“Tirana Fashion WEEK”, ngjarja më e madhe e modës në Shqipëri ka çelur siparin dy ditë më parë, ndërkohë që do të na shoqërojë me sfilata deri më 31 tetor në odeonin e QNK-së. Nisma dhe organizimi i “Joni Peçi Fashion Group” (JPFG) ka sjellë në Tiranë për herë të parë stilistë të njohur nga i gjithe Ballkani.

Stilisti Joni Peçi tregon se qëllimi i këtij aktiviteti është që “industria e fuqishme e modës perëndimore të njihet edhe me stilistët ballkanas, të cilët mund të mos kenë perandori mode, ashtu si Armani, Galliano apo Yves Saint Laurent, por janë po aq të talentuar, madje duke u mbështetur në traditën dhe kulturën e vendit të tyre ata mund të sjellin një fryme të re dhe origjinale në botën e modës ndërkombëtare”. TIRANA FASHION WEEK Në këtë evenimentin ndërkombëtar marrin pjesë 7 stilistë, tre prej tyre nga Shqipëria, ndërsa të tjerët janë emrat më të njohur të modës në Serbi (Susuri), Maqedoni (Nenad Sekirarski), Kosovë (Dielli Fashion) dhe Greqi (F & D Fashion). Evenimenti u çel të enjten në mbrëmje nga stilistja e njohur shqiptare Mirela Nurçe, e cila prezantoi koleksionin e saj vjeshtëdimër 2007-2008. më pas do të jetë Gledis, si edhe organizatori i aktivitetit Joni Peçi, i cili edhe do të mbyllë javën e modës.
Marre nga : Gazeta Shqiptare











