Nëse një vit më parë do të provoje t’i merrje në telefon, t’i pyesje rreth atyre që thuheshin për një lidhje dashurie mes tyre, apo për ndonjë foto që i kishte fiksuar duke u puthur, përgjigjja jepej e prerë: asnjë koment. Të gjithë gazetarët që do të tentonin për muaj me radhë, përgjigjen filluan ta merrnin lehtë me mend: Ami dhe Ermali nuk pohonin asgjë. E megjithatë, ishin të parët që kryesonin kronikat rozë, të parët në listën e thashethemeve, të parët e ndjekur prej paparacëve, të parët e faqeve të para të gazetave. E kur ata kurorëzuan lidhjen me një ceremoni fejese, atë mbrëmje mes miqsh dhe familjarësh duhet ta kenë pasur të vështirë të menaxhonin morinë e kërkesave për ekskluzivitete të fotografëve dhe gazetarëve. Të gjitha këto me siguri duhet ta kenë bezdisur jo pak Amarda Toskën, ama mesazhin ia dhanë të qartë: imazhi vlen.
Një emër që fiton
Kurrë më shumë se muajt e fundit nuk e ka pasur më të sigurt këtë. E ka ditur mirë se do të mjaftonte lëvizja më e vogël për të tërhequr vëmendjen. Po sikur të shkonte më tej, të rrezikonte pak më shumë, ç’do të ndodhte? Tani që është para faktit të kryer, mund të të betohet se e ka ditur që në fillim se do të ndodhte pikërisht kjo që po ndodh tani, pikë e presje. E gjithë vëmendja është kthyer nga Ami dhe në një nga bizneset më të fundit hapur në kryeqytet, që mban emrin e saj, “Ami special events”. Një sipërmarrje serioze, që ia ka gllabëruar gjithë kohën, e ka impenjuar 100 për qind dhe ia ka ndryshuar kryekëput jetën e saj. Tani ajo nuk është më Ami e një viti më parë, që fliste vetëm për spektakël dhe prezantim. Tani është një businesswomen, që të flet për marketing, strategji dhe plane. Tashmë e gjithë bota e saj rrotullohet rreth aktivitetit të saj më të ri që e ka përpirë të tërën.
Ka qenë një plan i mirëmenduar dhe i detajuar deri në imtësi. Të dy me Ermalin do të ngrinin një biznes, që fjalëkalimin do ta kishte: organizim. “Ideja na lindi duke marrë shkëndijën nga aktiviteti i deri më tanishëm i Ermalit, që ka eksperiencë goxha të gjatë në organizimin e ceremonive festive. Kjo ishte ajo që ne donim të bënim, veçse diçka shumë e sofistikuar dhe e projektuar deri në detajet më të parëndësishme”, të tregon Ami (ndërsa nxiton t’i përgjigjet telefonit që bie pa pushim, të shkruajë një sms shpejt e shpejt e të lërë disa porosi). Ndaj pa e bërë të gjatë hartuan planin. Dhe jo ndonjë nga ato planet që përkthehet “unë bëj këtë, ti bëj atë”. Jo. Kjo ishte tjetër gjë. Sepse e kishin vërtet seriozisht. Ishin gati të investonin gjithçka kishin, pa u menduar dy herë dhe pa pasur frikën e dështimit. Sepse garant kishte se kush të dilte: imazhi. Ndaj gjithçka filloi me konsultimin e ekspertëve, me studimin e tregut, me piketimin e një vendi ku do të shtrihej biznesi i tyre, me ngritjen e një stafi të specializuar, me kontaktimin e arkitektëve për arredimin e ambientit dhe gjithçka tjetër që u siguronte një përfundim të kënaqshëm. Dhe përfundimi nuk vonoi të vinte. Në një nga pallatet e zonës së 21 Dhjetorit, në katin e dytë, pas fasadës së xhamtë, ku dallojnë disa manekinë veshur me fustane nusërie, Ami ka shtrirë mbretërinë e saj: një agjenci e specializuar që merret me organizmin e ceremonive, duke filluar që nga një ditëlindje e thjeshtë, duke vazhduar me konferencat e duke mbaruar me dasmat. Duke të ofruar që nga ambienti, muzika, ndriçimi, duke vazhduar me këngëtarët e duke përfunduar me një kurs baleti për nusen dhe dhëndrin që të jenë të përgatitur për ditën e madhe.
Ka mjaftuar shumë pak që lajmi të përhapet me shpejtësinë e erës. Ende pa u përfunduar të gjitha gjërat, ende pa u vënë në hyrje reklama me emrin e agjencisë, ende pa iu dhënë edhe dora e fundit detajeve të arredimit, pa u shtypur kartëvizitat e katalogët, në derën e Amit kanë trokitur klientët e parë, që i kanë besuar ceremoninë e martesës. Sepse në ditët e vjeshtës kjo është edhe ajo që ndodh më së shumti. Puna ka filluar dhe suksesi ka nisur të shpërndajë tisin e lehtë të shijes së mirë. E, sigurisht që edhe për këtë Ami ka se kujt t’ia dijë për faleminderit: emrit dhe figurës së saj, që pasi i siguruan njohjen, tani ajo po i shfrytëzon për biznesin. “Në fakt, ky ka qenë një nga qëllimet. Duke qenë të dy figura të njohura, nuk kishim pse të mos e vinim këtë në funksion të biznesit tonë. Jo më kot është vendosur që emri im të jetë i dukshëm që në logon e agjencisë, ndërsa ai i Ermalit, disi pas kuintave. Menduam se imazhi femëror është më tërheqës ndaj edhe agjencia u quajt “Ami special events””, tregon Ami.
Në kërkim të kohës
Po koha? Si ia ka dalë që të organizonte gjithçka, të merrej me vogëlsirat, me gjërat që nuk shkonin, e ndërkohë t’i kushtonte vëmendje diplomës së Fakultetit të Psikologjisë, të impenjohej me sezonin e ri të “Portokalli”-së që është në prag e të rezervonte kohën edhe për të qëndruar pak me Ermalin? Në fakt, ata më shumë se kurrë këto kohë kanë qenë më të lidhur, veçse tani edhe në marrëdhënien e tyre gjërat kanë ndryshuar. Jo për keq, sigurisht. Kjo që janë duke bërë, i ka lidhur edhe më fort. “Që kur ideja u hodh si fillim dhe deri tani që është konkretizuar, unë dhe Ermali e gjejmë veten duke biseduar për diçka tjetër e duke përfunduar gjithmonë tek biznesi ynë”. S’mund të ndodhte ndryshe, përderisa për momentin për ta kjo është edhe gjëja më e rëndësishme, veçse u ka hyrë paksa në hak. Këtë verë nuk arritën të bënin pushime ashtu siç do të donin, të iknin larg, të fiknin telefonat e të shkëputeshin nga gjithçka që kishte të bënte me punën. Këtë verë kjo ishte e pamundur të ndodhte. Ami tregon se arritën të pushonin vetëm tetë ditë në Mal të Zi bashkë me miqtë e tyre, veçse nuk mund të quheshin 100 për qind pushime. Ishin shumë të vrullshme. Në më të shumtën e kohës u duhej që të ishin në korrent të asaj që ndodhte këtu, të administronin që larg. Rezultati: u kënaqën, por nuk u çlodhën. Sepse gjatë gjithë kohës, edhe pse jashtë Shqipërisë, mendja fluturonte tek agjencia, që edhe pas kthimit nuk do t’u linte asnjë minutë të lirë. E ndwrkohw njw tjetwr impenjim sapo ka trokitur nw prag: sezoni i ri i spektaklit “Portokalli”. Edhe kwtw herw skenari do t’i besohet asaj. “Ndonjëherë nuk më ka mjaftuar as 24-orëshi. Një sipërmarrje e tillë, që të vë para përgjegjësisë dhe besimit të klientit, kërkon vërtet një përkushtim të jashtëzakonshëm. Deri para pak kohwsh mbyllja e sezonit tw “Portokalli”sw mw ka ndihmuar shumw. por tani qw po fillon swrish mw duhet tw bwj njw tjetwr racionim tw kohws”.
Nuse prej vërteti?
Tani gjendja është qetësuar, sepse gjithçka është vënë në vijë dhe puna prej kohësh ka filluar. Këto ditë që janë disi më të qetë, e gjejnë veten shpesh me laps e letër, duke bërë llogari. Sa kanë shpenzuar? Sigurisht shumë. Por kjo nuk është një arsye për t’i kapur paniku e as për t’u trembur. Kanë mjaftuar ceremonitë e fundit të martesave që kanë organizuar, që të kuptojnë se gjithçka që kanë investuar do të kthehet sërish e shumëfishuar. E ndërsa i sheh gjatë gjithë kohës të përkushtuar, duke kontaktuar me bashkëpunëtorët për organizimin e një martese, duke zgjedhur restorantin, DJ-in, ndriçimin, grimierin, natyrshëm të lind pyetja: po martesa e tyre? Nuk është e vështirë të kuptosh se ka për të qenë një ceremoni tej të zakonshmes dhe larg tradicionales, por Ami nxiton të saktësojë se kjo hë për hë nuk bën pjesë në planet e tyre. Duket se për momentin Ami dhe Ermali nuk janë duke u dridhur nga ethet e dasmës. “Është ende shumë herët për të menduar për këtë. Ka disa stade në jetë që është më mirë të mos digjen. Tani për ne është një sezon pune i ngarkuar. Na janë dhënë mundësitë për të punuar fort, kemi energji dhe forcë për t’iu përkushtuar biznesit dhe për momentin do të përqendrohemi vetëm këtu. Unë nuk jam kundër martesës, por është diçka që e ka kohën më vonë. Sigurisht që do të jetë një faqe e re në jetën tonë dhe një ceremoni shumë e veçantë”, thotë Ami.
E në fakt ata vërtet e kanë marrë me qetësi. Kanë dashur vërtet që në marrëdhënien e tyre asnjë fazë të mos kapërcehet e asgjë të mos bëhet e nxitur. Ami vazhdon ende të kthehet pas punë në shtëpinë e prindërve të saj. Për të bashkëjetuar, koha nuk ka ardhur ende. Ama, ndryshe nga një vit më parë, Ami nuk u fshihet më komenteve për lidhjen e saj me Ermalin. Tani mund të pozojnë të dy bashkë faqeve të revistave, madje edhe në ambientet e agjencisë së tyre. Sepse biznesi është nga gjërat më të rëndësishme. Dhe për të, Ami është gati të bëjë gjithçka: madje edhe të vishet nuse. Pasi është relaksuar në masazh e banjo turke, ka krehur flokët e është grimuar në qendrën estetike “Velur”, është gati të pozojë para aparatit e veshur në të bardha me dy nga fustanet e agjencisë së saj së eventeve. Kështu reklama del e përsosur, sepse imazhi vlen mbi gjithçka. Dhe Ami e di fare mirë këtë.
Kështu bëjnë të gjithë
Nuk është se Ami po bën diçka të pazakontë: përderisa në botë nuk ka VIP që të mos e shfryëtzojë emrin dhe imazhin për të bërë para, nuk kanë përse mos ta bëjnë këtw figurat e njohura të skenës dhe ekranit shqiptar. E nëse është ende herët që ata të prodhojnë veshje apo marka me emrin e tyre, ngritja e një dyqani me emrin e tyre nuk është se kushton dhe aq shumë. Për me tepër, është një investim që ka rezultuar pothuajse i suksesshëm. Mjaft i suksesshëm në fakt për Rovena Dilon, që ndonëse fillimisht e pagëzoi lokalin e vet tek blloku me një tjetër emër, u njoh në gjithë Tiranën si një pikëtakimi me emrin e këngetares. Derisa kjo e fundit e pagëzoi zyrtarisht me një tabelë të madhe me emrin e saj. Pak më shumë se kaq guxoi Hygerta Sako: Veç emrit, një foto e madhe e saj e veshur nuse, në fasadën e një pallati, nuk lë pikën e dyshimit që ish-prezantuesja ka vendosur të tërheqë klientë me emrin e saj. Me emrin e tyre reklamonin dikur tre Musketierët, Makashi – Gjoka – Deda, PUB-in e tyre. Në të njëjtën mënyrë siç dolën më vonë të tjerë këngëtarë me të njëjtin biznes, Alban Skënderaj, Kujtim Prodani, Bledar Sejko... Deri edhe regjisori Gëzim Kame nuk ka ngurruar aspak që kompleksin argëtues në Ibë ta reklamojë si “Kame Teatër”. Apo edhe Rudina Magjistari, që nuk ka ngurruar aspak të reklamojë sallonin e saj “Velur” në të gjitha inetrvistat dhe daljet publike. Biznese të suksesshme, po aq sa edhe karreira të suksesshme artistësh. Një rregull që ka edhe përjashtimet e veta. Ledina Çelo është një ndër këto pak përjashtime: dyqani i veshjeve i të dashurit të saj, i reklamuar në faqe gazetash si dyqani i Ledinës, nuk arriti kurrë të bëhej aq popullor sa emri i këngëtares.
Klaudeta Skenderasi : Revista Jeta











