Camaj pa kapele bavareze...

Camaj pa kapele bavareze...

Jeta e Martin Camajt ishte plot kontraste. Personi i tij ishte i qetë dhe pak si timid. I lindun në shenjën zodiake të gaforrës, ai hedhte nji hap përpara, nji mbrapa, dy përpara... Megjithatê, ai arriti dhe sendërtoi shumë në jetë – Martini i Temalit të Mbishkodrës luftoi me sukses për instalimin e profesurës së albanologjisë në universitetin e Munihut dhe u bâ titullari i saj i parë në kohë kur këndej kurrkush s’interesohej për albanologjinë dhe për vendin plotësisht të izoluem në skâj të Europës. Martini i Temalit, nji djalë bariu, âsht bâ poet i rangut europian dhe botnor – edhe pse vendlindja e tij, me gjithë epshin e saj për figura me nam ndërkombëtar, Camajn s’e njeh si të tillë.


Martin Camaj nuk ka kenë njeri vendimesh të shpejta dhe instinktive. Ai përsiatej shumë, këshillohej gjatë me veten apo dhe me ndonji mik dhe ishte ndërdyzash para se me vendosë për ndonji gjâ. Nganjiherë dukej si me kenë “ndërdyzash si i huej mbi dhé”, siç thotë titulli i nji proze lirike te vepra e tij Dranja. Madrigale për fatin e një frymori të papërsosun, nji madrigal që përshkruen se si “breshka Dranje gëzon jetën e shkurtë të andjes mes vjeshtës e dimnit, jo si grethi za-shtjerrun që ngopet me mushtin dehës të rrushit për ta mbyllë gjallnesën si në jerm ashtu si burrat e ngrimë në borë në Qetën e Berishës, përmbas Cukalit.”


Në dhomën e tij të punës, në tryezën e shkrimit, Martin Camaj kishte nji koleksion të madh breshkash, figura breshkash në të gjitha trajtat, ngjyrat dhe materiale. Ai i donte breshkat e fliste me shumë qejf për punë breshkash, ku theksonte ndjeshmëninë e tyne të hollë me të cilën i parandjejnë shkundullimat. Deri diku, me natyrën e tij paqësore që nuk ishte në gjendje me ia bâ ndonji të keqe kurrkuj, me nji rrashtë të fortë që mbronte ndjeshmëninë e tij të jashtëzakonshme prej lëndimesh nga jashtë, njeriu Camaj i ngjante kafshës së tij mâ të preferueme, breshkës.
Në atë kohë të miqësisë me Martin Camajn, unë kisha nji qen pekinez. Qeni e donte shumë profesorin dhe ky sillej bukur me qenin, por disí i rezervuem. Nji ditë ma tregoi pseun. Si djalë i vogël, ai kishte nji shok të vërtetë, nji qen ujk. Tanë kohën e kalonte me qenin, madje tue kalërue mbi tê. Nji mëngjes prej mëngjeseve, qeni nuk ishte. Martini shkoi me e kërkue dhe e gjeti te prroni, të shqyem e të copëtuem prej ujqve. Uji i prronit ishte i kuq. Prej asaj dite, Martini nuk ishte mâ në gjendje me due nji qen.


Vjet me radhë, gjatë periudhës së semestrit universitar, mbas ligjeratave të tij, Martin Camaj vinte në banesën time që e kisha afër universitetit, pinim çaj dhe bisedonim për punë letërsiet në përgjithësí dhe për poezitë e tij në veçantí. Gjatë gjithë këtyne vjetëve, kurrë s’kam ndie as edhe nji fjalë të ashpër prej tij. Kur kishte nji vërejtje për përkthimin tim të poezive të tij, nuk e thoshte vrazhdë, por me shumë delikatesë. “Edhe gjermanisht due me qenë Camaj, jo Camaj me kapelë bavareze”, tha.


Ishte pothuej e pamundshme me pasë sherr me Martin Camajn. I vetmi njeri me të cilin grindej, ishte miku i tij mâ i ngushtë, Arshi Pipa. Ata të dy dijshin me u grindë, gjithnji vetëm për nji temë të vetme, për përziemjen e Pipës të punëve letrare me politikën.
Shpesh çdo lloj komitetesh, shoqatash, organizatash a partish politike të mërgatës shqiptare, tentojshin me e bâ Camajn për vete, me e angazhue për qëllimet e tyne politike. Mirëpo, ky i mbette besnik parimit të vet mos me u përzie në punë politike të komiteteve, shoqatave e organizatave në mërgim. Përndryshe, në politikë ai nuk i kishte simpatí konservatorët por liberalët.


Ndër biseda, Camaj fliste me zâ të ultë dhe fjalët i matte mirë. Kur i bâje nji pyetje, shpesh heshtte gjatë për t’u mendue mirë dhe mbasandej të befasonte me nji përgjigje fare të papritun. Mbas “pleqnimit më vete”, mbas dyshimesh e të kenët ndërdyzash, Camaj gjithmonë mbërriti te kjartësia. Përgjigjet, prononcimet a gjykimet e tij ishin aq kuvendvogla e të thjeshta në dukje, sa dhe të kjarta e të kthjellta, si të kullueme në “kthjellësinë e idhtë / edhè nësè pa gjuhë”. Kurrë nuk të jepte ndonji përgjigje me fjalë boshe a fraza stereotipe, siç e kanë zakon me i çaprashitë letrarët që mendojnë se janë njerëz të posaçëm e ku çdo fjalë e tyne duhet me kenë diç e jashtëzakonshme. Pesha e fjalës së Martin Camajt qëndronte – si dhe në vargjet e tij – në thellësinë e saj të kombinueme me trajtën e jashtme të gdhendun deri në thjeshtësí të skâjshme. Punët që i kishte sidomos për zemër, i thoshte në mënyrë sidomos joimponuese dhe modeste, shpesh me dy-tri fjalë a me nji gjysmëfjalí. “Mos me u përlye”, tha për shembull, në vend të nji logoreje të gjatë. Edhe pse të befasonte me përgjigje e qëndrime të paprituna e jo konvencionale, fjala e tij kurrë nuk ishte zhanglluese. Etiketimet dhe insinuata në nivel personal që bâhen shpesh mes letrarëve shqiptarë, Camajt i ishin absolutisht të hueja. Ai fliste shkoqun, me argumente e parime.


Po aq skrupuloz që ishte në të folunit e të vepruemit, ai sillej edhe me krijimet e tij letrare. Poezitë i konsideronte “fëmijtë e mi” dhe i përpunonte, lëmonte e gdhendte aq sa nji prind i mirë e rrit dhe edukon fëmijën, para se me e lëshue me e marrë botën ndër sy. Çdo botim i nji vepre ishte nji luftë e vërtetë e Camajt me skrupujt e tij dhe, si nji prind plot dashní për fëmijnë e vet, e kishte vështirë me i thanë lamtumirë fëmijës. Po aq zor e kishte punën e përkthimit të veprës së tij. Shumë njerëz, miq e kolegë, sidomos në botën anglishtfolëse, njerëz qëllimmirë por edhe njerëz që dëshirojshin me u profilue mbi kurrizin e emnit të tij, ofroheshin me ia përkthye poezitë. Ai nuk kishte besim e refuzonte të gjitha ofertat; nuk donte që fëmijtë e tij të dilshin në botë të përçudnuem a të sakatuem. Nëse pranoi punën e nji përkthyesi, bashkëpunonte ngushtë me tê tue i dhanë atij të gjitha shpjegimet e duhuna, edhe pse përndryshe evitonte me folë për poezinë e vet.


Nji kapitull me vete qe e vetmja mbramje letrare e Martin Camajt në Gjermaní. Botimi i parë i poezive të Camajt në gjermanisht âsht bâ më 1990, te revista letrare Sirene. Redaktorët e revistës kuptuen se po botojshin nji poet të madh dhe organizuen nji takim të autorit me publikun gjerman. Martin Camaj kundërshtoi fort. “Nuk di me recitue”, ngulte kambë, “unë lexoj dobët”. Mbas nji lufte të gjatë e të randë, mâ në fund ai pranoi me u shfaqë para publikut e me lexue nji cikël poezish shqip (versionet gjermanisht i lexoi nji aktore teatri) dhe – ai lexoi për mrekullí. Për fat të mirë, në të vërtetë, nuk dinte me “recitue”. Leximi i tij bani përshtypje të thellë mbi të pranishmit. Camaj i lexoi poezitë fort natyrshëm e me thjeshtësí të përsosun të kombinueme me ekspresivitet të jashtëzakonshëm. Thjeshtësia e leximit të Camajt, larg çdo bombastike recitimi poezivrasës, ishte simptomatike: si vetja e tij ashtu dhe vepra e tij ndërthuren prej kompleksitetit dhe thellësisë, që manifestoheshin me thjeshtësinë e madhe të shprehjes dhe dukjes së tyne të jashtme.

Martin Camaj nuk ishte shkrimtar që prodhonte rregullisht nji sasí të rregulltë krijimesh letrare. Në vjetët ’50, si student i albanologjisë në universitetin e Romës dhe kryeredaktor i revistës Shêjzat, si autor poezish dhe autor i romanit poetik Djella, Camajt iu dha mundësia me bâ karrierë në letërsí. Ish profesorët e tij të Kolegjit Saverian të Shkodrës, kishin lidhje të forta me nji revistë të randësishme kulturore e letrare të Milanos, La Fiera Letteraria, dhe i ofronin Camajt me e afirmue atê si shkrimtar me anë të atij organi kulturor. Me nji kusht: me shkrue çdo vjet nga nji libër. Camaj refuzoi: “Nuk mund të shkruej me porosí!”, tha. Ishte ende plot revoltë e indinjatë kur më tregoi këtë episod, mâ se 25 vjetë mâ vonë.


Martin Camaj zemrën s’e kishte akull. Nuk ishte në kontakt me familjen e vet në Temal, familjen në Shqipní e kishte mall, por nuk mbante lidhje me tê, mbasi nuk dëshironte me e vû në rrezik. “Mâ mirë mos me dijtë gjâ për ta”, tha me nji farë humori të idhtë. Mirëpo, zemra e tij rrihte gjithnji për “njerzit e mij”. Zemra e profesorit universitar rrihte për njerzit e thjeshtë. Profesori shkonte me punëtorë krahu, shqiptarë prej Kosovet, nëpër zyra gjermane tue i ndihmue ata me gjetë banesë e punë. Nuk janë të paktë ata që i ndihmonte edhe me para. Mbramjeve ishte koha për të folë në telefon me Martin Camajn, mbas orës 19:30, mbas përfundimit të Ditarit në kanalin e dytë televiziv gjerman. Në këtë kohë ai fliste me familjen e vet të gjanë, dmth. me shqiptarët mërgimtarë anëmbanë botës, me profesora a studentë dhe punëtorë a gazetarë, prej Gjermaniet e Italiet deri në Amerikë.


Martin Camaj nuk ishte shkrimtar i tipit “mërgimtar”. Nuk shkruente vjersha sentimentale për vendlindjen, nuk e përshkruente me lot në pendë pejsazhin e vendlindjes. Nuk shkruente as pamflete me ideologjí antikomuniste. Nuk ishte poet politik. Në veprën e tij hasim vetëm nji gjysmë duzinë poezish me përmbajtje shprehimisht politike, të cilat ndërkaq nuk përzihen me politikën e ditës, por i trajtojnë temat e dhunës. “Nuk jam njerí i politikës. Jam njerí politik”, ka kenë deviza e tij.


Gjatë përkthimit të vëllimit “Njeriu më vete e me tjerë”, hasa në vështirësí me përkthye tekstin “Zjarme në brezin e malit”... I propozova Camajt me e lanë mënjanë tekstin në versionin gjermanisht të librit, sepse nuk ishte në nivelin e abstrakcionit të teksteve të tjera të “Njeriut”, por ishte mjaft plakativ. Ai pohoi se poezia në fjalë ishte plakative dhe tha “ama në këtë rasë nuk shkon ndryshe”. Mâ vonë, kur e përfundova përkthimin e librit, e përktheva edhe poezinë “plakative” të Camajt...


Ai kurrë nuk fliste negativisht për Shqipninë. Për diktaturën staliniste po, por jo për vendin e vet të zhytun në mjerimin e totalitarizmit. As nuk fliste kurrë ndonji fjalë të keqe për shqiptarët. Prore i përmendte si “njerëz të mij”. Ai nuk i donte fare “fjalët e mëdha” siç i quejti, nuk e duronte patetikën. Kështu, kurrë s’kam ndie prej tij fjalë si “patriotizëm” a “kombtarizëm” etj. Në muret e shtëpisë, që e ndërtoi në malet e Bavarisë, nuk shihje asnji flamur shqiptar, por shihje nji lahutë dhe piktura të piktorit shqiptar prej Malit të Zi, Gjelosh Gjokaj.


Martin Camajt i pëlqente me shtegtue ndër malet ku e kishte shtëpinë, ndër malet që ia përkujtojshin alpet shqiptare. I pëlqente me u tërhjekë në vetmi, me i ngjeshë mendimet e ndjenjat për tekste letrare. I duhej vetmia për t’u thellue ndër mendime. Po kështu i duhej edhe shoqní. Martin Camaj nuk ishte eremit në kullë fildishte. Në Gjermaní kishte krijue nji rreth miqsh e kolegësh, me të cilët mbante kontakte të rregullta. Për ditëlindjen, kah fundi i semestrit veror, i ftonte të gjithë, përfshì dhe studentët, për nji “festë verore” ku kishte mish të pjekun, ambëlsina, kafe e birrë me bollëk. Shtëpia dhe kopshti i Camajve gumëzhishin bisedash nga mâ të ndryshmet. Camaj mund të karakterizohet me titullin e nji vëllimi të tij poetik, ai ka kenë “Njeriu më vete e me tjerë”.


Dysia e të kenët më vete e me tjerë ishte njiherësh karakteristike për personin dhe veprën e Camajt. Ai ka kenë edhe shkrimtar, edhe shkencëtar. Si shkrimtar ka kenë edhe poet, edhe prozator. E ka dashtë si sistematikën gjermane në punët e shkencës ashtu dhe, për krijimin letrar, vegimet e andrrimet për të cilat më tregoi që i kishte ndjekë si fëmijë kur kalonte gjithë ditën ndër bjeshkë tue ruejtë grigjen e deleve. Nji ditë më bani pyetjen “a e sheh vetëm dukjen e jashtme të sendeve apo edhe diçka përmbas tyne?”


Qysh në rininë e hershme, Camaj jetonte “mes dy botnave” (bletën e ambël e mushkajën pelini / e njofti çdo lule ndër fushat tona / e kam mjaltë e helm në gjak). Prej katundit kaloi në qytet, prej botës malore në atê të fushës. Ndryshimin e ndjeu edhe në lëkurë. Nalt, ndër male, gjindja visheshin me lesh, poshtë në fushe me lî. Në lëkurë, ndryshe ndjehet leshi dhe ndryshe lini. Edhe mâ shumë se 50 vjet, mbasandej, Camaj e ndjeu ende ndjesinë e dy materialeve të ndryshme në lëkurë, si e kishte ndie si nxanës i Kolegjit Saverian me prejardhe prej bjeshkëve. Botën malore, prej së cilës Martini i vogël kish dalë në Shkodër, e karakterizon edhe ky tregim i çuditshëm: malësorët në Temal shihshin “hije” në ajër tue besue se ata ishin shpirtnat e të vdekunve. Çuni Martin i bani pyetje famulltarit, i cili kish studjue në Graz të Austrisë dhe kishte shumë vjet që punonte atje nalt ndër malësorët: “At Pepa, ç’mendon për punën e hijeve?” “Tani, mbas aq vjetësh që jam këtu, i shoh dhe vetë”, tha prifti.
Fjalët “dy”, “dyshë”, “ndërdyzash” i hasim në poezitë e Martin Camajt afro 280 herë. Në “Legjendën e Shotës” te “Njeriu më vete e me tjerë”, lexojmë vargjet tejet karakteristike: Zemra ime asht e ndame dyshë/ dyshë mes dy dhenash/ dyshë mes dy kohnash/ dyshë mes dy shijeve:/ të ujit e të venës së kuqe. / Pa qenë trimneshë, kam dy zemra/ në parzëm, plot me dëshira binjoke”.

Në poezinë me titull “Mbas kryqëzimit të zogjve” lexojmë, fjala vjen, edhe këto vargje: dhe rruga asht e ndame dyshë,/ gjysma akull e gjysma diell. Kështu, mund të gjejmë edhe shumë shembuj të tjerë që e dokumentojnë polaritetin, parimin e binaritetit te Martin Camaj, ndamjen më dyshë – ndamjen mes integrimit në dheun e huej dhe shkëputjes nga dheu i vet, njeriun më vete e me tjerë, djalin bari e studentin nëpër metropole, bashkëjetesën e poetit me gjuhëtarin etj.


Camaj, gjuhëtar me pasion e shkrimtar me obsesion, kishte edhe nji veçorí për të cilën nuk flasin studimet e camajologjisë – ai kishte nji ironí të hollë. Njiherë, në poezinë “Bleta në veri”, futi nji moto paksa enigmatike: - Kundër thanjes së Herodotit/ si mbas të cilit andej Istrit/ nuk gjallnuekëshin bletë. (Libri V, 1.) Citatin ma shpjegoi kështu: “Këtu i kam shkelë gjithë rregullat e citimit shkencor. Kam bâ gabim gjithë ç’kam mujtë me bâ gabim.”


Gjuhëtari Camaj rrëfeu: “Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten.” Puna s’âsht që nuk e njihte gjuhën e unjisueme. Ai i njihte fort mirë të gjitha varietetet e gjuhës shqipe. Nuk do kishte pasë telashe me shkrue tosknisht apo unjisuemisht. As nuk shkruente gegnisht për shkak të njifarë komoditeti ose të të kenët i mësuem me gegnishten. Camaj e përdori gegnishten në bazë të nji vendimi dhe vullneti të kjartë e të vetëdijshëm – me luftue për gegnishten. Kur isha student i tij, kisha dëshirën me mësue gjuhën shqipe zyrtare. Profesori u përpoq me më skjarue se gegnishtja âsht mâ e lehtë për t’u mësue, se âsht shumë e bukur etj., por unë ngulsha kambë për “gjuhën zyrtare” të cilën ai e quente “gjuhë të-të-të”. Profesori Camaj ishte tolerant dhe kështu e mësojsha shqipen “zyrtare” tue lexue dhe studjue me Martin Camajn “Zërin e Popullit”, në të cilin ai ka kenë i parapaguem, jo për shkak të simpatisë për përmbajtjen e “ZiP”, por sepse i ndiqte me përpikmëní zhvillimet aktuale të gjuhës shqipe.
Duhet theksue se lufta e Camajt për gegnishten nuk ishte nji luftë qorre, për gegnishten e kohës së Fishtës. Camaj angazhohej për parimin jo të divergjencës, por të konvergjencës së gegnishtes me “gjuhën e njësuar”. Që nga fillimi i krijimit letrar, Camaj përdorte dy trajta të nyjës së pashqueme –”nji” dhe “një”, përderisa mbas “Njeriut më vete e me tjerë” e përdorte vetëm trajten “një”, në fillim shkruente “qershuer”, mâ vonë “qershor”, etj.


Në mars të vjetit 1992, nji ditë Camaj i tha bashkëshortes: “Tash ia arrita. Me gjuhën time mund të shpreh krejt se ç’due me shprehë.” Pak ditë mâ vonë, Martin Camaj ndërroi jetë.


Hans-Joachim LANKSCH : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama