Botimet e Javes

Botimet e Javës

Librari

Rizah Sheqiri në gjuhën rumune

Pas jehonës së vlerave poetike të Ali Podrimjes, Sabri Hamitit, Visar Zhitit, Sali Bashotës, Ibrahim Berishës, Miradije Ramiqit, Ibrahim Kadriut, Shkëlzen Halimit, Radije Hoxhës, Basri Çapriqit, Mardena Kelmendit, Shefqet Dibranit, Halil Haxhosajt, Rozi Theoharit, Arif Molliqit, Merita B. Mçormackut etj., të përkthyera e botuara në gjuhën rumune, disa nëpër antologji e disa me vepra të veçanta, këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht libri më i ri i poetit kosovar me banim në Suedi, Rizah Sheqiri. Fjala është për vëllimin dygjuhësh “Apel pentru iubire” (Ftesë për dashuri), një përmbledhje antologjike me vlera të mirëfillta lirike, të rikënduara në gjuhën rumune me përkushtim dhe besnikëri nga ana e autorit të këtij shkrimi.

Librit ia shtojnë vlerën parathënia e eseistit të shquar Marius Qelaru (Qielli i lirë i mendimit të ndritur nga ndriçimet e mallit), ballinat brilante, realizimi teknik i Rëzvan Bëlashës, pasthënia jonë që mban titullin “Shpirti i fjalëve që shëmbëllen me fluturimin e fluturave në erë”, si dhe përkushtimi i autorit në adresë të prindërve të tij: Të dashurve të mi, nënës dhe babait, të cilët ballëlartë i qëndruan kohës, krenarë përballuan çdo furtunë, gurishtës ia shtuan jetën e këngët, dhe bashkë i shkruan dhjetë romane, njëri prej të cilëve jam unë. Poezitë e kapitullit të parë të këtij libri janë të seleksionuara nga vëllimi “If you really want to know the truth” (Nëse patjetër të duhet e vërteta), ndërsa dy kapitujt e tjerë janë të përbërë nga vëllimi “Degëz e këputur”, kapituj me të cilët poeti shqiptar i është prezantuar opinionit rumun. Pason të dalë këto ditë në gjuhën rumune, edhe një vëllim antologjik i poetit të ri shqiptar, Jeton Kelmendi.

Libri “Ftesë për dashuri” është i strukturuar në tre kapituj: Nyja e jetës, Vullkani i durimit dhe Agimet e dritës. Po shtojmë me këtë rast faktin se Rizah Sheqiri ka lindur më 12 janar 1961 në Brainë të Kosovës. Ka kryer Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Prishtinës, ka punuar shtatë vjet në Radio Prishtinë, pastaj është detyruar të mërgohet, duke zgjedhur për vendjetesë Suedinë, ku ka vazhduar aktivitetin e shkrimtarit. Autori është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë. Deri tani ka botuar mbi 30 libra. Shkruan poezi dhe prozë, për fëmijë dhe për të rritur.

Blair dhe Bush, aleanca e çuditshme

Titulli: "Amerikani" Tony Blair (Bler dhe Bush marrëveshja për Irakun)

Autori: James Naughtie

Përktheu: Enkeleida Haxhinasto

Biografi dhe kujtime

Botimet: Dudaj

Çmimi: 800 lekë

Marrëdhënia e Toni Blerit me Amerikën është një nga historitë më tërheqëse të kohës sonë. Ai është kryeministri që duke u lidhur me Xhorxh Bushin vuri në rrezik të ardhmen e tij politike në Britani, por njëkohësisht u kthye në një hero për shumë amerikanë që pas 11 Shtatorit. Në këtë histori të jashtëzakonshme e magjepsëse, autori James Naughtie pyet përse Bleri hyri në zemrat e amerikanëve, përse ai iu përgjigj atyre në atë mënyrë, cilat do të jenë pasojat për Britaninë, politikën dhe liderët e saj.

Toni Bler e shndërroi "marrëdhënien e veçantë" në një "histori dashurie". Miqësia e tij me Bill Klintonin ishte e ngushtë, e megjithatë ai e kapërceu ndarjen politike duke e përqafuar Xhorxh W. Bushin me të njëjtën ngrohtësi. Me njohuritë e tij të pakrahasueshme, si dhe duke përdorur dëshmitë e një rrethi të gjerë miqsh të ngushtë, Xhejms Naughtie zbulon rrënjët e obsesionit amerikan të Blerit.

Por ky respekt i thellë ka koston e tij. I sulmuar nga anëtarët e pabindur të partisë së tij dhe duke humbur gjithnjë e më tepër besimin e elektoratit, Bleri shihte reputacionin e tij brenda vendit të tretej teksa arrinte qiellin tek republikanët e Bushit. Pra, përse e ka rrezikuar ai të ardhmen e tij politike në këtë mënyrë? Si ishte e mundur që një politikan që e solli në pushtet një parti dikur socialiste e betuar, arriti të bashkohej me neokonservatorët amerikanë? Përse vendosi ai që në një Evropë krejtësisht mosbesuese ndaj një imperializmi të ri amerikan, ta kthente shikimin me vendosmëri përtej Atlantikut? Ç'mendonte në të vërtetë për Amerikën lideri i nderuar nga Kongresi e i përkëdhelur nga Shtëpia e Bardhë? Si do ta shpjegonin demokratët lidhjen e mikut të tyre të vjetër me administratën e Bushit?

Një partneritet "jashtë rregullave"

Aleanca ndërmjet Xhorxh W. Bushit dhe Toni Blerit është më e çuditshmja e shekullit dhe një nga më të fuqishmet. Kjo fuqi vjen pjesërisht nga veçantia e kësaj aleance, sepse këta dy liderë herë pas here janë befasuar e trullosur aq shumë nga kjo marrëdhënie, saqë e kanë ushqyer atë edhe më tepër. Por ky partneritet është gjithashtu një nga më përçarësit e kohëve tona.

Lufta në Irak i vuri kundër aleatëve të tyre të vjetër dhe tronditi Lindjen e Mesme. Ata sfiduan Kombet e Bashkuara dhe përçanë Evropën, duke u ngatërruar në një pushtim të cilin e konsideronin si pjesë të një lufte më të gjerë, që mund të zgjaste për vite me radhë. Vetë NATO-ja, mishërimi i aleancës perëndimore për më tepër se gjysmë shekulli, u turbullua dhe u ndie e pasigurt nga sfida që ata i bënë kredos së saj të veprimit të përbashkët. Ata folën përsëri për "të mirën dhe të keqen", formulën e thjeshtë që disa menduan se ishte fashitur bashkë me Luftën e Ftohtë. Bushi dhe Bleri e nxorën këtë formulë nga rrënojat e 11 Shtatorit dhe e përdorën në përpjekjet e tyre për të riformuar marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kjo aleancë ka qenë tepër personale. Që në lëvizjet e para të ngathëta e nervoze pas zgjedhjes së Bushit, e deri te marshimi i paepur drejt luftës në Irak, ky partneritet i shkeli të gjitha rregullat. Një president republikan dhe një kryeministër laburist, njëri i nxitur nga një komitet drejtues neokonservator, i cili kërkonte t'u jepej fund standardeve të mëparshme për arritjen e konsensusit ndërkombëtar dhe tjetri i kundërshtuar nga partia dhe elektorati…

Rikthimi i "Trojës së ngujuar"

Titulli: Vdekja e mbretit Congor

Autori: Laurent Gaude

Përktheu: Eglantina Gishti

Roman

Botimet: Max

Çmimi: 400 lekë

Në zemër të Afrikës së lashtë, plaku Congor, mbreti i Masabës, sovrani i një perandorie të madhe, po përgatitej për martesën e së bijës. Por ditën e ceremonisë u shfaq një tjetër mëtues. Shpërtheu lufta: u rikthye Troja e ngujuar dhe tebanët plot urrejtje. Mbreti vdiq, por nuk mund të prehej në paqe në qytetin e pushtuar. Djalit më të vogël, Subës, iu caktua detyra të përshkonte kontinentin për të ndërtuar shtatë varre në kujtim të të adhuruarit dhe të urryerit mbretit Congor.

Roman i zanafillës, tregim epik dhe fillestar, libri i ri i Laurent Gaude shpalos në një gjuhë dehëse flamujt e trimërisë, bukurinë e heronjve, por edhe pabesitë që sollën disfatën. Çdokush duhet ta pranojë turpin. Kjo është e vërteta e fshehur, ajo që të çon përtej vrulleve të zemrës dhe ligjeve të familjes. Ndoshta ky është thelbi i tragjedisë.

Rrëfim për dashurinë "e munguar"

Titulli: Lulja e dëborës dhe erashka sekrete

Autori: Lisa See

Përktheu: Petro Plasa

Roman

Botimet: Pegi

Çmimi: 650 lekë

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në një provincë të largët, në Kinë, një vajzë e vogël shtatë vjeçe më emrin Lili krijon një marrëdhënie laotong, marrëdhënie emocionale që zgjat gjithë jetën. Laotongu i saj, Lulja e Dëborës, prezantohet duke i dërguar Lilit një erashkë prej mëndafshi, në të cilën ka shkruar një poezi në nu shu, një gjuhë e veçantë që gratë kineze e kishin krijuar për të komunikuar në fshehtësi, larg vëmendjes së burrave. Vit pas viti, Lili dhe Lulja e Dëborës këmbejnë mesazhe në erashkë, duke kapërcyer muret që i veçonin nga bota, në kërkim të shpresave dhe ëndrrave. Ato durojnë se bashku dhimbjen e këmbëve të lidhura, shkëmbejnë mendime për martesat e paravendosura nga familjet e tyre, përjetojnë si nëna vetminë, gëzimet e tragjeditë e tyre. Të dyja gjejnë qetësi në këtë marrëdhënie që i mban shpirtërisht të lidhura. Por për shkak të një keqkuptimi, miqësia e tyre rrezikon të shkatërrohet…

Unë jam një nga ato gra, që në fshat e quajnë "Ajo që e ka harruar vdekja", e ve, tetëdhjetëvjeçare. Pa tim shoq ditët janë tepër të gjata. Nuk më pëlqejnë më ushqimet e veçanta që përgatisin për mua Feni dhe të tjerat. As nuk pres me padurim ngjarjet e gëzuara që ndodhin shpesh nën çatinë tonë. Tani, e vetmja gjë që më intereson është e shkuara. Pas gjithë kësaj kohe mund t'i them më në fund ato gjëra, të cilat nuk mund t'i thosha atëherë, kur më duhej të varesha nga familja e tim eti, apo kur më ushqente familja e burrit. Kam një jetë të tërë për të treguar. Nuk kam më se ç'të humbas dhe as nuk ofendoj njeri.

Jam plakur aq sa të njoh mjaft mirë anët e mira dhe të këqija të vetes sime, të cilat në të shumtën e rasteve kanë qenë e njëjta gjë. Gjithë jetën më ka munguar dashuria. E di se nuk ishte e drejtë që kur isha vajzë, por edhe kur u martova, ta dëshiroja ose prisja dashurinë, por ja që këtë bëra, dhe kjo dëshirë e pajustifikueshme ka qenë në themel të çdo shqetësimi që kam kaluar në jetë

Titulli: Mbreti xhuxh

Autori: Ferit Lamaj

Fabula

Botimet Ilar

Çmimi: 500 lekë

Ja dhe xhuxhët, eh, ç'qyfyre,

Seç i thonë Mbretit të tyre

Me përulje, simpati:

"Madhëri, Madhëri!"

Marre nga : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama