazhdosh të shkruash në gjuhën tënde. Të dyja gjuhët fillojnë e ngrenë pretendimin kush e kush të jetë më e rëndësishmja. Nuk është e lehtë të jetosh në mes të dy gjuhëve.

Atëherë, ka vend për pyetjen a të është bërë atdhe Gjermania?

Në vitet e fillimit mendoja dhe e vrisja mendjen për atdheun, ku ta gjej atdheun sërish, e humba atdheun e të tjera si këto. Tani jo më. Me këtë nuk dua të them se unë i kthej kurrizin Shqipërisë. Përditë mendoj për nënën, për miqtë, për rrymën elektrike që mungon, për korrupsionin që nderohet tek ne si zot, pra përditë jetoj me Shqipërinë. Atdhe, mendoj unë mund të quhet vetëm ai vend ku lind, në kuptimin e dhënies së identitetit të parë, por ne asnjëherë nuk rrimë vetëm brenda vendlindjes, madje do të ishte shenjë varfërie e vetizolimi po të rrinim vetëm rreth e rrotull vatrës ku hodhëm hapat e parë. Kështu që unë nuk kam më nostalgji si më parë, gjë që nuk do të thotë se lidhja është më e dobët. Ta quaja atdhe Gjermaninë? Nuk kam atë lidhje që kam me vendin ku linda, por ky vend është vendi im i dytë ku unë po kaloj një pjesë të jetës. Mund ta quaja edhe atdhe të dytë, madje kjo nuk ka rëndësi. Këtu unë kam krijuar ca rrënjë të brishta, por që mund të quhen rrënjë. Madje kam filluar të mendoj është fat të kesh mundësi të provosh të jetosh në botë të tjera, në një vend tjetër, të provosh sfidën e së huajës, të zgjerosh kufijtë. Kjo nuk do të thotë që unë humbas lidhjen me vendin tim, atë e ruaj dhe unë vazhdoj të ngre ura të reja komunikimi me Shqipërinë.

Ky det më mban

Ludvig Hartinger

…përherë e papre ky zë, timbri i tij plot dritëhije dëgjohet gjithmonë në vargjet e poetes Lindita Arapi, një metrikë e heshtur dhe e fshehtë: (gjithmonë) vazhdueshëm në luhatje, vibrim, shkrirje njësh nga figura në figurë, mes Momentales dhe së Vazhdueshmes, lënie lamtumire dhe Rikthimi; Mbërthim dhe Çlirim...duke vështruar përditë mëngjeseve e pasditeve/ ditë e natë pa lëvizur si e shituar lumin... ajo i është falur shtëpisë së saj, Ujit, zanafillë e gjithçkaje, Pasionit të Rrjedhjes, fundosur në të Gjelbër, dhënë pas rrëmimit të kujtimit,...Era bëhet udhë; një kërkim mes Vetjakes dhe së Huajës brenda vetes e përreth, në Përhumbje dhe Afri – një gjethe e ardhur nga lar/ e huaj.

Duke kthyer sytë pas në fillimet e veta, autorja tregon: "Ne duhej ta rizbulonim në një farë mënyre gjuhën,... atëherë shkruam shpesh vargje të errëta, hermetike, ashtu si shpirtrat tanë. Plot trishtim. Sigurisht, në ato vite ne ishim një gjeneratë (fillimi i viteve 90-të) që ndodhej në udhëkryq. Na duhej të mësoheshim shpejt me të dyja botët, gjë që ishte e vështirë."

Atje si Këtu. Në këto poezi gjendet një zë, në përpjekje për t'u çliruar, një zë zbutës, një medium subversiv mes mishërimit dhe fjalës, asimetri e vetes dhe të tjerëve, asnjëherë duke luajtur mençurinë, asnjëherë gishtregues, gjithnjë Kumt i të vërtetave shqiptare, ushqyer nga kultura mitike orient-oksident; Fëmijëri, rini mes traditës, regjimit komunist dhe ndryshimit të kohërave, peshë e paraardhësve, peshë ajri dhe dëshirë për t'u nisur....larg nëpër botëra, diku. Ndjehet fati i rëndë i periferive/pa hapësirë dhe trualli i humbur i një shpirti pelegrin.

Ka, shumë shumë për të më thënë/Gjembi që më shpoi këmbën e qumështit;

Metamorfoza të Qenies Femër, e ndodhur mes qelesheve borë të bardha dhe deleve dridhshëm të bardha, pritshmërive të pazë dhe premtimit ndaj vetes për të ardhur në gjuhë, për të dalë në pah nga e Bardha, trualli i gjithë krijimit, ngjyrë origjinë dhe Unio, e vendosur në anën e kundërt të dhunës...

"Unë jam akoma/ Aty/ E ulur në gur/. Gjurma nuk humbet, ajo hapet më tej-në varg.

"Sado të qajnë qelqet e thyera/...Unë i besoj vetëm vazos së thyer." Të shkuarës si të ardhmes pranë i qëndrojnë ciflat, herë herë valëzime ciflash, xixëllime të lumturisë... Poezia fjalëmprehtë e Lindita Arapit është tingull fjale e akorduar me afër-larg, tingull i një heshtjeje të shpëtuar, i vazhdimësisë së ruajtur. - Ky det më mban -

...Nga të tatëpjetat dhe tallazet, të përshkuara nga fluidalja janë edhe punimet ksilografi të artistit, Christian Thanhäuser në këtë libër poetik, të frymëzuara nga vende dhe brigje shqiptare, të cilat ai i vizitoi me poeten.

 
Elsa Demo : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama