Në derë kishin lënë një letër ku shkruhej: "Lajmëroni policinë". Mëngjesin e dy ditëve më parë, një mik i tyre i pa dhe dha alarmin: Trupi e filozofit Andre Gorz dhe gruas së tij, Dorine, preheshin afër njëri-tjetrit. Kishin vendosur të bënin atë që kishin menduar dhe dëshiruar gjithmonë: të vdisnin së bashku pas 60 viteve që kishin jetuar, njëlloj si kishte bërë dhe Arthur Koestler me gruan e tij të tretë, Cinthya. Kishin lënë shumë letra që ua kanë adresuar miqve të tyre, por arsyet e kësaj vdekjeje të dyfishtë dhe në të njëjtën kohë janë përmbledhur në një tregim rrëqethës të publikuar nga Gorz një vit më parë, një himn dashurie i thurur për të shoqen. Një tekst i papritur, i pamenduar të shkruhej nga ky burrë. Në fund të atij vëllimi, Gorz shkruante se të dy nuk e imagjinonin dot jetën pa njëri-tjetrin. Por filozofi në atë kohë e kishte mohuar se kishte menduar për një vetëvrasje të përbashkët. Kishte folur edhe me Michel Contata, që kishte shkuar ta intervistonte për "Le Monde", i cili e kishte pyetur nëse ajo që shkruante kishte ngjashmëri me rastin e Koestelr:
"Kemi folur për këtë vetëvrasje të dy kur e morëm vesh (Koestler u vra në vitin 1983). Por ajo ishte historia e tyre, lufta e tyre. Unë nuk mendoj kështu dhe ajo mendon njëlloj si unë. Unë dhe Dorine jetojmë pafundësinë e çastit edhe pse e dimë se ai ka mbaruar. Ndoshta më mirë kështu. E tashmja na mjafton". I lindur në Vjenë, në vitin 1923, nga një baba hebre dhe mama katolike, i vendosur në Zvicër gjatë luftës, Gorz ka qenë një nga teoricienët më të njohur të së majtës evropiane, por figura "përcaktuese" e personalitetit të tij ishte Jean-Paul Sartri, me të cilin u takua pak kohë pasi ishte diplomuar për inxhinieri kimike në Lozanë. Në fakt ishte ekzistencializmi ai që influencoi mbi mendimin tij, ku autonomia individuale është konsideruar si kusht i domosdoshëm për ndryshimin e shoqërisë. Pozicionet e tij anti-strukturaliste dhe anti-autoritare bënë që të punonte për shumë vjet në "Les temps modernes", revista e themeluar nga Sartri. Në atë botë, Gorz ishte një pikë referimi edhe për sa i përket jetës personale.
Contata kujton: nga njëra anë ishte çifti Sartri-de Beauvoir, ndërsa nga ana tjetër ishin Andre e Dorine, çifti që e shihte besnikërinë si etikë të dashurisë. Babai i ekzistencializmit ka qenë edhe sponsori i tij intelektual, pasi libri i parë i Gorz, "Tradhtarët", doli me një parathënie të Sartrit dhe arriti një sukses të madh dhe sigurisht të papritur. Në vitet ‘50-‘60, Gorz në të njëjtën kohë u mor edhe me gazetari. Në fillim tek "Express", pastaj te "Nouvel observateur", ku së bashku me Jean Daniel do të ishte një nga themeluesit dhe do të shkruante nën pseudonimin Michel Bosquet. Në të gjitha aktivitetet në këtë fushë u qëndroi besnik ideve të tij kundër kapitalizmit dhe kritikonte ashpër një shoqëri të bazuar te konsumi. Nuk hoqi dorë nga kritikat ndaj shoqërisë dhe publikoi tekstet e famshme si kritika e kapitalizmit të përditshëm dhe kritika e ndarjes së punës. Në vitin 1974 largohet nga "Les Tempes modernes" duke u larguar kështu edhe nga teoria e tij ndaj ideve marksiste, me të cilat ishte lidhur për të formuluar teorinë e ekologjisë politike që tentonte të bashkohej me utopinë socialiste. Libri i famshëm, "Lamtumirë proletariatit", i publikuar në vitin 1980, ndërton një rekuizicion të vërtetë kundër marksizmit dhe kultit të proletariatit. Një evolucion ky, që bëri t‘i viheshin kundër shumë nga miqtë e tij, të cilët e shihnin të çuditur në vitin 1983 teksa kundërshtonte lëvizjet pacifiste, kur në Evropë dhe në veçanti në Gjermani shpërtheu protesta kundër instalimit të raketave evropiane.
Gorz refuzoi të bashkohej me këtë lëvizje dhe akuzoi pacifistët "se kishin vënë jetën e tyre para lirisë". Një pozicion që në fund të fundit nuk na çudit. Gorz ka qenë para së gjithash një humanist dhe në versionin e tij socialist nuk kishte vend për ndonjë totalitarizëm, aq më tepër për atë sovjetik. Prej 23 vjetësh Gorz ishte tërhequr në fushatë me gruan. Por kishte vazhduar të shkruante dhe gruaja. Me origjinë angleze, vazhdonte të ishte kundërfigura e tij, bashkëbiseduesja më e mirë, lexuesja e parë e sagave të tij. Andre dhe Dorine jetuan kështu atë që francezët e quajnë "L‘amour fusionel". Të pandashëm në jetë, nuk mund të ndodhte ndryshe edhe në vdekje. Kohët e fundit, tregojnë miqtë e çiftit, filozofi ishte gjithmonë e më i shqetësuar për gjendjen shëndetësore të së shoqes, e cila kishte një sëmundje të pashërueshme edhe pse më parë kishte fituar një betejë kundër një tumori. Historia e tyre përshkruhej në një tregim të dalë një vit më parë, për të cilin ajo nuk donte të fliste: me një fund që parandiente vetëvrasjen e përbashkët. Një histori krejtësisht ndryshe nga ajo e një tjetër filozofi francez, Lolis Althusser, që në 16 nëntor të vitit 1980, në një moment mbyti gruan e vet në apartamentin e tyre në nga rrugët e famshme të Parisit.
Nuk dua ta shoh vdekjen tënde
"Nuk dua më, sipas ‘formulës‘ së Georges Bataill, ta shtyj ekzistencën time për më vonë. Jam i kujdesshëm ndaj pranisë tënde si në fillimet tona dhe do më pëlqente të bëja që ti ta ndieje këtë. Më ke dhënë gjithë jetën dhe gjithçka tënden, ndaj edhe unë do të doja të jepja gjithçka timen në këtë kohë që më ka ngelur. Sapo ke mbushur 82 vjeç. Je gjithmonë e bukur, elegante dhe e dëshiruar. Jetojmë së bashku prej më shumë se 58 vjetësh dhe të dua më shumë se kurrë. Kohët e fundit u dashurova sërish me ty, kur zbulova se çdo boshllëk brenda meje mbushet vetëm nga prania jote ngjitur me mua. Ndonjëherë natën shoh profilin e një burri që në një rrugë bosh dhe në një peizazh të shkretë ecën pas një kortezhi funerali. Ky njeri jam unë. Kortezhi po të merr me vete. Nuk dua të marr pjesë në varrimin tënd: nuk dua të marr një vazo me hirin tënd. Përgjoj frymëmarrjen tënde, ndërsa dora nuk ndalon së të prekuri. Secilit nga ne të dy nuk do të na pëlqente të mbijetonim kur të vdiste tjetri. Kemi thënë shpesh se nëse do të kishim një tjetër jetë, do të doja ta kalonim së bashku". Kjo pjesë është marrë nga "Lettre a d‘histoire d‘un amour".
Marre nga : Gazeta Shqip











