Fitonte shumë pak, por mjaftueshëm për të mbajtur gjallë 4 vocërrakët e saj dhe nënën plakë. Në krye të çdo muaji për një javë ajo merrte urbanin, nisej për në kryeqytet dhe lante e hekuroste rroba nëpër shtëpi të ndryshme. Paga ishte tre herë më e mirë se në qytetin e saj. Nëse do të punonte 18 orë në ditë kishte shansin të fitonte 5 dollarë. Ndërsa kalonte javën në kryeqytet, në një dhomë që e ndante me disa shoqe të saja, herë pas here i lejonte vetes luksin e ndonjë blerjeje të vogël. Njëherë bleu një palë këpucë të kuqe, të cilat i përdorte vetëm në rrugët e Managuas, duke qenë se qyteti i saj malor ishte krejtësisht i papërshtatshëm. Në një nga javët që ndodhej në qytet pati disa probleme shëndetësore dhe mjeku i tha se kishte mbetur shtatzënë dhe për më tepër fetusi po i zhvillohej jashtë mitrës dhe si pasojë barra nuk ishte normale dhe nuk i këshillohej çuarja më tej. Sa më shumë që Gonzales të vazhdonte ta mbante fëmijën, aq më i madh ishte rreziku për shëndetin e saj. Ndonjë abort, a hemorragji mund ta çonte drejt vdekjes.
Ajo çka Gonzales bëri, është një veprim krejtësisht racional: doli nga spitali, la pas mjekimet, mblodhi ato pak rroba që kishte, u përshëndosh me shoqet që ndante dhomën dhe mori rrugën e kthimit në shtëpi, në qytezën e saj malore. Me të mbërritur thirri dy gra fqinje, që merreshin me shërbime të ndryshme dhe u kërkoi ndihmë për t‘i dhënë fund shtatzënisë në kasollen ku mblidhej me fëmijët. Pa anestezi apo mjetet e duhura mjekësore për të kryer një abort, veprimi do të ngjante më shumë me një therje për së gjalli sesa me një operacion. Me gjithë vështirësitë e situatës, Gonzales e kishte marrë vendimin dhe pasojat ishin të rënda.
Hemorragjia ishte e madhe dhe dhimbjet e tmerri vetëm sa mund të merren me mend. Gjithçka shkoi për ters. Maria vdiq. Nëna e saj rrëfen orët e fundit të së bijës në një tregim ku fjala gjak e dhimbje përsëritej pareshtur. Por Maria nuk ishte budallaçkë dhe në fakt nuk donte aspak të vdiste. Që në fillim e dinte se shanset për t‘i mbijetuar një kasaphane i kishte të pakta, por duke qenë një grua praktike, ajo ishte e bindur se operacioni pa anestezi e në kushte shtëpiake ishte shpëtimi i saj i vetëm. Ajo e ndërmori këtë shans dhe la jetën. Arsyeja se përse aborti ishte shansi i vetëm i Marisë është një tjetër histori e dhimbshme e Nikaraguas, sigurisht me përmasa shumë më të mëdha e me shumë më tepër dhimbje e përgjakje. Ajo është një dramë fetare, politike dhe pushteti, që e ka kthyer Nikaraguan në rast unik në çështjen botërore të abortit. Vendi amerikanoqendror është kthyer në vendin e tretë në botë, pos Kilit dhe El Salvadorit në të cilin aborti konsiderohet një krim. Nuk ka përjashtime edhe për rastet më ekstreme si përdhunimet, incestet, apo shtatzënitë që kërcënojnë jetën e gruas. Gonzalesit të ndjerë i thanë në spital se nëse ndonjë mjek do t‘i merrte përsipër ndërprerjen e barrës ai do të dënohej të paktën me dy vjet burg. Edhe ajo nuk do të mbeste pa u dënuar. Pas abortit do t‘i duhej të shkonte pas hekurave për tre vjet. Mjekët e Nikaraguas janë të gjithë të tmerruar se mos humbin vendin e punës, licencat madje se mos përfundojnë burgjeve.
Shumëkush preferon më mirë ta lerë një grua të vdesë se të kryejë një operacion që mund t‘i kushtojë shumë shtrenjtë. Ndërkohë, për të pasurit, shtatzënia e padëshiruar sigurisht që nuk është një dënim me vdekje. Ata ose mund të fluturojnë në Majami ose mund të paguajnë mjekët me shuma të mëdha të hollash në klinika të fshehta të Managuas. Por në një vend të varfër si Nikaragua të jesh i pasur është po aq e rrallë sa të jesh i lumtur, ndaj shtatzënia është një dënim me vdekje për shumë gra. Si pasojë e një ligji të tillë, vetëm gjatë këtij viti kanë humbur jetën 82 gra. Ligji i ri, në mënyrë të qëllimshme, i ndalon gratë që të kujdesen për shëndetin e tyre dhe kësisoj, ai shkel ligjet e të drejtave të njeriut. Ky është mendimi i grupeve dhe organizatave ndërkombëtare që operojnë në vend, por edhe jashtë tij. Nikaragua është e famshme për fatkeqësitë e saj. Fillimisht, diktatura e Somozës, lufta civile, varfëria në ekstrem, shkatërrimet natyrore. Dhe së fundi ligji vdekjeprurës i cilësimit të abortit një krim. Aborti ka qenë për një kohë të gjatë ilegal në Nikaragua, por të paktën ekzistonin përjashtime për rastet e veçanta që vinin në rrezik jetën e gruas. Për sa i përket fatit të Marisë, ai është shumë i trishtë, por aspak i rrallë. Fëmijët e saj jetojnë në një qendër sociale, pas vdekjes së të nënës së tyre, ndërsa gjyshja lyp rrugëve. Të vetmet gjëra që kanë mbetur të hedhura në cepin e kasolles ku dikur jetonin të gjithë bashkë janë një palë këpucë të kuqe...
Krim në një vend, e drejtë në një tjetër: ligjet e ndryshme të abortit në botë
Femrat që mbeten shtatzëna pas një përdhunimi ose ato jeta e të cilave rrezikohet nga shtatzënia e padëshiruar nuk kanë mundësi abortimi në tri vende të botës: Nikaragua, El Salvador, Kili. Këto vende refuzojnë të marrin parasysh çdo lloj situate, duke persekutuar çdo grua që kryen abort. Në vitin 2006, një raport i OKB-së cilësonte se një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë së nënave në Kili ishin gratë që kryenin aborte ilegale. Pas këtij raporti iu kërkua qeverisë ndalimi i këtij ligji të egër. Sipas një organizate amerikane të të drejtave të njeriut, aktualisht 26% e popullsisë së planetit jeton në 69 vendet të cilat e ndalojnë abortin. Megjithatë, 34 ndër to, përfshi Irlandën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë tolerante në rastet kur jeta e nënës vihet në rrezik, madje përfshi edhe Iranin. Malajzia dhe Zelanda e Re së bashku me 21 vende të tjera, e lejojnë abortin në rastet kur kërcënohet shëndeti mendor i grua, për shembull në rastet e përdhunimit dhe pasojave të tij, apo situatës së pafavorshme ekonomike që pengon rritjen e një fëmije. Në Britaninë e Madhe, Indi dhe Luksemburg, një grua mund të paraqesë për të kryer një abort edhe arsye social-ekonomike
Marre nga : Gazeta Shqip











