Nga tabloja ne liber

Nga tabloja në libër

E tashmë që Kosova i është afruar një aspirate shekullore, pavarësisë, e kaluara rifiton dimensionin e një rëndësie decizive në përcaktimin e së ardhmes. Kosova ngërthen në vetvete disa aspekte: politike, diplomatike dhe ç‘është më e rëndësishmja, historike. Për këtë të fundit, dy të parave do t‘u vinte në ndihmë vepra më e fundit e historianit të njohur, Marenglen Verli, aktualisht dhe drejtor i Institutit të Historisë, si dhe specialist i fushës. Me librin "Shqipëria dhe Kosova, historia e një aspirate", Verli kompenson dhe mungesën e tij të pajustifikueshme (por jo për faj të tij), në auditorët e sotëm mediatikë ku diskutohet çështja e Kosovës, gjithnjë duke pasur parasysh profilin e tij si specialist i fushës, ku disiplina historike që ai mbulon prej vitesh, është pikërisht Kosova dhe në rrafshe shumë të gjëra, deri te çështjet ekonomike dhe ato agrare. Sepse Kosova, nuk përben vetëm një entitet folklorik e patriotik në ajër, ngjizur me elementë idealizues më tepër qiellorë sesa tokësorë. Kosova është dhe një interes praktik për kombin dhe këtu e ka burimin frika për një Shqipëri të madhe.

E që gjindja ta kuptojë këtë, ndoshta duhet shkruar dhe një vepër me titull "Historia e frikës sllavo-ortodokse kundrejt Shqipërisë së Madhe". Për rrjedhojë, në disa kapituj, autori jep me shifra e trajton imtësisht humbjet e mëdha ekonomike të Shqipërisë nga humbja e Kosovës në fillimshekull. Pra, kjo e bën këtë vepër të veçantë, ngase Kosova rroket në të gjitha drejtimet, në të gjitha aspektet që përbëjnë historinë dhe jetën e një kombi. Më tej akoma, trajtesat serviren dhe në nivel kombëtar, çka paralajmërohet që në titull. Nga një lexim i vëmendshëm, kupton përmasat e thella të tragjedisë kombëtare, ku natyrshëm çdo zhvillim historik të flet me gjuhën e një kombi e në realitet, ky mbetet çmendurisht i ndarë si pasojë e përpjekjeve deri në çmenduri për ta mbajtur të tillë. Si ilustrim të këtij kobi në zemër të Evropës që vazhdon ende të jetë i tillë, autori Verli sjell fakte dhe analiza të patrajtuara më parë. Për ta paraqitur veprën në kuotat më të larta profesionale, Verli ka punuar shumë me grafikët tregues për çdo fushë të trajtuar.

Një ndër kapitujt më interesantë, është ai ku trajtohet promemoria e tre personaliteteve katolikë të Kosovës drejtuar Lidhjes së Kombeve. Dom Gjon Bisaku, Dom Shtjefën Kurti dhe Dom Luigj Gashi, i bëjnë me dije organizmit të lartë ndërkombëtar se ç‘po ndodh me Kosovën; Si po masakrojnë serbët një popull të tërë për ta çrrënjosur nga trojet e veta. Promemoria e tyre, tregon për një ndër aktet më të larta në fushën e lëvizjeve diplomatike për ta shpëtuar Kosovën nga vargonjtë serbë. Kapituj të veçantë u kushtohen në vepër dhe Karagjorgjeviçëve si një dinasti famëkeqe antishqiptare me bëma deri në llahtar e gjithashtu, historisë së krijimit të bandave çetnike. Veç aspekteve luftarake, në vepër gjejnë trajtim të thellë dhe aspektet e tjera të historisë së Kosovës, si ekonomia, arsimi, pronat, politika, diplomacia, të gjitha këto të shtjelluara në kuadër të projektit përgjithësisht sllav në Ballkan, e specifikisht serb, jo vetëm për gllabërimin e Kosovës, por dhe për një goditje tërësore të elementit shqiptar në rajon. Paralel, materialet e paraqitura, si dhe trajtimi i tyre, tregojnë dhe për vijueshmërinë diku të çalë e diku të saktë të klasës politike shqiptare të asaj kohe e cila u ndodh në kufijtë e dy epokave: rënies së Perandorisë Osmane e rrjedhimisht, shkëputjes nga një model tradicional i të bërit politikë e diplomaci, si dhe qasjes nga ana tjetër me modelin perëndimor. Kjo çoi dalëngadalë, ndonëse me dhimbje e deri diku me kosto gjaku, te një pjekje e politikbërësve të kohës që u konkretizua me ngjarje të mëdha në funksion të bashkimit dhe ndalimit të copëtimit të mëtejshëm të trojeve.

Vepra "Shqipëria dhe Kosova, historia e një aspirate", mëton t‘u vijë në ndihmë dhe politikanëve e diplomatëve të sotëm që janë angazhuar me çështjen e Kosovës. Në emisionin e kaluar "Shqip" në "Top Channel", nga drejtuesja Xhunga u përmend rasti i bumit të akademikëve serbë me vepra për Kosovën, ndërkohë që nga ana e atyre shqiptarë, treguesi ishte shumë i ulët krahasimisht. Rasti i veprës së Verlit, tregon deri diku se akademizmi shqiptar nuk është aq i tulatur, ndonëse përqasohet me emra të përveçëm si Marenglen Verli.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama