Shqiptarët më 1957: Është edhe fitorja jone O.K një tornitor i uzinës "Enver", me një gjuhë të saktë akademike dëshmon para gazetarit të ZP se është i mirinfomuar për fitoren e shkencës komuniste në prag të 40 vjetorit të Revolucionit Socialist të Tetorit. Sipas O.K "është njëkohësisht edhe fitorja jonë, prandaj ne po punojmë me të gjitha forcat për ta pritur festën tonë të përbashkët me rezultate sa më të mëdha".
Zëri i tornitorit O.K është në harmoni me raportet e përgjithshme të gazetës: Korrin e shijnë orizin. Mijëra kuintal mbi planin; Punëtorja më e mirë në mjeshtëri Qefsere Maloku, punon në repartin e tezgjahut të fabrikës së tekstil-leshit në Tiranë. Realizon normën 130%.
Janë numrat e tetorit 1957 të gazetës "Zëri i Popullit", disa ditë pas lajmit të hedhjes në hapësirë të satelitit të parë artificial nga shkencëtarët sovjetikë.
Po cilat ishin çështjet e ditës dhe për çfarë niveli zhvillimi flitet në Shqipëri në këtë kohë? Dhe a besonin shqiptarët në supremacinë e komunizmit?
Sigurisht që po, sadoqë asnjë cifël supremacie nuk ndodhi të prodhohej nga vendi i vogël i Bllokut Komunist. Një shembull se si shqiptarët reagonin ndaj arritjeve të Sovjeteve, është Sputnik që doli në hapësirë më 4 tetor 1957. Arkivat e të përditshmes "Zëri i Popullit" dhe më pak e "Zërit të Rinisë", na japin tablonë e entuziazmit të shqiptarëve të të gjitha fronteve. Raportet e Tiranës zyrtare, qarqeve akademike deri dhe ato që vijnë nga klasa punëtore, s'ka si të mos lexohen në më shumë se një nivel: kjo është e vërteta, pra që edhe shqiptarët kishin të drejtë të ndiheshin fitues kundër kapitalizmit, ose përkrah arritjes së vëllezërve revolucionarë, gazeta me simbolin e draprit dhe çekanit "ZP", ndërsa me zell raportonte tejkalime të planit të pambukut, qymyrgurit etj, në të vërtetë deklamonte krizën. Në tetor 1957 vendi ushqehej me triska.
Një ditë para lajmit të madh që vinte nga shkenca ruse, në faqen e parë të "ZP" i kushtohet rëndësi kongresit të 20 të Partisë Komuniste të BS, sepse edhe Shqipëria përgatitej për festimet e "përvjetorit të lavdishëm", Revolucionit Socialist të Tetorit.
Në formën e editorialeve pa autorë kryen e faqes e zinin tituj: Puna e SMT-ve është vendimtare për mbjelljet, Vjelja e pambukut – çështja kryesore e ditës, Nën shembullin e komunistëve po ndryshon jeta në fshat. Edhe pak kulturë e gjen në faqet e gazetës së Partisë. Në një nga kinematë e Tiranës shfaqej "Manastiri i Parmës" dhe në Kinostudion e Moskës përgatiteshin xhirimet e filmit "Doni i qetë" i regjisorit Sergei Gerasimov.
Kronika e zezë nga bota raportohet si një thriller komunist: i keqi është i zi dhe na ngjall neveri dhe i miri i pafajshëm, i sulmuar nga forca të errëta, na ngjall vetiu mëshirë dhe dashuri. Kështu, ZP i referohet agjencisë gjermane TASS për këtë raport: Në Esen, natën duke u gdhirë 1 tetor, dy ushtarë amerikanë u futën në shtëpinë e një pensionisti 60-vjeçar dhe e vranë. Në Esen, një ushtar englez grabiti një plak dhe i shkaktoi atij plagë të rënda. Në Bad Nojshajm, disa ushtarë të dehur amerikanë sulmuan një grup policësh duke plagosur rëndë njërin prej tyre.
Mënyra se si raportohet kriza e kapitalizmit dhe "të zezat" e armikut janë një antitezë e qartë përballë raporteve mbi kampin komunist. Në këtë nivel informimi me të kundërtat, Shqipëria i ngjan edhe në këtë moment një aleateje qesharake dhe servile.
Nuk kemi thënë akoma që lajmi i hedhjes së satelitit në hapësirë u dha dy ditë me vonesë në Shqipëri. Në 6 tetor shkruhet për "fitoren e shkëlqyer të shkencës sovjetike", fitore që "gëzon me të drejtë gjithë njerëzit paqëdashës, gëzon popullin tonë, pasi ky realizim i shkencëtarëve sovjetikë është një kontribut i ri në shkencën botërore" dhe u dëshmon bashkëkohësve se si "puna e ndërgjegjshme e njerëzve të shoqërisë së re socialiste kthen në realitet ëndrrat e mëdha të njerëzimit".
Lëshimi i satelitit të parë artificial është objekt i "bisedave intime" të të gjithëve. Intimitet po ama me propagandë. Në "intimitet" (me këtë fjalë e përkufizon ZP depërtimin e lajmit të madh në popull), një docent i Universitetit të Tiranës shprehet se ky është sukses i njeriut sovjetik që pati guximin jo vetëm "të hedhë poshtë prangat e kapitalizmit, të drejtojë vetë pushtetin e tij, por edhe të revolucionarizojë praktikisht teknikën ekzistuese". Kjo pra ishte sipas akademikut shqiptar arritja e teknikës reaktive sovjetike që "perëndimorët e kishin përshëndetur megjithatë me dëshpërim".
Jemi akoma në erën e begatë që frynë balonat e sloganeve për dashurinë mes dy vendeve. Duke pritur ardhjen e Ministrit të Mbrojtjes së BRSS, Mareshallit, Georgi Konstantinoviç Zhukov, më 18 tetor 1957 kokës së faqes së parë të ZP-së i rezervohet ky mesazh i zjarrtë: Rroftë Bashkimi Sovjetik, çlirimtari dhe mbrojtësi i vendit tonë, mburojë e pathyeshme e paqes në të gjithë botën!
Shpeshtohen në këto numra fotot dhe portretet e punëtorëve të dalluar, (shkrime të tillë si "Një ditë nga jeta e një shitëseje") pamjet nga fabrika e sallamerisë, nga bulmetoret dhe ushqimoret e reja, marketet e socializmit modern ku njerëzit presin me sy të ngulur përballë banakut, me trasta në duar.
Aty nga nëntori, kur ishte zbehur disi jehova e "përvjetorit të lavdishëm" një artikull trajton mundësinë e heqjes së triskave (tolloni). Artikulli i dytë është i vet ministrit të Tregtisë Kiço Ngjela, dhe mban titullin "Me heqjen e triskave tregtia bën një kthesë rrënjësore". Deri në dhjetor 1957 nuk e shohim më këtë diskutim për ushqimin me racion të popullit shqiptar, pavarësisht se triska ishte në fuqi edhe tri dekada më pas.
Mëshimi idesë se fitoret e Sovjeteve mëmë janë edhe tonat, është kthyer në një rubrikë të rregullt në faqet e shtypit të partisë. Vazhdon të flitet për udhëtime Tokë-Hënë vajtje-ardhje; karikaturat me fabulën një raketë Made in USA përballë satelitit me yll në ballë, janë të përditshme; posta shqiptare emeton një seri pullash për nder të satelitit të parë dhe të dytë më pas. Imazhin e qenit Laika, e para qenie e gjallë që do të udhëtonte brenda Sputnik II dhe do të vdiste në hapësirë, e gjejmë në pullat shqiptare të vitit 1957. Ekstazë që do të duronte deri në vitin 1961 kur u emetuan dhe pullat me portretin e majorit Juri Gagarin, njeriu i parë që u hodh në hapësirë më 12 prill '61. Ishin të fundit, pas kësaj, marrdhëniet mes Shqipërisë dhe BS e Nikita Hrushovit u prishën.
Epërsia e shkencës sovjetike
"Sateliti një sferë e vogël me diametër 58 cm dhe peshon 83.6 kg, është i pajisur me një aparaturë të shumëllojshme. Vetë lëshimi i tij realizohet me anë të raketave të fuqishme të cilat i japin shpejtësinë e nevojshme orbitale prej afro 8000m/sek..
I pajisur me një radiotransmetues do të përshkojë një trajektore eliptike rreth Tokës me një lartësi rreth 900 km. Në bazë të llogaritjeve, për shkak të shpejtësisë së madhe, Sateliti, në fund të ekzistencës së tij, do të digjet kur të arrijë shtresat e dendura të atmosferës në një lartësi prej disa dhjetëra kilometrash. Në Rusi, që në fund të shek. 19. në bazë të veprave të shkencëtarit të njohur K.E. Ciollkovski, u argumentua për herë të parë në mënyrë shkencore mundësia e zhvillimit të fluturimeve kozmike me ndihmën e raketave...
Kjo tregon jo vetëm ëndrrën e njerëzimit për udhëtime interplanetare (për studimin e Tokës si një planet të stistemit tonë diellor), por tregon edhe epërsinë e shkencës sovjetike mbi atë të SHBA dhe vendeve të tjera kapitaliste"
Zëri i Popullit
6 tetor 1957
A kaloi mbi Tiranë
"Sot (1 nëntor) raketa mbajtëse e satelitit artificial të Tokës do të kalojë mbi Tiranë në orën 15.52 (ora lokale). Mbi qiellin e Tiranës mund të shihet dhe pa ndihmën e lenteve zmadhuese". Në numrat në vazhdim ZP nuk jep asnjë njoftim nëse e panë apo jo tiranasit këtë gjë të rrallë.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli











