Hatibi është një idhtar i pop artit dhe veç fjalës, ka tentuar të krijojë edhe në këtë fushë. Kryesisht kolazhe dhe më pak “piktura me bojëra”, siç i quan ai. Madje ka hapur edhe ekspozita me këto punë. Ekspozitën e parë e hapi në vitin 1991, për tu pasuar me të tjera. Madje punët e Hatibit kanë udhëtuar deri në kryeqendrën franceze, në Paris, bashkë me punët e artistëve Ardian Çene dhe Artan Shabani nën titullin “Shqipëri: Koleksioni pranverë-përjetësi 2003” (“Albanie: Collection Printemps-E(terni)te 2003”). Edhe pse nuk ka një formim prej piktori, Hatibi nuk ka nguruar të shprehë mendimin, apo revoltën e tij ndaj realitetit shqiptar në pikturë.
“Më pëlqen sinqeriteti i artit konceptual, ambiguiteti i pop artit, ku ngatërrohen dhe nuk merret vesh ku mbaron jeta e ku fillon arti”, - është shprehur kohë më parë Hatibi, teksa përgatitej për të hapur ekspozitën e tij “Pop-ferman”. Ndërsa këtë herë merr përsipër, që së bashku me nëndrejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, të drejtojë një konkurs, të kthyer në traditë tashmë në Tiranë. Përveç pohimit të faktit që është bashkëkurator i “Onufrit 2007”, Hatibi nuk pranon të zbardhë diçka tjetër rreth konkursit, jo përpara komferencës për shtyp që do të mbahet nesër në GKA, ku do të shpaloset platforma, konceptin kuratorial dhe të tjera informacione për aktivitetin. Prania e Hatibit premton frymëmarjje, premton liri, megjithatë kjo mbetet për tu provuar. Një vit më parë “Onufri” u kurua nga Rubens Shima me temën “Nuk ka si shtëpia”.
per me shume info rreth Ervin Hatibit klikoni ketu
Marre nga : Gazeta Shekulli











