Edhe pse këshillohet shumë pak nga dietologët dhe nuk është aspak i "shëndetshëm", për shkak të vajrave vegjetale me të cilët përgatitet, brioshët shoqërojnë sot mëngjeset e mijëra njerëzve pa dallim moshe. Është ndoshta funksioni "ngushëllues" i ushqimit në mëngjeset e trishtuara, mungesa e kohës, apo vështirësia për të gjetur një mëngjes të këndshëm në bar, që të bëjnë pa u menduar shumë t‘i rrëmbesh vetëtimthi nga kutia, apo tavolinat. Gjithçka do të ishte më e lehtë nëse do të përgatiteshin si në kohën e Toulouse-Lautrec-ut: me miell, gjalpë, sheqer, vezë, maja, qumësht. Të përgatitura me kujdes, duhen patjetër të konsumohen të ngrohta, atëherë kur të shijojnë edhe më shumë. Por ato që na tundojnë më shumë, janë përbërësit që mbajnë brenda vetes: krem, reçel, çokollatë, që dashur pa dashur bëhen "aksesor"-ët e domosdoshëm të miqve më të mirë të mëngjeseve tona. Jo rastësisht, nëpër pastiçeritë më të mira në botë, i kushtohet shumë rëndësi, "punimit", ardhjes së ngadaltë dhe të vazhdueshme, dhe në fund mbushjes, që të gjitha së bashku nëse gatuhen me "dashuri", të bëjnë të zgjohesh më ëmbël.
Por, sa keq që të gjitha ato që hamë çdo ditë janë krejtësisht ndryshe nga aroma dhe përbërësit e atyre që mund të përgatitim në shtëpi, me shumë kujdes dhe në mënyrë natyrore, pa i shtuar përbërës kimikë, konservues dhe aroma që imitojnë shijen e ingredientëve të freskët. Por ka edhe më keq. Në ndonjë qoshe të rrugës, ku uria dhe lodhja kanë arritur kulmin mund të mbushësh stomakun me ndonjë briosh të thatë, që ngrohet në furrë nga halli, sigurisht shumë larg atij origjinalit. Për uri apo për zakon, të shoqëruara me qumësht apo kafe, prej shumë vitesh janë miqtë tanë më të mirë të mëngjesit. Njëra pas tjetrës na mbushim stomakun, por mbi të gjitha na shijojnë pa na shqetësuar aspak për kilet e tepërta. Ndoshta është edhe kjo arsyeja që tetë evropianë në dhjetë nuk i refuzojnë dot. Pastaj, në llojet e shumta që na serviren do ta gjejmë patjetër atë që na pëlqen më shumë. Me reçel, çokollatë, krem, në formë briri apo të rrumbullakët, shpesh edhe sipas shijeve dhe dëshirave personale, mund të shërbejnë mrekullisht si në mëngjes ashtu dhe si ëmbëlsirë në fund të vaktit.
Por më të çuditshmja janë brioshët e kripur për të gjithë ata që nuk duan ta nisin ëmbël mëngjesin e tyre. Të mbushura me proshutë, sallam, apo djathë, sigurisht që nuk mund t‘i shoqërojmë me qumësht apo kafe. Kësaj here në vend të tyre, zënë vend lëngjet e frutave, ndoshta ndihen krenare që zënë vend te miqtë e mëngjesit edhe pse nuk janë të ëmbël. Franca dhe Austria vazhdojnë t‘i quajnë me të drejtë si mbretëreshat e mëngjesit, sidomos brioshët e tyre karakteristikë me gjalpë, që për asnjë arsye nuk mund t‘i rezistosh dot. Pikërisht nga Franca, baret e shtresave të larta servirin edhe brioshë dhe krosantë jo të "freskët", por të realizuara "comme il faut", domethënë ashtu siç duhet përveç atyre të freskëtave dhe recetave origjinale që të bëjnë të lëshojë goja lëng. Sigurisht që të tillë gjen rrallë, por jo e pamundur për t‘i njohur. Mund t‘i gjejmë kudo, sigurisht nëse nuk shqetësohemi për kilet e tepërta. Në këto rast ia vlen të hamë atë që na pëlqen më shumë duke harruar gjithçka dhe duke menduar se është ushqimi perfekt për ta nisur ditën me një buzëqeshje më shumë.
Marre nga : Gazeta Shqip











