Java e modes metropolitane Joni Peci fton Inva Mulen e Fadil Berishen

Java e modës metropolitane, Joni Peçi fton Inva Mulën e Fadil Berishën

Ambicjet e stilistit të njohur shqiptar Joni Peçi duket se nuk kanë të ndalur. Kësaj here bëhet fjalë për një javë mode, që nuk i mungon asnjë metropoli europian e që nuk ka për t’i munguar më as kryeqytetit tonë. Projekti në fjalë parashikon që në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori” të zhvillohet përgjatë një jave (25-31 tetor) një spektakël dhe sfilata mode, ku do të marrin pjesë pesë stilistë nga Greqia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Serbia si dhe 60 modelë të njohur shqiptarë e të huaj. Një veçanti tjetër që e bën edhe më të mrekullueshëm këtë eveniment është pjesëmarrja e sopranos së njohur shqiptare Inva Mula, e fotografit të mirënjohur Fadil Berisha, e fotografit të revistës prestigjoze “Vogue” Dean Milisheviç apo e grimieres së Britney Spears dhe Shakirës, Izabel Perez.

 

Kjo ngjarje e madhe për botën e modës së brishtë shqiptare do të zgjasë për një javë dhe gjatë çdo mbrëmjeje, secili nga stilistët pjesëmarrës do të prezantojë koleksionin e tij personal. Spektakli do të prezantohet nga Ornela Bregu, së cilës organizatorët i kanë besuar këtë mision. Veç sfilatave të modës nuk do të mungojnë performanca të ndryshme apo të ftuar të tjerë specialë, që do të ngrohin atmosferën, si këngëtari Alban Skënderaj, Besa, JK nga Beogradi, Albërie Hadërgjonaj nga Kosova, etj. Ishte menduar gjithashtu që i pranishëm të ishte në këto mbrëmje edhe ylli i muzikës ballkanase, këngëtari i njohur nga Maqedonia, Toshe Proeski, i cili për fat të keq javën e kaluar humbi jetën në një aksident tragjik në një nga autostradat e Kroacisë. Ky eveniment organizohet nga J.P.F.G. (Joni Peçi Fashion Group). Stilisti tregon se natën e fundit ka ndërmend të prezantojë koleksionin e tij të ri. Gjithashtu, organizatorët shtojnë se veç të tjerash, një reportazh prej 10-15 minutash nga të gjitha zhvillimet e kësaj jave të madhe të modës në Tiranë do të transmetohet në televizionin më të famshëm botëror për modën, “Fashion Tv”.

Petrika Grosi : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama