Vetëm pas 180 vjetësh nga përkthimi i së parës Dhjatë në gjuhën shqipe, komunitetet e krishtera e kuptuan se fjala e Zotit është një dhe nuk mund të ketë, aq interpretime sa edhe komunitete. Deri më tani çdo komunitet, katolik, ortodoks, protestant ka përdorur Biblën e vet. Më në fund, dje u prezantua një përkthim i ri i Dhjatës së Re, një botim i Shoqërisë Biblike, por që vjen si bashkëpunim i të tre komuniteteve të krishtera. Me këtë rast u mbajt edhe një konferencë, ku krerët e komuniteteve, ortodokse, katolike e protestante shprehën kënaqësinë, që të gjithë të krishterët të kenë në duar të njëjtin libër. Pak muzikë dhe interpretim i disa pjesëve nga Dhjata eRe e sapopërkthyer nga aktorët Robert Ndrenika e Saimir Braho dhe gazetari Enkel Demi, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme të krishtera. Varianti më i fundit u shqipërua nga Joan Lena, Marjan Paloka e Zefjan Nikolla nga teksti origjinal greqisht ( The Greek Neë Testament, Fourth Revised Edition, botuar nga United Bible Societies). Sipas drejtuesve të Shoqërisë Biblike, gjatë punës përkthyesit patën si synim të nxjerrin një tekst në shqip që të jetë sa më i kuptueshëm për lexuesin shqiptar sot dhe t'i qëndrojë sa më besnik tekstit origjinal. Sipas konsulentit të përkthimit dr. Carlo Buzzetti, niveli i përkthimit të Dhjatës është i tillë, që mund të prezantohet kudo në botë. Për Arqipeshkvin e Durrësit dhe Tiranës, Imzot Rrok Mirdita, botimi i kësaj Dhjate është një pikënisje për jetën shpirtërore të shqiptarëve. Në konferencën e djeshme, botimi i Biblës si një bashkëpunim ndërkomunitar, u prezantua si një risi, por për gjuhëtarin dhe përkthyesin Xhevat Lloshi, kjo është një eksperiencë që zbret nga historia.
"Do të thosha se suksesi i kësaj ndërmarrjeje në Shqipëri është përgatitur gjatë historisë. Botimi i parë në vitin 1827 u përkthye nga Vangjel Meksi, një shqiptar i shquar, ortodoks. Shoqëria Biblike, që ka një kujdes të veçantë për tekstet e përkthyera, vendosi që redaktimin ta bënte një shqiptar tjetër, Grigor Gjirokastriti, i cili ishte peshkop i Kishës Ortodokse në ishullin grek, Eube. Një peshkop i kishës greke redakton një përkthim të bërë nga Shoqëria Biblike Protestante, dmth në atë rast mungonte dhe një bashkëpunëtor katolik, që të ishte bërë kjo që u arrit sot", - thotë Lloshi, teksa del në përfundimin se Shqipëria është një vend me tolerancë të përhershme fetare. Por përveçse një formë komunikimi me Zotin, një ushqim shpirtëror i domosdoshëm për të gjithë besimtarët e krishterë, Dhjata e Re është një fakt gjuhësor. Dhe ky përkthim i ri është gjithashtu një ngjarje në rrafshin e Filologjisë. Sipas Xhevat Lloshit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të botës, përkthimi i Biblës bëhet herë pas here në periudha të ndryshme. "Këtu hyjmë në një fushë që quhet Filologji. Tekstet kuptohen në mënyra të ndryshme, nga njerëzit. Çdo epokë bën një përkthim tjetër duke pasur një njohje tjetër për tekstin",- shpjegon ai, duke shtuar që evoluimit të mendimit dhe të interpretimit të ndryshëm në kontekste të ndryshme, i shtohet edhe evoluimi i gjuhës.
Një proces që ndodh edhe tek gjuhët që duken si të patundshme, si anglishtja e gjermanishtja. Një përkthim është dëshmi e evoluimit kulturor dhe gjuhësor të një populli. Që nga viti 1827 kemi disa përkthime të Dhjatës së Re, që nga Meksi, Kristoforidhi dhe Biblat e sotme, që janë botuar të plota. "Përkthimi i fundit është i ri në dy drejtime. Së pari përkthimet e deritanishme kanë qenë të veçuara, ai ajo katolike, apo protestante, kurse tani janë bashkuar forcat për të bërë një interpretim të ri, më afër tekstit me njohjet e sotshme që kemi. Nga ana tjetër, del si një produkt gjuhësor i ndryshëm. Pra kemi një interpretim të ndryshëm dhe një tekst gjuhësor të ndryshëm. Tashmë kemi një iniciativë që pranon të nënkuptuar nivelin e sotshëm të gjuhës shqipe, gjuhën standarde", -vazhdon Lloshi. Sipas tij ky tekst mund të kuptohet më mirë nga të gjithë ata shqiptarë që mësojnë gjuhën letrare. Duke krahasuar botimin e fundit të Shoqërisë Biblike me atë të vitit 1995 (përkthimi '94), shohim një "lehtësim" gjuhësor. Gjuha është më e rrjedhshme dhe struktura e fjalisë më e thjeshtëzuar. Kështu në variantin e vjetër tek ungjilli sipas Mateut 5:5-6 thuhet : "Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do të trashëgojnë tokën. Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen". Ndërsa në variantin e ri thuhet: "Lum zemërbutët, se do të trashëgojnë tokën. Lum të uriturit e të eturit për drejtësi, se do të ngopen".
Sipas Xhevat Lloshit, e rëndësishme është të theksohet se nuk do të ketë vështirësi gjuhësore, që mund të pengojnë në leximin e këtij teksti, për shkak të përkatësisë së njërit, apo tjetrit komunitet të krishterë. Në atmosferën e tolerancës fetare që për fat të mirë vazhdon të mbizotërojë në Shqipëri, ky libër do të sjellë kontributin e vet, por në të njëjtën kohë është një dukuri që duhet përshëndetur, pasi ndihmon në qëndrueshmërinë e gjuhës, kulturës shqipe të shkruar dhe ndihmon për një përbashkësi kulturore, gjuhësore, filologjike.
Bibla në CD
Po Biblën tani mund ta dëgjosh edhe në CD. Pjesë e projektit të Shoqërisë Biblike ishte edhe realizimi i variantit audio të Dhjatës së Re. Botimi më i ri i Dhjatës vjen përmes zërit të aktorit dhe këngëtarit Saimir Braho. Janë 28 orë regjistrim, të përmbledhura në 24 CD. "Është një punë që ka zgjatur plot 9 muaj", - thotë Braho, duke mos e mohuar faktin që ka qenë një punë e gjatë, por është i kënaqur që si një i krishterë i devotshëm të ketë kryer sado pak misionin e tij për të shpërndarë "lajmin e mirë" mes njerëzish. Është një variant që u shërben atyre që nuk shohin, që nuk mund të lexojnë Biblën, por edhe për ata që nuk kanë shumë kohë dhe mund ta dëgjojnë në makinë. Pa nota patetizmi, ka një interpretim artistik në leximin e Fjalës së Zotit, ndërsanë sfond ka një bazë muzikore, krijim i kompozitorit Endri Sina.
Festivali
Tiranë, "Giffoni" ndalon në stacionin e fundit
"Giffoni Film Festival" mbërrin në stacionin e fundit, në Tiranë. Pas një turi shfaqjesh në 5 qytete të Shqipërisë, nisi dje shfaqja e filmave konkurrues të edicionit të tretë të festivalit të filmave për fëmijë "Giffoni Albania". Pas turit në 5 qytete, Korçë, Elbasan, Shkodër, Durrës, filmat mbërrijnë në Tiranë. Sipas drejtorit të "Giffonit" në Shqipëri, Namik Ajazi, gjatë turit në këto qytete festivali mblodhi rreth 10 mijë fëmijë, të cilët patën mundësi të shihnin gjatë dy ditëve 6 projeksione kinematografike. "Fëmijët e Tiranës në ndryshim me fëmijet e qyteteve të tjera do të kenë privilegjin të jenë edhe anëtarë të jurisë, që do të votojnë dhe më pas do të shpallin filmin fitues të Edicionit të tretë të "Giffoni Film Albania", - thotë Ajazi. Juria përbëhet nga 1500 fëmijë që vijnë nga shkolla të ndryshme të mesme dhe të arsimit 9-vjeçar.
Mbërritën në Tiranë edhe fëmijët që përbëjnë jurinë ndërkombëtare, prej 22 të rinjsh që vijnë nga vendet fqinje si Italia, Maqedonia e Mali i Zi.Përgjatë katër ditëve, në Kinema Millenium do të shfaqen dy prodhime kinematografike në ditë. Dje janë shfaqur dy filma të kategorisë Y-gen, (filma për moshën nga 14-18 vjeç) sot do të shfaqen dyfilma të tjerë konkurrues të kategorisë "Free to fly" (për fëmijë të moshës 10-14 vjeç), ndërsa nesër do të ketë dy projeksione të tjera, për çdo kategori. Në ditën e fundit të festivalit do të organizohet dhe spektakli i ndarjes së çmimeve. Filmat konkurrues në këtë edicion do të jenë: "Flicka", një prodhim amerikan me regjisor Michael Mayer, "Kuqalashi" prodhim italian me regjisor Pasquale Scimeca, "Sekrete të vogla" një prodhim që vjen nga Luksemburgu me regji të Pol Crutchen, "Udhëtim me Evin" prodhim briatnik me regji të Jeremy Brock, "Asgjë tjetër nuk ka rëndësi" prodhim gjerman, me regji të Julia Von Heiz dhe "Xhimi i Kodrës" një prodhim italian. Shqipëria ndonëse është vend organizator fatkeqësisht nuk konkurron me asnjë prodhim, dhe akoma më keq në Shqipëri që prej vitit 1989 nuk është prodhuar asnjë film artistik për fëmijë. "Shpresoj që me ardhjen e Claudio Gubitozit, Drejtorit të Festivalit mëmë "Giffoni" në Itali, të nënshkruhet një protokoll bashkëpunimi i "Giffoni Film Festival" me Qëndrën Kombëtare të Kinemasë për bashkëprodhimin e një filmi. Kështu që vitin tjetër mund të konkurrojmë me një film shqiptar", - thotë Ajazi.
Alma Mile : Gazeta Shekulli











