Fillojne punimet ne restaurimin e objekti te shkolles se pare shqipe ne Stubell

Fillojne punimet ne restaurimin e objekti te shkolles se pare shqipe ne Stubell

Në Stubëll të Vitisë kanë filluar sot punimet në restaurimin e objektit të shkollës së parë shqipe në Kosovë.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i shoqëruar nga drejtoresha për kulturë, Kaltrina Sylejmani kanë vizituar këtë objekt që është në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore. Sokol Haliti, kryetar i Komunës së Vitisë, ndër tjerash ka thënë se është e një rëndësie të veçantë të investohet në ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore siç është shkolla e parë shqipe në Stubëll.

 

“Më të vërtetë objektet, sikurse kjo e shkollës së parë shqipe kanë një rëndësi të veçantë për historinë tonë andaj është e një rëndësie edhe më të veçantë që ti ruajmë ato”, u shpreh kryetari Haliti, transmeton KultplUs. Ndërkaq, drejtoresha për kulturë, Kaltrina Sylejmani ka thënë se duke e ditur rëndësinë që ka ky monument, MKRS ka mbështetur projektin për restaurimin e këtij objekti. “Shkolla e parë shqipe është monument me rëndësi në trashëgiminë arkitekturore, duke pasur parasysh këtë fakt, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ka mbështetur projektin për restaurimin e kësaj shkolle”, u shpreh drejtoresha Sylejmani. Ajo tha se sipas projektit punimet pritet të përfundojnë brenda këtij viti.

Sylejmani bëri me dije se Komuna e Vitisë, si participuese në këtë projekt do të kujdeset që t’i realizojë detyrat e veta të dala nga Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar në mes të kryetarit Haliti dhe Ministrit Shala. Përndryshe, objekti i Shkollës së parë shqipe në Stubëll gjendet edhe në listën e trashëgimisë Kulturore për mbrojtje të përkohshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama