Lloshi Ne perkthimet e sotme vlerat e verteta bien poshte

Lloshi: Ne perkthimet e sotme vlerat e verteta bien poshte

Hapja e Shqipërisë me botën ka bërë që shqiptarët të marrin pafund informacion nga vendet e tjera, por ky informacion duhet përkthyer. Profesor Xhevat Lloshi në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit (30 shtator) në një intervistë për gazetën “Shekulli” tregon për pozicionin që ka sot përkthyesi në kulturën shqiptare. Ndonëse gjatë sistemit komunist literatura filozofike moderne nuk lejohej që të përkthehej, duke u quajtur ideologjikisht e gabuar, sot kjo mungesë ndihet në studimet që bëjnë studentët e masterit dhe të doktoraturës.

Cilësia e përkthimeve në përgjithësi, sipas profesorit, ka qenë më e mirë gjatë sistemit komunist, kjo për shkak të kontrolleve të vazhdueshme që ekzistonin asokohe. Në 25 vitet e fundit, ka një vërshim të pashembullt të përkthimeve, që sipas tij janë përgjithësisht me cilësi të dobët. Lloshi ndalet edhe te mungesa e politikave përsa u përket përkthimeve, kjo situatë lidhet me trajtimin e përgjithshëm të punonjësve në fusha të ndryshme të kulturës. Teksa na rendit problematikat kryesore ndalet dhe te zgjidhja e tyre. Sipas tij, kjo situatë duhet ndryshuar në shumë drejtime, por fillimisht duhet nisur nga shkolla.

Zoti Lloshi, ku e shihni ju vendin e përkthyesve sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit ?

Mund të thuhet pa asnjë teprim se përkthyesit zënë sot një vend të jashtëzakonshëm në shoqërinë dhe në kulturën shqiptare. Domethënë, hapja e Shqipërisë me botën ka bërë që shqiptarët të marrin informacion pafund nga vendet e tjera, i cili ka nevojë të përkthehet në gjuhën shqipe. Tashmë nuk ka më asnjë pengesë për çfarëdolloj literature, që të përkthehet në gjuhën shqipe.

Cilët ishin tekstet “ e ndaluar” për t’u përthyer në shqip gjatë sistemit komunist?

Së pari, ka qenë e ndaluar e gjithë literatura filozofike moderne. Së dyti, ishte e ndaluar e gjithë literatura e shekullit XX, që në një mënyrë ose në një tjetër konsiderohej ideologjikisht e gabuar apo edhe studimet në fusha ta ndryshme. Për shembull, po marrë fushën antropologjike, studimi i njeriut, psikologjia etj. Për mendimin tim, brezi i sotëm që lexon disa libra dhe sigurisht që tërhiqet prej tyre, ka një të metë të madhe, sepse produkti i një shekulli të tërë, që ka sjellë sot disa libra të fushave politike, sociologjike, psikologjike etj., ky produkt i një shekulli përbën bazën mbi të cilën janë artikujt dhe punimet e sotme. Lexuesi i sotëm, sidomos studentët e rinj, që bëjnë masterin dhe doktoraturën e kanë të zbrazët një shekull. Ata rrëmbehen pas disa punimeve, duke kujtuar se kanë arritur kulmin e shkencës së sotme, por e kanë shumë gabim, faji ka qenë i mungesës së përkthimeve të librave, që ju i quajtët “të ndaluar”.

Duke bërë një krahasim mes teksteve që përktheheshin asokohe dhe atyre që përkthehen sot. Si vijnë këto përkthime nga ana cilësore?

Cilësia? Nëse flasim në përgjithësi, ka qenë më e mirë në atë kohë, sepse kishte kontrolle të vazhdueshme. Kishte kërkesa shumë të larta dhe gjithashtu ishin në periudhën kur kërkohej zbatimi i një shqipeje të lëvruar. Në 25 vitet e fundit ka një vërshim të pashembullt të përkthimeve, por me cilësi përgjithësisht të ultë. Nuk përjashtoj se, dhe sot është një grup njerëzish kundrejt të cilëve kam respekt të madh, sepse përpiqen të ruajnë traditën e shkëlqyer të përkthimeve në shqip, duke sjellë përkthime me cilësi të lartë.

Po përkthimi i letërsisë së ndaluar në 25 vjet?

Letërsia e huaj për fat të mirë në këto 25 vjet ka nisur që të përkthehet. Këmbëngulë për letërsinë, por po iu marrë një shembull nga fushat e tjera. Sigmund Frojd, që në sistemin e mëparshëm ishte i ndaluar me të gjithë epitetet, tashmë librat e tij janë përkthyer dhe janë përkthyer keq. “Hyrje në Psikanalizë”, prej tij është shkruar në mënyrë të shkëlqyer, mirëpo përkthimet që janë bërë e largojnë lexuesin prej tij. Ky është problem themelor. Tani po përkthehen autorë të njohur dhe bëhet shumë mirë, që po përkthehen, por pa cilësi. Këta autorë nuk pëlqehen nga lexuesi. Kjo është e keqja. Vlerat e vërteta bien poshtë, në të vërtetë duhet të ndodhte e kundërta.

Përsa i përket mbështetjes financiare që kanë përkthyesit, a mendoni se motivohen për punën që bëjnë?

Jo vetëm nuk motivohen, por mendoj që sot është kaluar në një fazë të qëndrimit kundrejt autorit dhe përkthyesit, që është megjithë mend e egër. Sot në Shqipëri nuk mund të jesh autor dhe përkthyes nëse nuk paguan, për këtë arsye je në kushtet e një sulmi nga njerëz që nuk janë përkthyes, por që duan disa para dhe pranojnë të punojnë me kushte jashtëzakonisht të papërshtatshme, për shtëpinë botuese apo për organet e tjera, të cilëve u përkëdhelen për pesë lek. Pra kemi një turmë të tërë njerëzisht, të cilët e shfrytëzojnë përkthimin për të nxjerrë fitime. Këta njerëz kanë bërë që të goditet rëndë numri i përkthyeseve të vërtetë, atyre që e bëjnë me dashuri punën e tyre. Paraja është kundër përkthyesve dhe larg përkthyesve.

Politikat e Ministrisë së Kulturës si do t’i vlerësonit?

Nuk ka pasur politika. Kjo vjen për një arsye tjetër, që nuk lidhet thjesht me përkthimet, por lidhet edhe me trajtimin e përgjithshëm të punonjësve në fushat e ndryshme të kulturës. Këtu mund të marrim si shembull letërsinë shqipe artistike. Për fat të keq, në mënyrë të qëllimshme u goditë e gjithë tradita e mendimit kritik, artistik dhe estetik shqiptar në mënyrë të padrejtë, sepse vlerat estetike, artistike iu quajtën se i ka pasur një regjim diktatorial. Nuk i ka pasur regjimi, por njerëzit e përkushtuar, njerëzit me dëshirë të madhe për kulturën shqiptare, ata e çuan përpara këtë punë. Dhe në këto kushte, nuk ka politika, sepse çdo libër qoftë i letërsisë artistike shqiptare, qoftë i përkthyer nga gjuhë të tjera dhe nga përkthyes të mirë, nuk vlerësohet më si cilësi.

Këtu lavdërohet një përkthim, i cili është shumë i keq vetëm sepse qasje të caktuara janë të interesuara, që emri i këtij njeriu të dalë dhe të promovohet. Për përkthime shumë të mira dhe serioze heshtet përfundimisht. Përsëri është në këtë rast, jo thjesht paraja, por mbeturina e tmerrshme shqiptare nga koha osmane, pazarllëku. Kjo i sjellë një pengesë shumë të madhe përparimit të vërtetë të kulturës. Në këto rrethana ka dhe një të keqe akoma më të madhe, jo vetëm që nuk bëhet leximi kritik, por nëse dikush guxon që të bëjë një vlerësim kritik për një përkthim i sulen me fjalë të ndyra. Kjo më ka ndodhur dhe mua personalisht. Kjo gjë u ndodhë dhe të tjerëve, prandaj njerëzit tërhiqen dhe përparimi ndalet në këtë fushë, që është jashtëzakonshmit i dobishëm dhe i nevojshëm për shqiptarin e sotëm.

Kemi një bashkësi shoqërore, që i ka kthyer kurrizin librit

Duke ndalur në mungesën e kritikës, por edhe në faktorë të tjerë që ndikojnë në cilësinë e dobët të përkthimeve. A mund të na thoni se çfarë duhet bërë që kjo situatë të ndryshojë në vazhdim?

Kjo situatë mund të ndryshohet, por duke u drejtuar nga shumë anë. Së pari, çështja themelore është që në tekstet shkollore letërsia të zërë aq vend sa të mos duket e tepruar, por të jepet me cilësi. Këtu nis përgatitja e lexuesit, që është nxënësi i shkollës për të lexuar, ai duhet të arrijë që ta dashurojë letërsinë. Mësuesi i letërsisë duhet të jetë një njeri i pasionuar dhe të dijë që të zgjedhë vlerat. Kjo nuk mund të arrihet, ashtu sikurse e dini dhe ju me manipulime, me tekste që ndërhyhet në të gjitha llojet, por nuk dua që të ndërhyjë në këtë fushë korrupsioni... Së dyti, po marrë një gjë që sigurisht, mua më dhemb gjithmonë. Është e nevojshme që të ngihet lart prestigji i gjuhës shqipe, sepse gjatë këtyre 25 vjetëve, duke goditur gjuhën standarde është goditur vetë gjuha shqipe. Duke mohuar që gjuha shqipe nuk ka vlera, që gjuha deri tani është mohuar, sepse është mohuar gegërishtja, se gjuha shqipe nuk i ka pasuritë se i janë mohuar pasuritë e gegërishtes, me të tilla parulla politike të politizuara thellësisht është mohuar realisht gjuha shqipe.

Atëherë një kërkesë e domosdoshme e të gjithë shoqërisë nga shkolla deri te shtypi është vlerësimi i gjuhës shqipe, ngritja e prestigjit të saj. Pa ngritur këtë prestigj nuk mund që të ngrihet kërkesa për cilësinë e përcjelljes së përkthimeve. Gjithashtu sot nuk ka më asnjë revistë letrare, që të bëjë realisht vlerësimin e punës që botohet. Në të gjitha vendet e botës, në të gjitha, jo vetëm në Angli dhe Francë ka revista që paraqesin të gjithë librat që botohen dhe i japin vlerësim, qoftë edhe recesione. Gjithashtu, promovimet e librave që janë nën ndikimin e të gjithë faktorëve negativë, janë promovimet tregtare komerciale dhe nuk ka më veprimtari të vërteta për paraqitjen e librit shqip. Tashmë është ndërmarrë nga Akademia e Shkencave një nismë për të bërë bibliografinë e të gjithë letërsisë shqipe të përkthyer në gjuhën tuaj, kjo nismë duhet që të mbështetet nga qarqet e tjera.

Ne kemi pasur një shoqëri për marrëdhënie miqësore me botën e jashtme. Ishte një shoqëri tërësisht politike, po nuk dua të ndalem këtu. Dua të them se nevoja e një organizmi të tillë është shumë i nevojshëm për Shqipërinë sot, që të promovojë vlerat të kulturës vendase. Lidhja e Shkrimtarëve nuk është më. Ne kemi një bashkësi shoqërore, që i ka kthyer kurrizin librit dhe ia vë fajin lexuesit. Sigurisht që dhe lexuesi ka fajet e veta, por nga ana tjetër duhet të ketë biblioteka në çdo lagje të Tiranës dhe nëpër fshatra, që të organizojnë paraqitjen e librave. Këtë duhet ta kenë të detyrueshme në mënyrë shtetërore. Nëse keni dëshirë që të paraqisni përkthimet e letërsisë botërore ka shumë rrugë, që mund të ndihmojë edhe shtetin dhe mendimin shoqëror.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama