Pas shkëputjes nga skena dhe ekrani, Hygerta Sako vazhdon të jetë tërësisht e impenjuar në dyqanin e saj të fustaneve të nusërisë, “Hygerta’s Angel”. Paparaci ynë e ka fotografuar bukuroshen Sako krejt rastësisht një javë më parë, në rrugën “Myslym Shyri”, ndërsa së bashku me punonjësen e dyqanit kanë qenë duke rregulluar vitrinën me fustanet e bardhë. Mësojmë se prej disa ditësh Hygerta e ka transferuar dyqanin në rrugën “Myslym Shyri” pikërisht aty, ku më parë ka qenë agjencia martesore “Mariage”. E shohim tepër të impenjuar në këto foto, miss-in e cila, që prej gati dy vjetësh i kushton pjesën më të madhe të kohës dyqanit, të cilin e ka parë si biznesin e dëshiruar.
Ndoshta duke u nisur nga fakti, që në rrugën “Myslym Shyri” dominojnë dyqanet me fustane nusërie edhe Hygerta mund ta ketë menduar si vendin më të përshtatshëm për të vendosur aktivitetin e saj 2-vjeçar. Gjithmonë është shprehur tepër e dhënë pas kësaj pune, që në fakt jo vetëm e sheh pozitivisht si një biznes personal, por me sa duket edhe e tërheq po të kemi parasysh faktin, që Hygerta merret vetë shumë me dyqanin dhe nuk i lë gjërat në dorën e punonjëseve. Mikeshat e saj na thonë se edhe ideimin për arredimin e dyqanit të ri e ka bërë vetë. Por ndërkohë nuk dimë, se cila është zgjidhja e Hygertës për vogëlushen Anais, e cila ka ardhur në jetë gati një vit më parë, por që mami është përpjekur ta mbajë larg vëmendjes kureshtare të gazetave dhe revistave.
Në orët, që Hygerta është tërësisht e impenjuar me dyqanin nuk mund të themi nëse vogëlushja shkon në çerdhe, apo ndoshta mami ka menduar ndonjë gjetje tjetër më të përshtatshme. Nga sa shihet në foto, edhe pse Hygerta Sako nuk është rikthyer në linjat e dikurshme të “Miss Albania 1995”, është në formë shumë të mirë dhe si gjithmonë e kujdesshme për pamjen. Kohët e fundit ajo është larguar gjithmonë e më tepër nga jeta skenike dhe impenjimet artistike, pavarësisht diplomës për regjisurë duke i kushtuar tërësisht vëmendjen familjes së saj të re. Madje, për të jetuar larg vëmendjes së publikut, prej kohësh Hygerta duket se ka shkëputur marrëdhëniet edhe me mediat duke refuzuar të japë intervista dhe duke u treguar e vëmendshme, për të mos rënë në objektivin e paparacëve.
Marre nga : Gazeta Panorama











