Me Toninin u ndame duke qeshur

'Me Toninin u ndame duke qeshur'

Kantautori Luan Zhegu tregon kujtimet e tij me këngëtarin Tonin Tërshana. Kujtimet e tij të para zënë fill në fëmijëri, ndërsa takimin e fundit me të e ka pasur vetëm dy ditë para se të ndahej nga jeta. Duke e konsideruar një vdekje të papritur ai ndalet në momentet më të bukura që ka pasur përkrah Tonin Tërshanës si artist, por edhe si njeri.

Sipas Zhegut, të gjithë brezat kanë se çfarë të marrin nga Tonin Tërshana. Këngët e interpretuara me zërin e tij të ëmbël rrinë aq bukur dhe sot. Ndonëse Tonin Tërshana do të mbetet një nga ata njerëz, hallet e të cilit i mësoi mbarë Shqipëria, Zhegu thotë se, ai nuk qahej kurrë, sepse ishte njeri me karakter. Tonin Tërshana u nda nga jeta ditën e martë. Homazhet në nderim të tij, do të bëhen sot në ambientet e Televizionit Publik Shqiptar, ora 10.00.

Zoti Zhegu, si e keni njohur këtë artist?

Me Toninin jam njohur në vitet 1965, kur ai këndoi për herë të parë në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Ai ishte në moshën 16-vjeçare. Më pas pasuan festivalet e tij, unë nuk merrja pjesë në festivale asokohe, sepse kam marrë pjesë më vonë. Pasuan këngët e Toninit njëra më e bukur se tjetra. Tonini me atë zë aq të ëmbël, i intonuar jashtëzakonisht shumë bukur dhe me një diksion vokali shumë të mirë. Te Tonini, dhe brezat kishin se çfarë të merrnin. Ai ka qenë ndër këngëtarët, me këngët që rrinë dhe sot e kësaj dite në fondin e artë të muzikës shqiptare.

Gjatë interpretimeve të tij në skenë, mori edhe çmime të para?

Më pas kaluan vitet dhe Tonini këndoi këngën “Të dua o det”, një këngë shumë e bukur atëherë, me të cilin u vlerësua me çmim të parë. Më pas në Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH, u vlerësua më çmim të parë me këngën e Pjetër Gacit, më vonë u nderua me këngën e “Nënës”, së Prodanit. Pata dhe unë fatin që i dhashë këngën time më pas. Ai vazhdoi me këngë shumë të bukura në tërë karrierën e tij artistike, derisa nuk mori më pjesë në festivale. Karriera e tija artistike ishte me këngë shumë të bukura. Ka kënduar në estradën e ushtarit me një grup këngëtarësh të mrekullueshëm si Vaçe zela, Arta Babaramo, Violeta Simoni, Nikolin Gjergji etj.

A keni kujtime, të cilat do t’u riktheheni si momente të veçanta, që keni pasur me të?

Nuk do ta harroj kurrë daljen time në skenë, në festival, kur kam dalë për herë të parë. Isha në një gjendje të madhe emocionale, dhe kur pata mbaruar këngën pashë te kuintat Toninin, që erdhi më përqafoi. Ajo ishte gjëja më e bukur që    kam ndjerë unë në jetën time artistike. Me fjalë shumë njerëzore më tha: Më ke bërë dhe mua për vete. Nuk kishte gëzim më të madh për mua. Nuk do ta harroj kurrë, do ta mbaj gjithmonë në kujtesën time këtë thënie kaq të ngrohtë të tijën, gjithë jetën.

Gjatë këtyre viteve e patë ndonjëherë të mërzitur?

Jo, edhe kur i bëmë 65-vjetorin e tij të lindjes në Durrës, u gëzua shumë që i erdhën shokët dhe që ndenji me ta. Ai ishte natyrë që nuk qahej, ishte me shumë karakter.

Mendoni se duhet të ishte bërë më tepër për të?

Për të gjithë artistët duhet që të ishte bërë me tepër. Artisti në të gjithë botën është opozitar me maxhorancën në çfarëdolloj qeverie të jetë, artisti është opozitar. Te ne është për të ardhur shumë keq, që nuk ekziston e drejta e autorit. Nëse do të ishte në një shtet tjetër, do të jetonin edhe nipërit e tij me debutimet që ka bërë ai, por kjo është një temë që duhet trajtuar njëherë tjetër.

Po si njeri si do ta kujtoni Tonin Tërshanën?

Toni jo vetëm si këngëtar, që ka qenë i përkryer, por edhe si njeri ka qenë jashtëzakonisht i mirë. Unë e kam pasur shumë shokë, kemi shkuar shumë mirë me njëri-tjetrin. Absolutisht që tek ai njeri nuk mund të gjeje xhelozi, përkundrazi ai inkurajonte.

E keni takuar ditët e fundit?

E kam takuar dy ditë para se të ndërronte jetë në spital. Ai nuk mendonte kurrë se do të ikte nga kjo jetë. Jam ndarë me të duke qeshur, ndenja me të deri vonë për të kujtuar gjërat tona të bukura. Gjithmonë takoheshim me Toninin jo vetëm në festival, por edhe në ambiente të ndryshme. Bënim shumë humor me njëri-tjetrin. Ai dhe përpara se të ndahej nga jeta ka qenë shumë vital, e donte jetën shumë.

Më erdhi keq se nuk mundi që ta gëzonte dhe shtëpinë që mori, atë që ai e ëndërronte shumë. Por Tonini pavarësisht se iku fizikisht nga kjo jetë, ai la një thesar të jashtëzakonshëm, la këngët e tij. Ai bashkëpunonte me kompozitorët më të mirë shqiptarë. Kush nuk e donte Tonin që t’i këndonte këngën. Në takimin e fundit, në një emision shumë të bukur ishte mirë dhe në diskutim ishte shumë profesional. Kishte etikë dhe në ato gjëra që i transmetonte brezit të ri. I tillë ishte ai. Si të gjithë artistët e mëdhenj edhe Tonini hyn në korifenjtë e artit shqiptar, ai do të jetoi në jetë të jetëve. Për mendimin tim ai vetëm ka ndërruar një banesë.

 Jeta artistike e Tërshanës

Tonin Tërshana lindi në Shkodër (1949-2015). Takimet e para më këngën i pati qysh gjatë fëmijërisë. Talenti i tij spikati nëpër lokalet e thjeshtë të Shkodrës, jo vetëm nga dëshira për të kënduar, por edhe nga nevoja, nga kushtet e jetesës. Kënga e parë që është kompozuar për të ka qenë "Kthjelltësi, lumturi", nga dirigjenti i Orkestrës së Shkodrës, Mark Kaftalli. Pas kësaj ai do të vinte në Tiranë.

Dirigjenti Ferdinand Deda i është gjendur pranë gjatë atyre netëve që do t’i duhej të flinte jashtë, sepse në hotel nuk mund të flinte, se nuk kishte pasaportë. Dirigjenti Ferdinand Deda e ftoi për t’u afruar pranë Radio Tiranës. Tonin Tërshana debutimin e parë në skenën shqiptare e pati në Festivalin e IV-të të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar me këngën "Kur vjen pranvera", muzika Pjetër Gaci dhe teksti Fatos Arapi. Me këtë këngë ai u vlerësua me çmimin e parë. Atëherë ishte vetëm 16 vjeç.

Ka fituar çmimin e parë dhe në Festivalin e 11-të të RTSH-së. Ka marrë pjesë në mbi 20 festivale dhe ka fituar 4 çmime të para, duke u bërë një ndër këngëtarët me më shumë trofe në festivale. Në moshën 48-vjeçare nisi emigrimin, i cili vetëm jetesën i siguroi. Jeta e tij do të ishte një kalvar i gjatë vuajtjesh, por atij kurrë nuk iu nda buzëqeshja nga fytyra. Batuta e ka shoqëruar në çdo bisedë, mes miqsh dhe mes kolegësh.

Shtëpinë, që ai e ëndërroi përgjatë gjithë jetës së tij, e mori nga Bashkia e Tiranës vetëm 3 javë para se të ndahej nga jeta. Ai nuk mundi ta gëzonte. U nda nga jeta në datë 22 shtator dhe përcillet sot për në banesën e fundit. Presidenti i Republikës Bamir Topi, i ka dhënë titullin e lartë "Mjeshtër i Madh". Tonin Tërshana vdiq më 22 shtator 2015 në Tiranë.

131 filma në festivalin "AniFest Rozafa"

Edicioni i gjashtë i AniFest Rozafa prezantohet këto ditë në Shkodër. Janë 131 filma për grupmoshat 3-15 vjeç, kryesisht të animuar dhe më pak artistikë të metrazhit të shkurtër, të autorëve amerikanë, britanikë, spanjollë, skandinavë, mesdhetarë që trajtojnë temat e jetës moderne, dhuna, diskriminimi, divorci, droga. Për ata më të vegjlit AniFest Rozafa ka futur dy vitet e fundit filmin me narrator.

Punëtoritë gjatë ditëve të festivali, 20-27 shtator, u mësojnë fëmijëve të shprehen përmes animacionit nën drejtimin e animatorëve të huaj dhe vendas, po edhe me studentë të Arteve të Shkodrës, të cilët prezantohen me gjashtë filma. Shqipëria vjen me Joan Zhongën, nga animatorët më të mirë që krijon në Greqi. “Etnofobia” e tij, prodhim i 2015-ës është një fabul alegorike e realizuar me plastelinë. Nga Kosova Astrit Ibrahimi shfaq "Aventurat e Benit” film i animuar në tredimensional. Në nëntor të këtij viti bëhen 40 vjet nga fillimet e animacionit shqiptar. Ani- Fest Rozafa ka rastin ta thotë hapur se përvjetori është fiktiv dhe ajo traditë ka pushuar së ekzistuari me kohë.

Marrëdhënia njeri-makinë te "Tirana Art Lab"

Artist i tretë që u prezantua në rezidencën e Tirana Art Lab është Fabrizio Bellomo. Kërkimi i Bellomo- s vitet e fundit është fokusuar te marrëdhënia njeri-makinë, qofshin këto torno të vjetra mekanike apo smartphone të gjeneratës së fundit, për këtë artist është e njëjta gjë: interesi është plazmimi, modifikimi apo modelimi i identitetit të dy përbërësve të kësaj marrëdhënieje vektoriale.

“Makina ka prirjen ta shndërrojë njeriun në makinë” shkruante Oscar Wilde. Si rrjedhojë mund të themi që mjedisi i punës, i cili siç dihet është ende i parcelizuar, dhe identiteti profesional i individit janë të lidhur ngushtë me mjetin në përdorim (personal computer apo matrapik), ose, më mirë të themi, krijohen pikërisht në marrëdhënie me makinën. Në Shqipëri Bellomo e ka lënë veten të hipnotizohet prej skenave nëpër rrethrrotullimet e qyteteve kryesore, ku shihen dhjetëra punëtorë (gjithsecili i specializuar me makinën në krah ose të ngulur në asfalt për të rënë më shumë në sy) t’i shiten anës trotuareve ofruesit më të mirë...


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama