Më 14 tetor Luljeta Dano së bashku me dy poete shqiptare të letërsisë moderne shqipe, Luljeta Lleshanaku dhe Ledia Dushi, përfaqësojnë në Panairin e Frankfurtit "zërin poetik femëror" siç e kanë cilësuar organizatorët. Pak e habitshme, por për mungesë fondesh treshja, shkon e vjen vetëm brenda 24 orëve. Megjithatë intervista me Lujeta Danon, autore e disa vëllimeve si "Nusja e kthyer" (poezi), "Xhindet në kodrën e Jakovit" (tregime), "Orët e shahut" (roman) dhe "Plakonjat" (dramë), na jep një pamje tjetër dhe të ndryshme nga ajo që tentojnë klishetë e tematikës për të cilën këto autore janë paralajmëruar se duhet të flasin. Realiteti Danos që për koincidencë i përkon "Shqipëria e brendshme" i zgjedhur për titull forumi nga menaxherët shqiptarë të kulturës në Frankfurt dhe që në mënyrë të përveçme s'ka lidhje me "emancipimin e femrës shqiptare dhe mbizotërimin ndaj shtypjes ideologjike."
Kur dhe ku ke lindur?
Më 1 prill 1967 në Fier. Sapo kishin filluar të mbylleshin kishat. Dhe që në ditët e para unë bëj një udhëtim të gjatë për t'u pagëzuar fshehur në Vajkan. U pagëzova me emrin Eleni. U pagëzova për të dytën herë menjeherë pas nëntëdhjetës, sepse prifti që më kish pagëzuar dikur, Papu Zariku, kish qenë partizan që më pas kish veshur rroben e priftit dhe autoriteti i kishës nuk e quante të ligjshëm atë pagëzim që më ishte bërë më 1967.
Pse këmbëngule?
U ripagëzova në emër të traditës.
Si e mban mend vendin e lindjes.
Të kredhur në lule dhe fruta. Fieri i fëminisë kishte rrugë shumë të drejta siç i shohim në fotot e viteve 30. Fieri dhe Korça kanë qenë dy qytete që kanë pasur një urbanistikë të mirë. Më kujtohet që vendi i lindjes sime ka pasur dhe shumë gramafonë. Sot më shkakton nostalgji viti 1980 kur filloi të prishej pazari i Fierit, një vepër arti, me pemët e vjetra të qytetit që ishin mbjellë nga stërgjyshi im, Kostandin Kondakçiu, bahçevan i Ymer Pashë Vrionit, i cili në vitin 1905 kishte sjellë fidanët nga Janina.
Nga kjo arkitekturë gjelbërimi kanë shpëtuar rrapet dhe eukaliptet në disa segmente rrugësh. Kam atë dhimbjen dhe ngashërimin që kur kalonin andej gjyshja ime me të motrën, thoshin: Dora e babait.
Në fillim natyra, po librat kur vijnë?
Libri i parë që kam lexuar pas abecesë ishte "Shpella e piratëve". Dhe shumë shpejt do të lexoja "Manastirin e Parmës".
Po prindët si i kujton në atë kohë?
Babai ishte njeri që lexonte, ndërsa nëna, as libër, as gazetë, as film ka parë. Indiferente ndaj gjërave të krijuara. Dhjetë vjet më parë mësova se kishte shkruar historinë e familjes. Jam habitur si kjo grua që s'ka lexuar, të shkruajë historinë e familjes si një libër. Pas çdo episodi, ndërsa fliste për zhvendosjet e familjes së saj nga një vend në tjetrin, shkruante: babai donte të na ndërtonte një shtëpi të re. Është një kohë e tërë aty, jo vetëm familja e saj. Përshkruan hejtë e akullit, kohën kur shkonin në shkollë me nallane dhe mësuesit që flinin në shkollën e Kolkondasit.
Është po aq i rëndësishëm ndikimi i këtij mjedisi tek ty sa të tjerët më pas?
Kam qenë me fat që kisha një bibliotekë të pasur prej tim eti, po është dhe roli i gjyshes me këngët dhe përrallat që s'kishin fund. Është edhe merita e qytetit, e Fierit ku në emër të zhvillimit bujqësor dhe industrial, ishte tretur gjithë Shqipëria. Kishte rrethe intelektuale, nëse mund të shprehem kështu, të një koeficienti të lartë.
Për të shkruar nuk mjafton barra e përjetimeve, çfarë tjetër të shtyn tek kjo formë e bisedimit me botën?
Është përgjegjësi e madhe për mua. Shiko, unë kam një dosje në shtëpi që e quaj "Pusulla me zemër" ku vë vazhdimisht letra dhe kartolina që më dërgojnë, ose letra të miat që s'i kam dërguar kurrë. Ky është arkivi personal. Letërsia është tjetër gjë. Letërsia është përgjegjësi qytetare. Letërsia duhet të shembëllejë reaksionin zinxhir të moralit që ka paravolia biblike. Unë nuk e çoj një gjë për botim nëse ajo s'ka këtë reaksion zinxhir me përfitim civil.
Morali dhe religjoni janë shndërruar sot nga kanone dhe të drejta vetjake që e lidhin individin me tjetrin, në mediume vërtet mediatike që nuk kanë atë funksion që kanë pasur.
Kur them paravoli biblike dua të theksoj që s'ka fitore të njeriut, të jetës, që s'përfaqësohet nga fitorja morale. Duket naive e thënë nga ana ime, po s'ka liri dhe forcë më të madhe se ajo që vjen nga e mira.
Mendoj se fati i njeriut qëndron tek një destin dhe se instinktet e orientojnë drejt asaj që bën. Unë kam respekt për atë që kam bërë në jetë sepse besoj që njeriu atë që pëlqen atë bën më mirë.
Sipas këtij vështrimi nuk do të rishkruaje asgjë me rëndësi nga çfarë ke shkruar deri tani?
Tregimet nuk do t'i prekja, ndërsa për prozën e gjatë do të doja një ndërtim të ri.
Edhe pse proza jote e gjatë, romani "Orët e shahut" është vlerësuar nga kritika?
E kam shkruar si paçavure. Kjo s'është modesti. Kjo është sedër. Si gjithë njerëzit unë kam bërë gjëra që i kam bërë mirë dhe të tjera që i kam bërë keq. Një roman dhe një dramë që kam shkruar i kam bërë keq në anën e materializimit tekstor. Do doja t'i rishkruaja nga e para.
Sa për poezinë, atë s'do ta prekja. Poezia s'ka të bëjë me ndërtimin, por me muzikën. Do të thotë që është e shpirtit. Mendoj se proza është një lëndë tjetër dhe poezia një lëndë tjetër. Të më falësh, po për këto çështje unë përtoj të flas si nga Larusi, apo sipas Kantit, Hegelit.
Ku do doje të ishe tani?
Këtu ku jam. Unë e dua shumë atë që është tani. Për mua njeriu më i bukur është tani, sadoqë mund t'iu referohesh kohërave kur njeriu ka qenë më i bukur dhe më i fortë.
Megjithëse në çdo kohë njerëzit pretendojnë një mënyrë të re jetese. Sipas teje çfarë ka që nuk shkon në zhvillimin e sotëm.
Nuk ka mënyra të reja të të jetuarit, ka vetëm kushte të disfavorshme të jetës mbi tokë. Ajo që s'shkon është ajo që rrezikon njeriun. Njeriu sot është i rrezikuar nga ato që janë imediate, fjala vjen, ushqimi, rrezatimi...
Cili është libri i fundit që ke lexuar?
Një rilexim i "Odisesë", sepse po shkruaj për lëmin etnografik në poemat homerike.
Në një shkrim të para ca kohëve, Zija Çela dilte kundër heshtjes dhe indiferëncës së shkrimtarëve shqiptarë ndaj çështjeve me interes civil dhe publik. Ti ishe ajo "e zhytura në etnografi".
Kam pasur fatin dhe kushtet të bëj gjithmonë atë që më pëlqen dhe lidhja ime me traditën, përkujdesja ndaj koleksionit tim sidomos etnografik, më kanë ngritur në një moment shumë të bukur të jetës sime. Ajo çka jam duke bërë më jep shumë qetësi, dashuri, forcë për çdo gjë. Vitet e fundit kam konstatuar çfarë kanë shqiptarët në pasurinë etnografike. Jam duke u shërbyer me gjithë dashurinë time, sepse rrobat tradicionale që burrat dhe gratë kanë veshur, të shumë brezave dhe të atyre që s'janë më, përfaqësojnë historinë, shijen, mendësinë, diturinë e tyre, rrënjë që shkojnë në qindra, mijëra vjet. Nuk i jam futur artit, po simboleve të tyre. Dhe kjo më shkakton një mahnitje pa fund.
Më 14 tetor së bashku me dy poetet, Luljeta Lleshanaku dhe Ledia Dushi do të lexoni në Frankfurt. Veç kësaj, organizatorët që mendojnë se me këtë treshe po përfaqësojnë zërin femëror në poezinë e sotme shqipe, theksojnë se ju do të jeni aty për të përfaqësuar "emancipimin e femrës shqiptare dhe mbizotërimin ndaj shtypjes ideologjike."
Në të gjitha kohërat, pavarësisht modave, nuk ka pasur nevojë të përveçme emancipimi për burrat dhe për gratë, nevoja ka qenë njëlloj për të dyja gjinitë. Nuk i kuptoj shoqatat e grave, me përjashtim ato të mbrojtjes së grave të dhunuara, dhe as shoqatat e burrave, nëse ka të tilla. Nuk e dëgjoj dot kur flitet për botën feministe dhe maskiliste. Kështu që më duket i shëmtuar "zëri femëror i poezisë", njëlloj do më dukej edhe "zëri mashkullor i poezisë". Përveç sporteve, kudo ku bëhet një grupim i tillë më duket i shëmtuar. Në të gjitha kohërat, si diktaturat si demokracitë gjinitë femërore dhe mashkullore i kanë prodhuar dhe konsumuar njëlloj, pavarësisht fustanit me tel që kanë mbajtur gratë apo veshjes së hekurt luftarake që kanë mbajtur burrat. Është rregulli absolut i të kundërtave. Natyra e këtij planeti nuk ka ligj tjetër natyror.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli











