Elektronika ja si po na e ndryshon trurin

Elektronika, ja si po na e ndryshon trurin

Devin Moore sapo kishte mbushur 18 vjeç kur u kap nga policia e Alabamës (në SHBA). Ai u akuzua për vrasjen dhe për vjedhjen e një makine. Gjatë kohës që kishte kryer vjedhjen, ai qëlloi 3 njerëz, dy policë dhe një kalimtar. Për fat të keq, asnjëri nuk mundi t‘u shpëtonte plagëve të rënda të shkaktuara nga pistoleta pa leje që mbante me vete djali i ri. Kur i erdhi radha për të dëshmuar, ai tha: "Jeta është një videolojë. Sidoqoftë të vejë puna, herët ose vonë do të vdesësh".

E kujt është përgjegjësia?

Avokatët mbrojtës, të cilët prezantonin interesat e familjes së 18-vjeçarit, treguan se pjesë e përgjegjësisë në krim është edhe "Take Two Interactive", ndërmarrja prodhuese e Grand Thelf Auto, një videolojë stimuluese e jetës kriminale, me të cilën Moore luante në mënyrë obsesive. Avokatët po mundoheshin të tregonin se videolojëra si këto të mësipërmet i shtyjnë të rinjtë të kryejnë vepra kriminale, duke imituar heronjtë e tyre të lojërave. Episode si këto tregojnë se media (përfshirë edhe videolojërat) ndikojnë plotësisht në mendjen e të rinjve. Ndoshta është e pamundur të verifikohet se një videolojë është përgjegjëse për një akt specifik dhune. Shumë studime ia hedhin fajin medias vizive për cilësinë e dobët të programeve që paraqet, si dhe për rritjen e dhunës te të rinjtë, duke mos harruar këtu edhe sëmundje si mungesën e përqendrimit, depresionin që prek fëmijët, si dhe humbjen e standardeve edukative. Studime të tjera cilësojnë se prej 50 vjetësh e deri më sot, me shfaqjen e televizionit, koeficienti i inteligjencës ka filluar të rritet. Personat të cilët luajnë rregullisht me videolojërat, kanë rezultate më të mira në testet e vëmendjes vizive. Cilat janë efektet e mediave moderne në trurin e të rinjve?

Televizioni dhe kompjuterët a rrisin aftësitë tona mendore dhe shoqërore, apo ndikojnë negativisht, duke na bërë të fiksuar dhe agresivë?

Për një gjë të vetme studiuesit bien dakord: të gjitha teknologjitë që përdorim ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në trurin tonë. Nuk ka asgjë surprizuese në lidhje me këtë, tregon Martin Westwell, pedagog në Universitetin e Oksfordit, në Britaninë e Madhe: "Jemi këta që jemi për shkak të reagimit të qelizave të trurit tonë, të cilat ndikohen nga ambienti dhe nga gjërat që ne bëjmë. Nëse ndryshojnë lidhjet, ndryshon edhe mënyra si mendojmë", tregon Westwell. Si ndikon media? Disa studiues janë të mendimit që media mund të ndikojë pozitivisht në inteligjencën tonë, duke na bërë më të zgjuar. Steven Johnson, gazetar dhe kërkues shkencor amerikan, tregon se mediat dhe videolojërat kërkojnë një planifikim më kompleks dhe një aftësi të madhe për të zgjidhur problemet. Johnson është i bindur se kjo lloj kulture popullore e mban trurin në lëvizje.

Më të aftë

Prova që e vërteton këtë? Pikërisht rritja e koeficientit të inteligjencës. Edhe studiues të tjerë janë të të njëjtit mendim: Shawn Green dhe Daphne Bavelier nga Universiteti i Rochester në Nju Jork, kanë treguar se kush luan rregullisht në kompjuter ka më shumë të zhvilluar anën vizive, ndjek më mirë ndryshimet e vazhdueshme, si dhe mund të kapë më shumë informacione. Jonathan Roberts, nga instituti "Virginia Polytechnic", ka zbuluar se femrat të cilat dalin më dobët se meshkujt në testet e inteligjencës, u përmirësuan me kalimin e kohës me anë të ushtrimit të tyre në lojërat tredimensionale. Videolojërat janë në gjendje të përmirësojnë edhe aftësitë fizike: James Rosser, nga qendra mjekësore "Beth Israel" në Nju Jork, ka zbuluar se kirurgët më të mirë të endoskopisë janë njerëzit që ushtrohen më shumë se askush me videolojëra. Sipas Rene Weber, nga Universiteti i Kalifornisë në Santa Barbara, edhe telenovelat që shfaqen në televizion janë shumë të rëndësishme, sidomos për njerëzit më pak inteligjentë, të cilët mund të kenë rastin e tyre të vetëm që të njihen me seksin e sigurt, si dhe mbi rreziqet që paraqesin sëmundje si AIDS, apo sëmundje që vijnë si pasojë e konsumimit të drogave. Për sa i përket internetit? Ka nga ata të cilët mendojnë se përdorimi i tij mund të na bëjë më socialë, por ka edhe të tjerë të cilët mendojnë se mund të ketë efektin e kundërt. Dimitri Williams, nga Universiteti i Illinois në Urbana-Champaign, ka zbuluar se programet kompjuterike ndikojnë në personalitetin tonë. Karakteret e hapura bëhen më shoqërorë, ato më të mbyllurat më të vetmuar. Megjithatë, është e pamundur t‘i përgjithësosh. "Gjithçka varet nga përdorimi që i bën gjithsecili", tregon Williams.

Të pagjumë, agresivë dhe obezë

Akuzat janë të shumta. Jeffrey Johnson, nga Universiteti i Columbias në Nju Jork, ka ndjekur për 17 vjet rresht më shumë se 700 familje, duke regjistruar ndryshimet sociale, shëndetësore, si dhe sjelljet e tyre. Ka arritur në konkluzionin se: sa më shumë televizion të shikohet në fëmijëri dhe në adoleshencë, aq më të shumta janë mundësitë për të pasur më vonë probleme me gjumin, vështirësi në përqendrim dhe në mësim. Njerëzit mund të bëhen më agresivë, si në aspektin verbal, ashtu edhe në atë fizik, mund të bëhen obezë, si dhe të fiksuar pas diçkaje. Dimitris Christakis, nga Universiteti i Washingtonit në Seattle, ka treguar se fëmijët të cilët shikojnë televizor dyfish më shumë se mesatarja (që në atë studim ishte 2,2 orë në ditë për njëvjeçarët dhe 3,6 orë në ditë për 3-vjeçarët) në moshën shtatëvjeçare kanë shumë mundësi që të mos përqendrohen dot si dhe të bëhen pasivë.

Studimi i Johnson tregon se ekziston një lidhje e fortë mes kohës së gjatë që kemi parë televizor kur kemi qenë fëmijë, si dhe mundësisë të sjelljeve të dhunshme kundrejt moshatarëve të tyre. Jon Murray, psikolog në Kansas State University, tregon se dhuna në televizion ka shtuar ndjeshëm dhunën dhe agresivitetin në shoqërinë tonë. Rezultatet e studimeve të bëjnë të mendosh se videolojërat e dhunshme kanë një efekt edhe më të madh. "Videolojërat janë më të rrezikshme se televizioni, sepse janë interaktive. Fëmijët mësojnë më mirë duke parë dhe duke imituar, u pëlqen shumë të dalin fitimtarë dhe të kenë sukses, pikërisht këtë kënaqësi u falin videolojërat", vazhdon Murray.

Mendime negative

"Nuk ka rëndësi lloji i lojërave ose i transmetimeve televizive, sepse dhuna ekziston gjithsesi, por orët që shikohen skena të dhunshme", tregon Lesley Joy, nga Universiteti i British Columbia në Kanada. Mjafton vetëm gjysmë ore dhunë për të pasur mendime të dhunshme.

Më mirë sporti

Mediat moderne si televizioni dhe videolojërat "modifikojnë" trurin tonë: sa më shumë t‘i përdorim, aq më shumë do të ndryshojmë. Mund të na bëjnë më inteligjentë dhe më të mirë në disa anë, por mund të ndikojnë negativisht në shumë të tjera. Zgjidhja nuk është e lehtë. Gjithçka varet nga zgjedhjet që bëjnë prindërit e fëmijëve, si dhe vetë fëmijët. Nëse fëmijët merren me shumë sport, ose luajnë me shokët e tyre, në vend që të kalojnë gjithë kohën e tyre të lirë para televizionit ose videolojërave dhe t‘u përkushtohen lojërave të qeta si "Kawashima brain training", përfitimet do të jenë me të vërtetë të mëdha. Ndërsa për ata, të cilët kalojnë gjithë kohën e tyre të lirë duke qëlluar e duke luftuar, për fat të keq rezultatet në të ardhme do të jenë dramatike.

Përdore nëse nuk do ta humbësh

Studimet e deri tanishme kanë pasur objekt të tyre njerëzit e moshës së tretë. Ndër këto ne do të përmendim 2 studime, të cilat janë publikuar në revistat më prestigjioze amerikane. E para është prezantuar në JAMA në vitin 2002 dhe ka përfshirë 3000 njerëz nga mosha 65 deri në 95-vjeçare. Disa njerëz janë caktuar në tri grupe "trajnimi" dhe të tjerë kanë vazhduar jetën e përditshme. Nga programi u vu re se të tri programet kanë funksionuar dhe përmirësimet janë vënë re me kalimin e kohës.

Studimi i dytë është publikuar në vitin 2003 në "New England Journal of Medicine" dhe në të janë përfshirë pothuajse mbi 500 njerëz të moshës mbi 75-vjeçare. Në këtë rast stimulimi mendor është realizuar nëpërmjet disa aktiviteteve të këndshme si lojëra në shoqëri dhe rezultatet kanë qenë pozitive: të luash shah dhe me letra të mbron nga sëmundje e Alzeheimer.

"Është i njohur fakti se sëmundjet mendore preknin më tepër njerëzit të cilët e ‘flenë‘ trurin", tregonte Orazio Zanetti. "Këto studime rezultojnë në 2 elemente të reja: i pari është se truri i stërvitur plaket më vonë dhe së dyti tregohet se performancat mendore mund të përmirësohen në çdo moshë".

Ai që e ka çuar më tej studimin e mësipërm ka qenë neurologu japonez Ryuta Kawashima. Studiues i imazheve cerebrale dhe i pasionuar pas ushtrimeve logjike dhe matematikore (që në Japoni janë më shumë të përhapura se fjalëkryqet), shkruan një libër që i kushtohet "streçingut mendor". Suksesi ishte i tillë sa që "Nintendo", shtëpia prodhuese e lojërave-video, vendos që ta realizojë të gjithë këtë në një version teknologjik. "Brain training" i doktor Kawashimës (që pasi shiti 3 milionë kopje në Japoni u komercializua edhe në Evropë), bazohet në ushtrime të thjeshta logjike dhe matematike. Parametrat, të cilat u vlerësuan, ishin: shpejtësia dhe saktësia me të cilat zgjidheshin këto prova. Së fundmi, software i kushton rëndësi të veçantë programit të përditshëm të stërvitjes "për të ulur moshën cerebrale". Ashtu siç thotë edhe një proverb e vjetër angleze (që i referohet trurit), "Use it or lose it" ("Përdore nëse nuk do ta humbësh").

"Gjëja e veçantë që ka bërë ky shkencëtar i panjohur në botën shkencore është përdorimi i metodave që nuk të lodhin, apo të mërzisin, përkundrazi janë të thjeshta, të japin kënaqësi, por edhe rezultate pozitive", komenton Zanetti.

"Aspekti thelbësor i këtyre metodave është zbavitja dhe efektiviteti që jep", është ajo që përsërit shpesh herë Ennio Peres, matematikan dhe fans i këtyre lojërave mrekullibërëse. "Loja stimulon logjikën dhe fantazinë, ndikon në raportet shoqërore dhe në kuriozitetin kulturor. Kjo gjë lejon që të mbajë në stërvitje të vazhdueshme ‘lojën tonë më të rëndësishme‘, që është truri", sipas përcaktimit të Charlin Chaplin.

Studime të ndryshme sugjerojnë se loja ka rolin thelbësor në kapjen e shpejtë nga çdo moshë: me anë të lojërave mund të mësohesh me rregullat, emocionet, idetë e mendimet, si dhe me drejtimin e situatave të paparashikueshme. Filozofi Johan Huizinga, autor i "Homo ludens", tregon se njeriu është një kafshë që është krijuar për të luajtur dhe se bota e njerëzve është shumë ekspresive dhe e gjallë. Ndërsa shkrimtari gjerman Jean Paul, në aforizmin e njohur tregon "loja është diçka shumë serioze, madje jashtëzakonisht serioze". Me anë të këtyre lojërave, vihet në lëvizje gjithë truri, kështu që nëse ushtrohet si duhet, qëndron gjithmonë i stërvitur dhe në formë. Historia e këtyre lojërave logjike ka një histori të çuditshme. Janë ideuar fillimisht nga një arkitekt i dalë në pension në vitin 1979 dhe më pas janë publikuar edhe te disa revista italiane në vitet ‘80, në të cilat është anashkaluar dhe nuk i është dhënë asnjëherë rëndësia e duhur, por kjo ndodhi deri në vitin e kaluar. Kështu që këto lojëra (suduku), të cilat janë të bazuara në logjikën e pastër, janë duke konkurruar fjalëkryqet klasike.

A mjaftojnë këto lojëra për të mbajtur trurin në formë? Sipas ekspertëve, nuk janë të mjaftueshme.

"Lojërat logjike ndikojnë pozitivisht në tru, por në aspektin e stërvitjes, ushtrimit. Ato nuk u lënë hapësirë aftësive dhe karakteristikave të tjera të trurit, siç mund të jenë intuita dhe kreativiteti, që kërkojnë stimuj të tjerë", shpjegon Zanetti.

Për këtë arsye "është e këshillueshme që të praktikohen lloje të ndryshme lojërash: matematikore, linguistike, enigmatike dhe kreative", këshillon Ennio Peres.

Por edhe kjo nuk mjafton. Ushtrimet duhet të jenë gjithmonë e më shumë të vështira dhe duhet të përballeni me probleme të reja.

"Studime që janë bërë me anë të rezonancës magnetike funksionale tregojnë se truri është më i stimuluar kur vështirësia e ushtrimit është më e madhe", shpjegon Salvatore Giaquinto, drejtuesi i departamentit të rehabilitimit neurologjik në San Raffaele Pisana të Romës.

Në një program të trajnimit ideal të trurit, përveç ushtrimeve logjike, nevojiten ushtrime që stimulojnë kreativitetin dhe për këtë gjë janë vënë në dispozicion lojëra të shumta. Shkaku është i njohur tashmë: me anë të këtyre metodave rizgjohen të gjitha burimet që zotërojmë (logjike, konjiktive dhe kreative).

"Këto lojëra kanë edhe meritë sociale, janë gjithëpërfshirëse dhe janë thelbësore për një stimulim të shëndetshëm dhe të motivuar", nënvizon Zanetti. Nuk duhet të harrojmë se këto lojëra-ushtrime duhet të bashkërendohen, sepse nëse do të ushtronim vetëm logjikën, në një farë mënyre do të bëheshim si kompjuter. Ndonjëherë kur bëjmë të njëjtën gjë, shpesh herë i themi vetes: "Jemi bërë si kompjuterë".
Le të improvizojmë një situatë të çfarëdoshme:

"Një njeri hyn në një bar dhe kërkon një shishe me ujë. Banakieri në vend të ujit i nxjerr pistoletën dhe e kërcënon se do ta vrasë. ‘Faleminderit‘, i përgjigjet burri dhe largohet", situatë e cila mund të ndodhë vetëm në botën virtuale, në këtë rast në një lojë të përsëritur kompjuterike.

Përgatiti: Delina Cici

Televizion, internet dhe videolojëra

Si të sillemi me fëmijët? 5 këshilla për prindërit

Kufizojini kohën
Akademia amerikane e pediatreve rekomandon: nuk duhet parë televizor deri në moshën 2-vjeçare; më vonë, me kalimin e moshës orari i lejueshëm është 1, maksimumi 2. Bill Gates, drejtues i "Microsoft"-it, e lejon vajzën e tij 11-vjeçare të navigojë vetëm 45 minuta në internet dhe të luajë në videolojëra. Ndërsa në ditët e festave, maksimumi që Jenniferi duhet të kalojë para kompjuterit, është një orë. Ndërsa për adoleshentët vlen më shumë rregulli: nuk lejohen videolojërat para darkës.

Zgjidhni cilësinë
Programe dhe videolojërat jo të dhunshme dhe cilësore mund të kenë efekte pozitive nëse përshtaten me moshën e fëmijës dhe e kulturojnë atë.

Favorizoni sportin dhe hobet
Krijoni kushtet ideale për t‘u lejuar fëmijëve tuaj mundësi për të shprehur pasionet dhe dëshirat e tyre.

Ndihmojeni të socializohet
Mundohuni të gjeni mënyrën më të mirë për t‘ia bërë më të lehtë jetën sociale fëmijë tuaj: ndihmojeni që të zgjedhë shokë të mirë, si dhe të kapërcejë turpin.

Flitini për cilësinë
Shpjegojini fëmijës tuaj se çfarë është reale dhe çfarë jo. Mësojini si ta luftojnë dhunën dhe të duan paqen në çdo kohë.

Ushtrimi më i mirë është loja: të motivon dhe të argëton

Stërvitje ideale

Në stërvitjet perfekte të trurit hyn loja e shahut. Të lë të mendohesh mirë, duke vënë në lëvizje trurin dhe më pas të bësh lëvizjen e duhur. Loja e shahut ka një efekt pozitivisht të dyfishtë: ndikon në aktivitetin mendor dhe në jetën sociale

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama