Ne Brazil gjendet nje rezerve e jashtezakonshme nafte

Në Brazil gjendet një rezervë e jashtëzakonshme nafte

Ndërsa kompania shtetërore braziliane e naftës "Petrobras" ishte në dijeni të pranisë së basenit prej më shumë se një viti, e vetëdijshme për sasinë e arit të zi që gjendej në të u bë vetëm gjatë muajve të fundit. Më 8 nëntor, zëdhënësit e saj deklaruan se aty flinin nga pesë në tetë milionë fuçi nafte dhe gazi natyror. Lajmi tërhoqi vëmendjen e të gjitha shteteve të rajonit dhe më gjerë. Njëherësh mendohet se kjo rezervë - më e madhja në botë, pas një tjetre të zbuluar në vitin 2000 në Kazakistan - përbën edhe një kartë mjaft të vlefshme politike për vendin.

Në pesë vitet që do të pasojnë ka shumë të ngjarë që Brazili të dalë përpara Kanadasë e Meksikës për sa u përket rezervave të naftës, duke u renditur vetëm pas Venezuelës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në listën e vendeve me rezerva më të mëdha nafte të Amerikës Latine. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm për Brazilin, vend që vetëm një vit më parë arriti të bëhej eksportues energjie falë politikës agresive të prodhimit të etanit nga kallami i sheqerit dhe falë energjisë së përfituar nga era.

"Sa hap e mbyll sytë, Brazili po hyn në arenën ndërkombëtare si fuqi energjetike", tha Peter Hakim, presidenti i Dialogut Inter-Amerikan. "Të gjitha fushat ku kanë përqendruar vëmendjen, nga farat e sojës, te sheqeri, e për të përfunduar te nafta, kanë dhënë rezultate. Kanë pasur fat të jashtëzakonshëm".

Ka motive të forta për të besuar se zbulimi sensacional do t‘i garantojë Brazilit një pozicion të ri mes aktorëve të energjisë, si Bolivia dhe Venezuela dhe jo vetëm për sa i përket kompeticionit ekonomik mes furnizuesve me energji, por njëherësh edhe në arenën politike.

Mjafton të hedhësh sytë nga Venezuela, Presidenti i së cilës e shfrytëzoi naftën e vendit të vet për mbështetjen e një axhende politike agresive karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si brenda kufijve ashtu edhe jashtë. Baseni brazilian, i njohur si Tupi, ofron potencialin për të rritur peshën e së majtës braziliane - e cila, gjithsesi, është më e moderuar se ajo e Venezuelës.

Menjëherë vendet përreth kanë ndier përfitimet dhe rreziqet që mund të bartë për ta ky zbulim. Duke qenë se lajmi për zbulimin vjen pak kohë përpara një takimi të liderëve amerikano-latinë në Santiago të Kilit, Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, pranoi se më pas, gjatë takimit, "u trajtua disi ndryshe" nga liderët e tjerë.

Çavezi kishte vërejtur me nervozizëm se Da Silva tani ishte kthyer "në një maniat nafte". Gjithashtu, kishte sugjeruar me shpejtësi që dy vendet të krijonin një rajon energjetik amazonian, i ngjashëm me integrimin karaibik dhe andean, të cilët kanë qenë në qendër të interesit të Venezuelës.

"Tani Lula ka se ç‘letra të hedhë në tavolinë përballë Çavezit", tha Roberto Teikseira da Kosta, një ekonomist që shërben në degën e investimeve në bursë të Bankës së Zhvillimit të Brazilit. "Është mirë të ketë baraspeshë në Amerikën Latine". Duket se zbulimi i ka dhënë më shumë besim në vete Da Silvës në përballjen me Çavezin dhe të përkëdhelurin e tij Evo Morales.

Të martën, "Petrobras" foli për një projekt të përbashkët për gazin natyror me Venezuelën, duke cituar "motive teknike dhe ekonomike". Zëra nga kompania mohuan amendësimin që ky bashkëpunim mund të kishte të bënte me zbulimin e Tupit.

Një karikaturë në gazetën braziliane "O Globo"
tregonte Da Silvën duke bërë banjo dielli pranë një tubacioni nafte, teksa i frynte një substance të zezë në fytyrë Evo Moralesit. "Lula është plot me gaz: Bëj kujdes Morales", lexonte diçitura.

Kthesa është më se dramatike. Vetëm dy vjet më parë, Morales deklaronte publikisht shtetëzimin e rezervave energjike të vendit të tij. Ky hap ishte një shuplakë e fortë për Brazilin, i cili kishte investuar në këtë fushë në Bolivi. Tani analistët mendojnë se baseni i ri do t‘i japë mundësi Brazilit të marrë një pozicion më të ashpër në negociatat me sektorin e shtetëzuar të energjisë së Bolivisë.

Da Silva u shpreh mbi mundësitë e reja, duke nënvizuar se "me shumë gjasa Brazili do të bëhej pjesë e Opec-ut", karteli global i karburanteve. U ndje aq i fuqizuar, sa të mund të ndikonte edhe në politikat e tij, duke thënë se ky organizëm duhej t‘i ulte çmimet e naftës. Tha gjithashtu se "Brazili nuk do të tërhiqej as edhe një milimetër" nga politikat e tij lidhur me burimet alternative të energjisë. Brazili qëndron mbi fermën më të madhe në rruzull, që nga çasti kur shfrytëzon një pjesë të vogël të prodhimit të kallamsheqerit për metanol.

Megjithëse nafta e sapozbuluar do të mund të rrjedhë nëpër tubacione jo më shpejt se për pesë vjet, deklarata mbi potencialin e basenit mund ta ndihmojë Da Silvën t‘u shpëtojë kritikave, sipas së cilave vendi po i drejtohej krizës energjetike, për shkak të pakësimit të rezervave të gazit natyror.

Janë ngjallur njëherësh shpresa edhe për zbutjen e krizave energjetike te fqinjët e Brazilit, në mënyrë të veçantë Argjentina dhe Kili, të cilat po përballen me probleme të mëdha për shkak të pakësimit të rezervave të gazit natyror.

Gjatë dy dimrave të fundit, Argjentina ka prerë ndjeshëm furnizimin me gaz drejt Kilit, duke bërë që ky vend t‘i hidhte sytë gjetiu për të zëvendësuar mungesat, ndërkohë që shtetëzimi i burimeve në Bolivi ngriti dyshime mbi mundësitë e saj për të ngopur kërkesat në rritje nga ana e fqinjëve. "Të gjitha vendet e Amerikës Latine po kërkojnë të gjejnë pavarësinë energjetike, pasi nuk u besojnë shumë fqinjëve", nënvizoi Hoakim.

Vetëm një javë më parë, Presidenti i Kilit, Baçelet, hodhi poshtë ofertën e Çavezit për t‘i siguruar naftën e duhur, për të plotësuar nevojat e transportit publik të Santiagos. Baçelet tha se kilianët janë në gjendje ta zgjidhin "vetë" këtë problem.

Ndërkaq, "Petrobras", e cila është specializuar në eksplorimet e burimeve nën det, do t‘i duhet të punojë shumë për shfrytëzimin e rezervës së sapozbuluar, së pari për shkak të thellësisë në të cilën gjendet nën ujërat e detit dhe së dyti, për shkak të përbërjes shkëmbore të tij. Nga ana tjetër, edhe në rast se rezerva është aq e madhe sa ç‘thuhet, rezervat braziliane as që mund të krahasohen me ato të Venezuelës. Në rast se në basenin e Tupit do të fshihen 5 milionë fuçi, një gjë e tillë do ta çonte potencialin total të Brazilit në 17 fuçi - as që mund të krahasohet me rezervat e Venezuelës prej 80 milionë fuçish.

"Kjo sasi nafte premton për të ardhmen, jo për sot e as për nesër", tha Lerri Goldshtein, drejtor i Fondacionit të Politikave Energjetike në Uashington. "Po të isha si Çavezi, nuk do ta prishja shumë gjumin - të paktën jo tani për tani".

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama