Nje vit nga Hena e Shqiperise profecite e permbushura te Blushit

Nje vit nga Hena e Shqiperise, profecite e permbushura te Blushit

Rreziku i ekstremizmit fetar me ISIS dhe masakrën e Charlie Hebdo, lëvizjet islamike në Shqipëri e Kosovë, tkurrja e popullsisë, varfëria dhe ikja masive e shqiptarëve që kërkojnë azil në Perëndim. Ja çfarë u përmbush në një vit nga profecitë e Blushit

 

Shqipëria është me hënë

Më shumë pabarazi ekonomike, më shumë radikalizëm politik, më shumë ekstremizëm fetar, më shumë nacionalizëm dhe më pak rëndësi e peshë ndërkombëtare, shkruani në librin tuaj. Një vit pas profecive të Blushit, shumë prej atyre që parashikoi një vit më herët kanë marrë trajtat e një realiteti pesimist, që rrezikon të bëhet një e vërtetë e frikshme…

Një Nostradamus i kohëve tona, një lloj profeti politik që shkruan në librin e tij të parashikimeve fatet e një kombi. Një vit pas botimit, profecitë që dukeshin të largëta u bënë parashikime të sakta. Disa të përmbushura. Të tjerat?! Nuk mund t’i quajmë të rrëzuara përderisa autori-profet i ka shtrirë në një vegim mbi njëqind vjet. Një profeti si Ben Blushi nuk iu deshën vegime nga lajmës përtejbote për të dalë në disa konkluzione; pesimiste për shumë, të papajtueshme për disa, por të gjithë bien dakord që ka hapur debate qysh prej një viti kur eseja e tij “Hëna e Shqipërisë” u botua nga shtëpia “UET Press”

Autori ka referenca për ndryshimet sociale dhe statistika nga institucione ndërkombëtare që tregojnë se si përkeqësohen treguesit socialë të vendit.

Më shumë pabarazi ekonomike, më shumë radikalizëm politik, më shumë ekstremizëm fetar (të krishterë dhe myslimanë) më shumë nacionalizëm dhe më pak rëndësi e peshë ndërkombëtare.

Një vend i mërzitshëm pesimistësh, një vend me hënë, ashtu siç edhe ka zgjedhur ta titullojë. Nëse shumë e kanë krahasuar me një program politiko-ekonomik të tipit

“Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është dhe ç’do të bëhet”, në programin e Blushit nuk ka nota romantike e as optimiste.

Një profet për fatet e ardhshme të Shqipërisë, apo një llogaritës i zhvillimeve aktuale që do të lënë këto pasoja në të ardhmen?

Profecitë e Blushit nuk vonuan shumë në përmbushje. Shumë më përpara se ta kishte parashikuar ai. Ndërsa libri ndodhej në botim, disa prej atyre që shkruheshin nisën të merrnin trajta në realitet.

Shqiptarë që luftojnë për shtet islamik në Siri nën flamuj organizatash terroriste, apo të tjerë shqiptarë që “mbysin” me fjalë urrejtjeje njëri-tjetrin në rrjete sociale apo gazeta për shkak të besimit fetar. Popullsia që plaket e tkurret, ekonomia do zhytet në krizë dhe do të prodhojë edhe më shumë varfëri, skepticizëm në Bashkimin me Europën dhe mosvullnet për bashkimin etnik mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, pengesa që nuk do vijnë as nga serbët, as nga rusët e europianët, por për shkak të indiferencës nga ana e vëllezërve përtej kufirit.

Blushi godet edhe qeverisjen e keqe, megjithëse për këtë përgjigjja e tij është disi diplomatike- megjithëse kritikat e tij kanë qenë haptazi duke u përshkallëzuar kohët e fundit në retorikën politike. Blushi thotë se më shumë sesa me qeveritë është marrë me fenomenet.

Pse e ka çuar analizën e tij në të ardhmen? Ai thotë se të menduarit futurist është në genet e njeriut. “Duke parë Shqipërinë e sotshme, Kosovën e sotshme, duke parë zhvillimet e brendshme, raportet me Europën apo raportin me religjionet, kam krijuar disa mendime të cilat kam dashur t’i ndaj me lexuesit”, – është shprehur ai.

Nëse profecitë çkodohen me gjuhë metaforash e simbolesh, ajo e Blushit e bën me aktualitet politik. A vjen skenari pesimist prej natyrës pesimiste që ne, shqiptarët kemi si popull apo tendenca globale me pasojë orteku merr edhe Shqipërinë në këtë vorbull lunatike?

Pas 200 vjetësh, pra më 2214, ndoshta Durrësi, do e ketë humbur shumicën e bregut të vet. Rrugët, pallatet dhe restorantet, përmes të cilave kalojmë sot për të shkuar në plazh mund të jenë nën ujë. Deti do ketë ardhur shumë thellë, për ta kredhur amfiteatrin antik të Durrësit sërish në errësirë. Një numër i madh Shqiptarësh që sot nuk kanë lindur do patrullojnë bregun duke u kacafytur e ujin për të ruajtur tokën. Dallgë të mëdha do të përplasen mbi brigjet de anijet e atyre viteve do të thërrmohen si biskota mbi trotuaret e plazheve dhe tarracat e hoteleve. Me dhjetëra mijëra njerëz qenë shekullin e ardhshëm do jenë vendosur mes Tiranës dhe Durrësit do të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm….Pesimizmi, shkruan autori i ngjan diabetit; një sëmundje që e mpin nevojën për ndryshim. Prek të gjitha shqisat, duke zvogëluar shpejtësinë e reflekseve dhe kalbur ngadalë”, shkruan ai.

“Nëse pesimizmi do të kishte një simbol, them se hëna do të ishte simboli i tij. Ndryshe nga dielli që shkëlqen, që ushqen, që ngroh dhe ndriçon, hëna është e varfër, e shurdhët, e zbehtë dhe e ftohtë. Ajo sjell natën dhe e vë botën në gjumë. Në kultura, popuj dhe fe të caktuara hëna simbolizon fenomene të ndryshme, nga ato që lidhen me besimin dhe deri tek ato që lidhen me psikologjinë. Hëna simbolizon misterin, hijen, tranzicionin, intuitën, meditimin, emocionin dhe pasivitetin. Por asnjëherë nuk identifikohet me shpresën. Sepse hëna nuk prodhon dritë. Ajo pasqyron dritën e të tjerëve”, – mendon autorit.

Po nëse shqiptarët dhe Shqipëria është me hënë, nuk do të ketë ndonjë hënë të mirë në të ardhmen?

 

Pesimist apo realist ?

Çka u përmbush nga profecitë e Blushit

Edhe pse do duhet të presë të paktën 100 vjet për të marrë përgjigjet e pyetjeve dhe dyshimeve që shtron, sprova e Ben Blushit “Hëna e Shqipërisë” mund të numërojë si të vetat një sërë hipotezash që u konfirmuan në më pak se një vit. “Ekstremistët evropianë do të vijnë duke u shtuar dhe forcuar, duke bërë ciklin e tyre historik dhe për të paktën dhjetë apo njëzet vitet e ardhshme në parlamentet e të gjithë vendeve, me përjashtim të Gjermanisë të cilës i drejtohet ky ekstremizëm”, shkruan Blushi në librin e tij.

Rreziku që erdhi nga ekstremizmi fetar

Ai, ashtu siç edhe të tjerë e kanë paraparë, kishte të drejtë. Në Francë, Britani dhe një numër vendesh të tjera ekstremistët u bënë më të fortë dhe pritet shpejt të marrin qeverisjen nëse situata do të mbetet e njëjtë. Në Greqi fitorja e Syriza-s është konfirmimi i kësaj teze, që e vë Europën nga nesër para një prove të vështirë të mënyrës se si po i zgjidh problemet e veta duke kërkuar që ajo të lërë më shumë hapësira dhe më shumë frymëmarrje, për të dobësuar dhe lënë pa ushqim ekstremet. Ngjarje si akti terrorist në gazetën e përjavshme Franceze CharlieHebdo e kanë bërë edhe vetë autorin e “Hëna e Shqipërisë”, botim i UET Press, të shohë nga një dritë tjetër ndryshimet në Europë. Blushi shkruante vetëm pak ditë më parë se megjithë terrenin që kanë fituar ekstremistët, këta të fundit kanë përballë një Europë që e ka kuptuar se nuk do të gjej shpëtimin tek ekstremizmi.“Europa ka vuajtur shumë për t’u plagosur, ka lexuar dhe shkruar shumë për vetëvrasjen, ka vizatuar aq shumë natyrën e ndryshueshme të njeriut dhe sigurisht ka aq pasuri sa për të kuptuar se mbyllja, fshehja dhe izolimi më shumë dëmton guaskën sesa detin”, shkruan Blushi. Kjo nga një anë duket sikur përmbys pozicionin e tij mbi shtim e ekstremizmit, por nga ana tjetër më shumë se kaq autori, fitues i çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë, beson se ky ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm në kursin e parashikueshëm e të llogaritur të historisë. “Para Charlie Hebdo gjithë këto pritshmëri ishin utopike për shkak se bota lëvizte më një shpejtësi të llogaritshme që e maste reformimin me metrin e pesimizmit të djeshëm dhe më peshën e frikës së sotme”.

radikalët duken më shumë, ndërsa lajmi keq është lajm i mirë. Nëse vret bëhesh lajm si ndodhi në Paris. Jo të gjithë myslimanët e Francës janë terroristë. Franca ka 5-6 milionë myslimanë. Të jeni të bindur që më pak se 1% e tyre mund të jenë radikalë dhe më pak se 0.001% e tyre kanë nevojë për të vrarë, pra të moderuarit janë gjithmonë më shumë. Dhe në Shqipëri, por ata nuk bien në sy, se shkrihen me masën tjetër.

Lëvizjet islamike në Shqipëri

“Rreziku i krijimit të një lëvizjeje islamike, në Shqipëri dhe Kosovë, është shumë i madh. Islami radikal po gjen mbështetje te njerëzit e varfër dhe të pashpresë. Me kalimin e kohës, shqiptarët e Shqipërisë do të jenë më të interesuar për Bashkimin Kombëtar, kurse shqiptarët e Kosovës do të jenë kundër. Sot kultura kosovare është shndërruar në tendencë për gjithë shqiptarët”- kështu mendon Blushi Ndërkohë ai sigurisht ka mundur të parashohë në një farë forme forcimin e polarizimit fetar të Shqipërisë. Natyrisht kontradiktorë si çdo parashikim, vlerësimet e Blushit do duhet të kalojnë prej pritjes madhështore që iu rezervua Papës, në debatet në rritje mes grupeve fetare në vend dhe hapësirës gjithmonë e më të madhe që zë feja në debatin publik. Shtimit të islamofobisë si paranojë prej terrorizmit dhe nga ana tjetër shtimi i radhëve të radikalëve fetarë janë shenja se jo gjithçka shkon fjollë. Sherri i fundit është “grindja” në Shkodër mes dy komuniteteve për pronësinë në një objekt kulti që është njëkohësisht edhe kishë, edhe xhami.

“Një nga gjërat që kam shkruar, duke marrë parasysh rastin e Turqisë, është se një diell na ka ngrohur, në disa raste na ka verbuar, na ka lënë pa sy 500 vjet…kam shkruar duke pasur parasysh debatet që bëhen sot në botë, krisjen e besimit ndaj partive politike sot në vend. Ka një krizë të përgjithshme besimi. Njerëzit nuk i besojnë sa u besonin në vitet ‘90, apo në qoftë se para 10 vitesh apo para një viti e gjysmë…”, – është shprehur Blushi.

Një skepticizëm në përgjithësi ndaj klasës politike dhe ndaj shtetit, ndaj pamundësisë që ka klasa politike për ti shërbyer mirë njerëzve, për të zbutur varfërinë, për të zbutuar polarizimin, për të zhdukur korrupsionin, për të krijuar më shumë vende pune, për të krijuar më shumë qetësi dhe edukim, shëndetësi dhe më shumë çmime të lira. Në këto kushte ka një humbje të besimit në këto gjëra shumë njerëz e gjejnë besimin tek fetë. Duke qenë se jemi një vend me shumicë islame, feja myslimane rrok më shumë njerëz dhe shpirtra. Në këtë kuptim, se mos e zgjas, kam thënë, në një të ardhme nuk përjashtohet fakti që të kemi organizime me karakter fetar, si në Kosovë. Në Kosovë janë dy parti,të regjistruara në zgjedhje me nuance totalisht fetare. Në Turqi e kemi në pushtet prej gati 10 vitesh, në Europë po bëhet ky debat masivisht, por nuk ka gjasa të ndodhë. Por ne si vend me predominancë fetare, me këtë humbje besimi ndaj shtetit nuk e përjashtoj që mund të ketë parti me nuance fetare dhe që pastaj do futet në tregun normal të partive, duke bërë aleancë me njërën apo me tjetrën. Por duke pasur nuanca, ndoshta ky mund të jetë avantazhi i tyre, pavarësisht se unë nuk e uroj.

Forcimi i pozitave të Gjermanisë

Hipotezat e Blushit për një rol gjithmonë e më të fortë të Gjermanisë në Europë po ashtu kanë marrë formë. Anëtarët e Syriza, një parti që vjen nga ekstremi po i majtë, në Greqi festuan dje duke mbajtur parulla anti Gjermani. “Natën e mirë zonja Merkel”, shkruhej në njërën prej tyre, për të dëshmuar se përtej inatit me politikën e brendshme vota e djeshme në vendin fqinj ishte dhe një fitore nga ajo që shihet si diktati financiar Gjerman. Blushi veten e gjen pikërisht në këtë front. “Prandaj, nëse do isha grek, do votoja të dielën për Syrizën. Jo si socialist. As si rebel. Aq më pak si utopik. Por si europian. Sepse dua të besoj në fuqinë që kanë përrallat për të krijuar utopi”, shkruan ai, duke besuar se kjo zgjedhje vë në provë një makineri që është e përsosur gati, por që duhet të ndalojë për të pritur edhe ata që janë më të ngadaltë.

Kriza që vijnë nga keqqeverisjet

Është e vërtete se një prej arsyeve, siç edhe dëshmon historia, që ka ndikuar në problemet që kanë pasur shqiptarët apo fakti se kemi mbetur popull i vogël, nuk është klima, nuk është mungesa e ujit, nuk është mungesa e burimeve natyrore, por ka qenë mënyra se si kemi qeverisur apo si na kanë qeverisur të tjerët gjatë historisë. Edhe në këtë rast kam shfrytëzuar një statistikë, e kam diku në pjesën e parë të librit, se si duke u qeverisur më mirë disa popuj që vite më parë kanë pasur numër të ngjashëm me ne të banorëve, sot janë bërë më të mëdhenj. Ne jemi qeverisur keq gjatë këtyre 100 vjetëve, madje jemi qeverisur shumë keq. Jemi qeverisur shumë keq prej atyre që na kanë sunduar për 400-500 vjet, kemi ngelur popull i vogël, kemi humbur territore, u ndamë, patëm komunizmin, tash kemi tranzicionin më të keq.

Klasa politike, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, nuk janë më të besueshme për shkak të cilësisë së qeverisjes dhe reformave që s’po i bëjmë dot. Në këtë situatë, mobilizimi fetar mund të krijojë shumë terren. Shumë njerëz të varfër, njerëz të pambështetur, sidomos të rinj pa shpresë mund t’iu bashkohen lëvizjeve të tilla. Në shumë vende të varfra, edhe në Shqipëri, kjo ka zëvendësuar si organizim, si frymëzim, si shpresë – jo vetëm partitë politike, por më shumë se kaq. Një vend në krizë, që sipas tij do të vijojë gjatë me një politikë të paaftë për të bërë reforma dhe të lidhur fort me biznesin, saqë siç shkruan ai, është e pamundur tashmë të dallosh se cili është politikani dhe cili është biznesmeni. Megjithatë, njëjtë siç e parashikon në libër, Blushi thotë se shqiptarët i presin hiç më pak se 100 vjet të vështira, ndërsa ndryshimi nuk vjen duke ndryshuar qeveritë, por tërë modelin politik të shqiptarëve. Derisa e bënte këtë vlerësim, ai nuk e përjashtoi vetën si një nga ata që duhet ta arrijnë ndryshimin e nevojshëm.

Varfëria

Një tjetër pikë ku Blushi duket se ka të drejtë është thellimi i pabarazisë në botë edhe në Shqipëri. Raportet ndërkombëtare sugjerojnë se shumë shpejt 1 për qind e popullsisë së botës do të ketë më shumë se 50 për qind të pasurisë së saj. Shqipëria nuk është përjashtim në këtë thellim të pabarazisë ndikuar kjo edhe prej krizës globale. Blushi e sheh Shqipërinë si një vend që importon shpejt pikërisht problemet e kontinentit dhe që për shkak të problemeve të brendshme e ka të vështirë të dalë prej tyre. Parashikimi për një thellim të krizës ekonomike duket po ashtu i vërtetuar për sa kohë vendi nuk po mundet të marrë veten nga rënia dërrmuese e remitancave dhe po ashtu nuk ka gjetur ende një rrugë ekonomike se si do ta kompensojë atë.

Një vend në krizë, që sipas tij do të vijojë gjatë me një politikë të paaftë për të bërë reforma dhe të lidhur fort me biznesin, saqë siç shkruan ai, është e pamundur tashmë të dallosh se cili është politikani dhe cili është biznesmeni.

Dëshira e munguar për bashkim

Në të ardhmen beson Blushi  tendenca për një bashkim kombëtar do të vijë duke u zbehur në Kosovë. Shpresoj se koha do të më japë të drejtë.

Është e vërtetë se Shqipëria ka dominuar mendimin kulturor të shqiptarëve për të paktën 100 vjetët e fundit, prej që është bërë shtet. Duke qenë shteti amë, duke qenë shtet i pavarur,

në ambientin prishtinas autori është sfiduar shumë për çështjen e bashkimit kombëtar.

“Po, duhet të bashkohen dhe pa kushte, pavarësisht asaj që ka skeptikë në lidhje me këtë edhe nga Kosova, po ashtu edhe nga shteti shqiptar. Pesimizmi është një cikël. Kemi jetuar në mes dy perandorive të ndritshme, në mes dy civilizimeve, dhe prapë jemi popull i prapambetur”, – ka nënvizuar autori.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama