Nobel per Paqen per Al Gore dhe Keshillin Boteror te Klimes

Nobel për Paqen për Al Gore dhe Këshillin Botëror të Klimës

Ish-zëvendëspresidenti i SHBA, Al Gore dhe Këshilli Botëror për Klimën janë fitues të Çmimit të sivjetëm Nobel të Paqes. Duke reaguar pas komunikimit të çmimit Al Gore theksoi, se "ndjehem thellësisht i nderuar". Fakti që këtë çmim e ndaj me Këshillin e OKB-së për Klimën, ia shton edhe më shumë rëndësinë këtij vlerësimi, u shpreh ish-zëvendëspresidenti amerikan përmes një deklarate të publikuar sot në mëngjes, njofton televizoni CNN.

Lufta kundër ngrohjes globale nuk është çështje politike, por morale, theksohet më tej. Gore theksoi shpresën, se çmimi do të kontribuojë në rritjen e "ndërgjegjes globale" për këtë problem. Këtë vit Al Gore u nderua me dy çmime Oskar për filmin e tij dokumentar "Një e vërtetë e pakëndëshme". 59 vjeçari Al Gore ja kushton këtë dokumentar fushatës së tij kundër katastrofës së klimës. Filmi bazohet në spektaklet përmes diapozitivave, të cilat ish-zëvendëspresidenti amerikan i ka paraqitur në mbarë vendin. Hollivudi e vlerësoi këtë vepër me çmimin e sivjetëm Oskar si filmi më i mirë dokumentar i vitit.

Edhe Këshilli Botëror për Klimën u befasua sot me vlerësimin me Çmimin Nobel të paqes. Kryetari i klëtij këshilli, Rajndera Pashauri ishte plot emocion dhe i suprizuar kur mësoi në Nju Deli për nderimin: "Nuk mund ta besoj, jam i shtangur dhe nuk gjej fjalë për t´u shprehur. "Ndjehem i nderuar që këtë çmim e ndaj me një njeri të njohur", tha ai për ish-zëvendëspresidentin amerikan. Edhe zëdhënësja e këtij forumi të OKB-së me seli në Gjenevë, Karola Traverso Saibante tha, se "ne do të ishim gëzuar edhe sikur këtë çmim ta kish marrë i vetëm AL Gore, sepse me këtë konfirmohet, që sa e rëndësishme është kjo temë."

Këshilli i OKB-së për klimën këtë vit ka paraqitur tri raporte mbi klimën. Raporti i katërt do të prezantohet në mes të nëntorit në Valencia të Spanjës. Rreth 2 500 shkencëtarë nga 130 vende konfirmojnë me siguri 90 përqind, se në pjesën të madhe është  njeriu ai që është përgjegjës për ngrohjen globale në gjysmëshekullin e fundit. Ky këshill u themelua në vitin 1988 për të ndihmuar qeveritë në politikën e tyre për klimën.

Presidenti i Komisionit të BE-së, Hoze Manuel Barrozo përgëzoi Al Gorin dhe Këshillin Botëror për Klimën: "Kontributi i tyre për parandalimin e ndryshimit të klimës ka rritur ndërgjegjen e të gjithë botës", tha Barrozo në Bruksel. Gjithashtu edhe shumë politikanë drejtues, ministra të mjedisit shprehin mirënjohjen dhe përgëzojnë fituesit e sivjetëm të Çmimit Nobel të Paqes.

Vilma Filaj-Ballvora : Dw-World.de
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama