Qeverisja lokale kohët e fundit ka dhënë leje për ish-pallatin mbretëror, i ndërtuar më 1930-ën në stilin deko, që të rinovohet si e para rezidencë luksoze në vend.
A. Xhillari, një sipërmarrës kryeqytetas, është duke vënë bashkë me HLL Humbert’s Leisure, një kompani britanike për këshillim për pronat, një projekt 20 milionë euro për të rinovuar pallatin si një llixhë dhe për të ndërtuar një shtesë me 50 apartamente për shitje për investitorët ndërkombëtarë.
Pronat me vlerë të madhe janë të pakta në Shqipëri, vendi i dytë më i varfër në Europë. Pjesa dërrmuese e turistëve janë shqiptarë etnikë nga Kosova ose udhëtarë ditorë, të cilët vijnë me anije nga ishulli grek i Korfuzit. Vija bregdetare shqiptare e pazhvilluar është eksploruar nga investitorë që aspirojnë të jenë të tillë. Por tregu i dytë vendas është akoma në një fazë të hershme të zhvillimit. Zhvillimi është ngadalësuar nga konfliktet për pronësinë e truallit dhe nga pamjaftueshmëria e infrastrukturës së vendit, me kufizime të elektricitetit dhe të ujit në shumë territore.
Z. Xhillari thotë që ai do t’u ofrojë blerësve ndërkombëtarë diçka ndryshe: prona me një rezonancë unike historike.
Investitorët në projektin e Durrësit, për shembull, do ta ndajnë ndërtesën me ish-mbretin Leka, të birin e Zogut, i cili do të zotërojë një suitë në një anë të ndërtesës.
“Blerësit e huaj do të jenë të gjendje të zënë apartamentet e tyre përreth gjashtë javë në vit. Pjesën tjetër të kohës ato do t’i jepen me qira agjentit të rezidencës”, - tha ai.
Leka, i cili ishte 2-ditësh kur Zogu dhe familja e tij lanë Shqipërinë në fillimin e pushtimit italian në 1939-ën, ishte ndër të parët shqiptarë që fitoi kthimin e pronës së konfiskuar nga komunizmi. Ai u kthye në Tiranë në vitin 2002, pesë vjet pasi monarkia ishte shfuqizuar në një referendum.
Pallati veror ka një shkallë kryesore të mermertë, dysheme parketi dhe tavan të pikturuar, me një fron prej druri arre të shkëlqyeshëm në dhomën kryesore të pikturuar, një dhuratë e Mbretit Viktor Emanueli III i Italisë, për të cilin thuhet se është ulur vetë pas largimit të Zogut.
Në komunizëm pallati ishte përdorur për festime dasmash. Ai ra pre e shkatërruesve 10 vjet më parë pas kolapsit në seri të disa skemave piramidale, të cilat e çuan Shqipërinë në anarki. Një antenë telefonash u instalua më vonë mbi studion e Zogut në papafingo.
“Ne jemi duke marrë parasysh edhe vendosjen e një kazinoje pranë llixhës dhe restoranteve”, - thotë z. Xhillari. “Ajo mund të sjellë të ardhura vjetore të mjaftueshme, por në anën tjetër ajo mund të mos jetë e përshtatshme”.
Projekti tjetër i Xhillarit kthen kujtime të errëta. Ai ka fituar një vilë në bregdet, dikur e përdorur ekskluzivisht nga Mehmet Shehu, kryeministri i kohës së komunizmit, i cili ishte vrarë për arsye politike më 1981-shin, pas një diskutimi të nxehtë me Enver Hoxhën, diktatorin stalinist, gjatë një takimi të komitetit qendror.
Në jug është Porti i Vlorës, më parë një qendër për trafikimin ilegal të emigrantëve me skafe për në Itali, por tani në rrugën për t’u bërë një qendër turizmi.
Vila që qëndron në një gadishull shkëmbor i dalë në Adriatik duket si “diçka nga filmat e Xheims Bondit”, - thotë Xhillari.
Zhvillimi duhet të ndjekë modelin e Durrësit, me vetëm një numër të vogël apartamentesh të përcaktuara për t’i bërë thirrje si të pasurve të rinj shqiptarë, ashtu edhe investitorëve të huaj”, thotë ai.
“Ka diçka ekzotike rreth vilës së Shehut, megjithëse njerëzit nuk duan t’ia dinë se si jetuan liderët komunistë. Shehu ishte respektuar pothuajse me frikë, kështu që ky vend duhet të ketë një tërheqje të sigurt”, - thotë Remzi Lani, një analist politik.
Armand Bajrami : Gazeta Albania











