Revista e famshme amerikane “Forbes”, duke ruajtur zakonin e saj për të vlerësuar gjithçka me vlerë në planet dhe në mënyrë të veçantë njerëzit më të pasur, kësaj radhe (të enjten) publikoi renditjen e 25 sportistëve më të pasur të planetit.
Golfisti Tajgër Uds kryeson listën me një fitim prej 100 milionë dollarësh brenda 12 muajve të fundit, nga fillimi i qershorit të vitit 2006 deri në fund të qershorit të vitit 2007. Kjo është shuma më e madhe që ndonjë sportist ka arritur të fitojë ndonjëherë brenda një viti. Nëse do t’i riktheheshim kësaj liste të hartuar tre vjet më parë, do të vërenim se Tajgër Uds kryesonte të pasurit me një diferencë shumë të vogël nga të legjendës së Formula 1, Majkëll Shumakerit. Sot, Uds qëndron në majë duke pasur një diferencë të qartë fitimesh me sportistët e tjerë. Uds arkëtoi 13 milionë dollarë të fituar nga garat që ai ka zhvilluar dhe 87 milionë dollarë nga fushata e reklamave dhe shpenzimeve që kishin të bënin me praninë e tij në ceremoni dhe aktivitete të ndryshme. Uds nënshkroi së fundi një kontratë me “Pepsico Gatorade”, në vlerën e 100 milionë dollarëve, që është njëherësh edhe kontrata më e madhe për një sportist.
Golfisti amerikan fitoi më shumë se dy herë se shuma e fituar nga atleti i dytë më i paguar në botë, boksieri Oskar De La Hoja. “Golden Boy” (Djaloshi i artë) futi në xhep 43 milionë dollarë nga dyluftimi i tij me Flojd Mejuedhër Xhunjor gjatë muajit maj të këtij viti. Vetëm tre sportistë shumë të paguar ishin joamerikanë në vitin 2004, ndërsa në vitin 2007 ky numër është rritur në nëntë sportistë, të udhëhequr nga finlandezi i Formula 1, Kimi Raikonen, i cili fitoi 40 milionë dollarë, duke u renditur i katërti në botë. Emra të tjerë të njohur në listën e paraqitur nga “Forbes” janë: ylli britanik i futbollit, Devid Bekam, i cili me 33 milionë dollarët e fituar renditet i gjashti; braziliani Ronaldinjo, me 31 milionë dollarë, renditet i nënti; Valentino Rosi, kampioni italian i motoçiklizmit, me 30 milionë dollarët e tij renditet i 11-ti. Basketbollisti Jao Ming, eksporti më i famshëm kinez, i cili arkëtoi 26.3 milionë dollarë nga NBA është i 17-ti në botë.
Box:
Sharapova, e vetmja femër
Bukuroshja ruse, tenistja 20-vjeçare Maria Sharapova, ka një të ardhur prej 23 milionë dollarësh në vit. Sharapova renditet e 25-ta në botë dhe është e vetmja femër në listë. Në vitin 2004 nuk kishte asnjë sportiste.
Palmer, më i vjetri
Në anën e pasme të spektrit të të pasurve është golfisti 78-vjeçar, legjenda Arnold Palmer. Edhe pse ai është tërhequr prej garave vitin e kaluar, Palmer fitoi 25 milionë dollarë nga sponsorët si Callaway, Rayovac and Rolex.
Minimumi, 23 milionë dollarë
Minimumi i fitimeve që të jesh në listën e 25 sportistëve më të paguar në botë ishte këtë vit 23 milionë dollarë, nga 19 milionë dollarë që ishte vitin e kaluar. Shuma e sportistëve të këtij viti arriti në 813 milionë dollarë.
NBA-ja, më shumë milionerë
Basketbolli amerikan është edhe sporti më i përfaqësuar në listën e milionerëve. Janë shtatë lojtarë të NBA-së, të udhëhequr nga basketbollisti i Los Anxheles “Laker”, Kobi Brajant, që fitoi 32.9 milionë dollarë dhe është i shtati.
Lista e 25 më të pasurve
1.Tajgër Uds (golf), 100
2.Oskar De La Hoya (boks), 43
3.Fil Mikelson (golf) 42
4.Kimi Raikkonen (F1), 40
5.Majkëll Shumaker (F1), 36
6.Devid Bekam (futboll). 33
7.Kobi Brajant (basketboll) 32.9
8.Shak O’Nil (basketboll), 31.9
9.Majkëll Xhordan (basketboll), 31
10.Ronalidnjo (futboll), 31
11.Valentino Rosi (MotoGp), 30
12.Aleks Rodriguez (bejzboll), 29
13.Roxher Federer (tenis), 29
14.Derek Xhetër (bejzboll), 28.3
15.Lë Bron Xhejms (basketboll), 27.3
16.Flojd Mejuidhër (boks), 26.5
17.Jao Ming (basketboll), 26.3
18.Vijaj Sing (golf), 25.8
19.Leonard Dejvis (futboll amerikan), 25.4
20.Arnold Palmer (golf), 25
21.Xhef Gordon (autopilot), 24.5
22.Kevin Garnet (basketboll), 24.3
23.Rexhi Bush (futboll amerikan), 23.8
24.Alen Iverson (baskteboll), 23.3
25.Maria Sharapova (tenis), 23
* Shifrat janë në milionë dollarë
Marre nga : Gazeta Albania











