Shefi i kompanisë Volkswagen në SHBA, ka pranuar se firma është treguar e pandershme duke përdorur një softuer për të manipuluar testet e emisionit të gazit.
Michael Horn tha se e kanë dh… fare.
“Kompania jonë ishte e pandershme me Agjencinë e Mjedisit, me të gjithë ju, dhe me fjalë të tjera në gjermanisht, u them: e kemi dh… fare”, tha ai.
Aksionet e kompanisë gjigande gjermane Volkswagen ranë me më shumë se 18 përqind pasi rregullatorët amerikanë zbuluan se disa nga makinat e tyre mund të manipulojnë testet zyrtare për emisionet e gazit.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit zbuloi se një softuer në disa makina me naftë mund të mashtrojë rregullatorët.
Prodhuesi gjerman u detyrua të tërheqë mbrapsht gjysmë milionë makina të premten.
Përveç kësaj, kompania rrezikon një gjobë prej miliarda dollarë.
Po ashtu zyrtarët e VW rrezikojnë edhe ndjekje penale.
Shefi ekzekutiv i VW kërkoi falje pas skandalit.
“Më vjen thellësisht keq që kemi shkelur besimin e klientëve tanë dhe të publikut,” tha Martin Winterkorn.
Ai shtoi se ka nisur një hetim për këtë pajisje, që i lejon makinat e VW të emetojnë më pak gjatë testimeve sesa kur janë në rrugë normalisht.
Pajisja gjendet në disa modele si Audi A3, VW Jetta, Beetle, Gold dhe Passat.
VW nuk po i shet më këto modele në SHBA.
SHBA thotë se gjoba për çdo makinë që nuk plotëson rregullat për emetimin e gazit shkon deri në 37.500 dollarë.
Meqë VW ka shitur mbi 482 mijë makina të tilla, gjoba mund të shkojë në 18 miliardë dollarë.
Kjo është një shumë e konsiderueshme edhe për kompaninë që së fundmi ka parakaluar kompaninë Toyota, duke u bërë makina që ka shitur më shumë në gjashtë muajt e parë të vitit në mbarë botën.
Vlera e VW në treg është rreth 66 miliardë euro.