SHBA-Rusi Lufta e Ftohte per Polin e Veriut

SHBA-Rusi, Lufta e Ftohtë për Polin e Veriut

Po çfarë i duhen akullnajat SHBA-së dhe Rusisë. Në fakt, tashmë atje nuk ka thjesht akullnaja. Globi po ngrohet me shpejtësi marramendëse dhe shkrirja e akujve ka hapur rrugë të reja kalimi. Kafshët, popullsia e vetme e këtij rajoni po zhduket dhe sipërfaqja nënujore është një pasuri më vete gati e nafte. Sipas një ligji ndërkombëtar, SHBA, Rusia, Kanadaja dhe Danimarka kanë të drejtë të eksplorojnë deri në 200 milje detare nga bregdeti i afërt deri në thellësi të Polit. Por kur akujt po shkrijnë, kjo distancë cilësohet shumë e afërt. Jo thjesht vendosja e një flamuri rus nën ujë në territorin e Polit e Veriut, por edhe eksplorimet për naftë e gaz, tashmë janë starti i një beteje për të gjitha. Dhe, SHBA e Rusia kanë përveshur mëngët. Gati të gjitha gazetat e revistat më të mëdha në botë kanë shkruar për këtë betejë. Sot ne po botojmë një raport dhe analizë të revistës amerikane "The Time", ndoshta shkrimin më të mirë të bërë për këtë çështje. Një raport që flet për luftën më të re mbi tokë, atë të zotërimit të pasurisë së Polit të Veriut. Bota ka nevojë për burime të reja energjie dhe beteja sapo ka nisur.

Në fund të gushtit, një fije zjarri papritur u shfaq në muzgun e Arktikut mbi detin Barents, duke mbuluar retë e ulëta mbi portin norvegjez të Hammerfest-it me një ndriçim spektral portokalli. Me një hungërimë të tmerrshme, flaka shkëlqeu mbi oqeanin e rrahur nga era dhe shkëmbinjtë e thepisur gri, duke konkurruar për një sekondë me diellin veror që kurrë nuk perëndon të Arktikut. Shpërthimi i parë i gazit natyral nga fusha e gazit Snohvit (Borëbardhë në norvegjisht), 90 milje (145 km) larg bregut, ishte një fener sinjalizimi: Pas 25 vitesh me starte të rreme, planifikime dhe ndërtime, operacioni i parë arktik industrial i vajit dhe gazit jashtë Alaskës kishte filluar dhe po zhvillohej.

Këtë verë, megjithatë, pamë diçka të re: Për herë të parë në historinë e regjistruar, Kanali Veri-Perëndimor ishte pa akuj gjatë gjithë rrugës nga Paqësori deri në Atlantik. Humbja e akujve arktikë gjatë këtij viti ishte 10 herë më e lartë se mesatarja vjetore e kohëve të fundit, duke arritur vlerën e Teksasit së bashku me atë të Meksikës së Re. Arktiku kurrë nuk ka pasur imunitet nga politika; gjatë Luftës së Ftohtë, nëndetëset amerikane dhe sovjetike lundruan në ujërat e saj të acarta. Por tani ngrohja globale e ka kthyer Arktikun në diçka të arritshme më shumë se kurrë dhe, në të njëjtën kohë më të cënueshme; kështu ka shpërthyer një valë e re për kontroll të rrugëve tregtare në majë të botës dhe për pasuritë që kombet shpresojnë dhe besojnë se fshihen poshtë akullit. Vetëm 15 vite më parë, kur Rusia dhe Britania luftuan për kontrollin e Azisë Qendrore, të josh mendimi se, jo në majë të maleve të pluhurosura, por në vendet e akullta të veriut të ngrirë është në përgatitje e sipër një Lojë e Madhe.

Rusia është mu në mes të lojës së re. Në një ekspeditë të cilës nuk i mungoi asgjë nga turfullima patriotike, një skuadër e drejtuar nga rusët zbriti shtratin e detit më 2 gusht dhe nguli një flamur titani rus drejt e në Polin e Veriut. Në fillim të shtatorit, bombarduesit rusë lëshuan reaktivë detarë gjatë ushtrimeve në Arktik. Por nuk janë vetëm rusët ata që rrethuan me piketa pretendimin e tyre. Më 10 gusht, kryeministri kanadez, Stephen Harper, fluturoi për në Resolute, një fshat prej 250 frymësh në ishullin Cornwallis, në territorin verior të Nunavut, dhe njoftoi planet për një ndërtesë stërvitjeje ushtarake në Arktik dhe një port të rinovuar thellë në ujë në Kanalin Veriperëndimor. Më pas shkencëtarët danezë u nisën për një ekspeditë për të plotësuar hartën e shtratit verior të Grinlandës, Garda Bregdetare e SHBA-së dërgoi anijet e patrullimit në një mision të ngjashëm në veri të Alaskës. Stuhitë e aktiviteteve nxitën Komitetin e Senatit të Marrëdhënieve të Huaja të programonin seanca këtë muaj që të nxisnin për ratifikimin amerikan të marrëveshjes ndërkombëtare të Ligjit të Detit, e cila hyri në fuqi në vitin 1994. Ratifikimi i marrëveshjes prej kohësh është shtyrë nga konservatorët, të cilët e konsiderojnë atë një hallkë e sovranitetit amerikan, por tani ka mbështetjen e administratës së Bushit, kryesisht sepse kushtet e saj lejojnë që Uashingtoni të peshojë me pretendimet e veta në ujërat veriore. Interesi i tanishëm në Arktik, me pak fjalë, është një stuhi e përsosur e mbjellë me oportunizëm politik, krenari kombëtare, shtrirje muskujsh ushtarakë, çmime të larta të energjisë dhe ekzigjenca të errëta të ligjit ndërkombëtar.

Por përralla fillon me ngrohjen globale, e cila po e transformon Arktikun. Mbuloja e akullt, e cila pluskon mbi oqeanin Arktik, është të paktën 25 herë më e vogël se 30 vite më parë. Ndërsa akulli reflektues, që e ka bërë Arktikun pjesën më të paprekshme dhe të paeksploruar të tokës, po kthehet në ujë që thith nxehtësi, tkurrja po përshpejton edhe më shumë nga sa ishte parashikuar. Më 28 gusht, imazhet satelitore të analizuara nga Qendra e të Dhënave të Akullit dhe Dëborës të Universitetit të Kolorados zbuloi se mbulesa e akullt e Arktikut ishte 10 herë më e vogël se minimumi i rekordit të mëparshëm, në shtator të vitit 2005, kur pritet që akulli të shkrijë edhe gjatë muajit të ardhshëm. "Nëse këto të dhëna nuk na thonë diçka, atëherë kush tjetër do të na i thotë", thotë Mark Serreze, shkencëtar në Qendrën e të Dhënave. Trausti Valsson, një profesor i planifikimit të mjedisit në Universitetin e Islandës në Reykjavk, thotë se ngrohja e Arktikut është bërë një proces "vetëlëvizës" që mund ta lirojë oqeanin nga akujt gjatë verërave deri në vitin 2040. "Madje në dimër", thotë Valsson, "mbulimi i akullit do të jetë aq i hollë sa ç'do të krijohej gjatë një stine të vetme, gjë që do të thotë se transporti në Arktik, me anije speciale, do të jetë më i lehtë në të gjitha zonat gjatë gjithë dimrit".

Ndërsa tkurrja e akullit e ka bërë më të lehtë hyrjen për në Arktik, konkurrenca për burimet e krahinës është intensifikuar. David Ooingoot Kalluk, 66-vjeçar, një inuit që ka gjuajtur mbi akulli rreth fshatit Resolute gjatë 48 viteve të fundit, e ka ndjerë botën e re që po afrohet. "Akulli dhe dëbora tani shkrijë nga fundi, jo nga fillimi", thotë Kalluk ndërsa sheh me dylbi ujërat pa akujt të Gjirit të Resolute-s. Ai përdorte slita qensh mbi akull në qershor për të gjuajtur kafshë në ishullin Bathurst që ndodhet pranë. Tani ai thotë se akulli është shumë i hollë që në maj. Nëse ngrohja vazhdon, ai ka frikë se popullsia e merlucit do të niset më në veri, duke prishur zinxhirin ushqimore të fokës me qafë unaze, elementi kryesor i arinjve polarë që rregullisht shkojnë në atë fshat gjatë muajve të dimrit.

Kalluku dhe banorët e fshatit do t'ia bëjnë si do t'ia bëjnë, por për arinjtë polarë do të jetë e pamundur. Një studim i kohëve të fundit amerikan parashikon se akulli i tkurrur i detit do të thotë zvogëlim në dy të tretat e popullsisë së arinjve në mes të shekullit. As ndalimi i gazeve të dëmshme nuk do ta ndalte shkrirjen e Arktikut, gjë që do të thotë se Arktiku, si askund tjetër në botë, do të jetë vendi ku do të tregohet sa kanë vlejtur përpjekjet për të lehtësuar ngrohjen globale. Ky proces është i ngarkuar me ironi. Tani që çmimet e gazit dhe të vajit janë në majat e historisë dhe pa asnjë shpresë të ndonjë uljeje në kërkesën botërore për energji, është zgjuarsi të kuptosh se çfarë burimesh shtrihen nën këtë det të ri. Por duket paradoksale të kërkosh në Arktik lëndën e karbonit në akujt e shkrirë të veriut.

Lufta për burime e Arktikut do të vazhdojë, edhe pse ende nuk dihet se sa të gjera janë në të vërtetë. Në raport i kohëve të fundit citon se Arktiku mund të përmbajë 25 për qind të rezervave të pazbuluara të vajit në botë. Supozime më të sakta po fillojnë të dalin vetëm tani. Edhe pse llogaritë e sakta të krahinës nuk do të përfundojnë deri vitin e ardhshëm, "nuk ka dyshim se provincat gjeologjike në Arktik kanë rezerva domethënëse të vajit dhe gazit". Disa prej zonave më tërheqëse janë në Detin Barents. Edhe pse nuk dihet ende se sa janë burimet e vërteta të gazit, por dihet se nxjerrja e tyre është e vështirë, ashtu si ngrohja globale e ka bërë të lehtë mbërritjen në Arktik, po ashtu edhe çmimet e larta ia kanë shtuar vlerën kërkimit për energji. Aktivitetet e kësaj vere janë në esencë përpjekje për të pretenduar të drejtat e shtratit të detit, të cilat shumë pak persona i konsideronin me vlerë një gjeneratë më parë, kur vaji ishte i lirë dhe akulli ishte i trashë.

Është diçka të lakmosh burimet që tani mund të jenë të arritshme në Arktik, është diçka tjetër të vendosësh një pretendim ligjor ndaj tyre, të cilin të tjerët do ta pranojnë. Nën kushtet e Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit (UNCLOS), një shtet ka të drejta ekskluzive ekonomike ndaj burimeve të detit brenda 200 miljeve detare (370 kilometrave) nga bregdeti i tij. Marrëveshja kërkon ta zgjerojë atë limit me 350 milje detare nëse një shtet tregon se guaska kontinentale zgjerohet përtej atij limiti. Kjo shpjegon ngutin e Rusisë, Danimarkës dhe Kanadasë për të përdorur formën e errët të vargmalit nënujor të Lomonosov-it për të zgjeruar territorin që mund të kontrollojnë. Vargmali, një formacion i paeksploruar gjeologjik me emrin sipas një dijetari rus të shekullit të 18-të, të lindur pranë qytetit verior bregdetar të Arkhangel-it, ndodhet nën Polin nga veriu i ishullit Ellesmere të Kanadasë dhe Greenland-ës së Danimarkës dhe ishujve të rinj siberianë të Rusisë. Secili prej këtyre vendeve shpreson që konturet e vargmalit nënujor dhe përmbajtjes shkëmbore të shërbejnë si prova se është një zgjerim i guaskës kontinentale.

Me syrin për të përkrahur pretendimet e Moskës, Arthur Chilingarov, një anëtar i parlamentit rus, dërgoi parlamentarin Vladimir Gruzdev dhe komandantin e nëndetëses "Mir 1", Anatoli Sagalevich, në misionin ujor të muajit të kaluar në Polin e Veriut. Me fondet (dhe prezencën në bord) të një milioneri suedez dhe një operatori udhëtimesh australian, ekspedita dërgoi një akullthyes në pol, ku Sagalevich pilotoi një prej dy nëndetëseve në 4,301 metrave thellësi, nguli flamurin rus dhe doli në sipërfaqe përmes vrimave në akull. Chilingarov tha se flamuri ishte për të "piketuar vendin e Rusisë", edhe pse Rusia tashmë është një forcë dominuese në Arktik; ajo ka flotën më të madhe të akullthyesve dhe një eksperiencë të gjatë në bregun verior. Chilingarov-it dhe skuadra e tij u pritën si heronj në Moskë, në audiencë ishte edhe presidenti Vladimir Putin. Por aventurat e rusëve ndezën një sfidë të parashikueshme. Kryeministri kanadez e quajti gjithë këtë si "show". "Këtu nuk jemi në shekullin e 15-të, thotë ai. "Nuk mund të shkoni përqark botës dhe të ngulni flamurë duke thënë: "Ne pretendojmë këtë territor". Në Uashington, Ariel Cohen i Fondacionit të Trashëgimisë tha: "Tentativa e Rusisë është kauzë për shqetësime" dhe i bëri thirrje qeverisë amerikane "të formulojë një reagim të fortë".

Pretendime territoriale ne Arktik

- Poli i Veriut, i njohur gjithashtu si Poli Gjeografik i Veriut apo Poli Tokësor i Veriut përcaktohet si pika në hemisferën veriore, ku aksi i rrotullimit të tokës takohet me sipërfaqen e tokës.

- Poli i Veriut është i vendosur në masë tokësore në mes të Oqeanit Arktik, në mes të ujërave që janë të mbuluara me akull. Kjo e bën të pamundur ndërtimin e një stacioni të përhershëm në Polin e Veriut, ndryshe nga Poli i Jugut.

- Sipas ligjit ndërkombëtar, asnjë vend nuk e ka në pronësi Polin e Veriut apo Oqeanin Arktik që e rrethon.

- Pesë shtetet rrethuese, Rusia, SHBA, Kanadaja, Norvegjia dhe Danimarka kanë nga një zonë të kufizuar në 37 kilometra nga brigjet e tyre.

- Më 2 gusht, 2007 dy batiskafë rusë, "MIR-1" dhe "MIR-2", për herë të parë në histori zbritën në shtratin e detit Arktik poshtë Polit të Veriut dhe vendosën atje një flamur rus prej titani. Misioni ishte një ekspeditë shkencore, por flamuri ngjalli shqetësime për kontrollin në lidhje burimet e gjera të naftës në Arktik.

- Pati shqetësime nga të katra shtetet që rrethojnë Arktikun (Kanadaja, Norvegjia, Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara), se mos Rusia mund të pretendojë Arktikun në bazë të hartës së shtratit të detit. Ministri i Jashtëm kanadez, Peter McKay thotë: "Këtu nuk jemi në shekullin e 15-të. Nuk mund të shëtisim botën, të ngulim flamurë dhe të themi "E deklarojmë këtë territor".

- Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit amerikan, Tom Casey pohoi se vënia e flamurit "nuk përbën asnjë bazë ligjore apo s'ka asnjë efekt në lidhje me këtë pretendim.

- Si reagim, kryeministri rus, Sergey Lavrov tha: "Qëllimi i kësaj ekspedite nuk është për të piketuar pretendimin e Rusisë, por të tregojë se guaska jonë arrin deri në Polin e Veriut". Ai gjithashtu konfirmoi se çështjet e territorit të Arktikut "mund të diskutohen vetëm në bazë të Ligjit Ndërkombëtar", Konventës Ndërkombëtare të Ligjit Detit dhe në kuadër të mekanizmave që janë në përputhje me të dhe janë krijuar për të vendosur kufijtë e shteteve që kanë një sergjen ndërkombëtar.

- Në intervista të tjera, Sergey Lavrov tha: "Jam i habitur nga pohimi i kolegut kanadez se po ngulim flamurë rreth e rrotull. Ne nuk po hedhim flamurë. Ne thjesht bëmë atë që zbuluesit e tjerë bëjnë. Qëllimi i ekspeditës nuk piketon çfarëdo të drejtash mund të ketë Rusia, por provon se sergjeni ynë zgjerohet deri në Polin e Veriut.

- Lindsay Parson, kreu i Grupit të Detit të Qendrës Oqeanografike Kombëtare në Southampton, Mbretëri e Bashkuar, pohoi se Danimarka (nga Greenland) dhe Kanadaja do të kenë mundësi të barabarta për të pretenduar territorin mbi këto baza, për të cilat të dyja shtetet pohojnë se kanë, ndërsa vargmali i Lomonosov-it zgjerohet nga Rusia përgjatë Arktikut në Greenland dhe Kanadasë veriore.

- Danimarka pretendoi se 1,500 kilomentra në vargmalin Lomonosov janë pronë e saj. Këtë e raportoi për "BBC" më 12 gusht. Ministrja e Shkencave në Danimarkë, Helge Sander tha: "Hetimet paraprake të kryera deri tani janë shumë premtuese. Ka gjëra që sugjerojnë se Danimarkës mund t'i jepet Poli i Veriut.

- Në mes të shtatorit, 2007, Ministria e Burimeve Natyrore të Rusisë nxori një deklaratë: "Rezultatet paraprake të një analize të kores së tokës të hetuara nga ekspedita "Arctic-2007", të marra më 20 shtator, konfirmoi se struktura e kores të vargmalit Lomonosov, i korrespondon analoges botërore të kores kontinentale, kështu që është pjesë e sergjenit kontinental që është pranë Federatës Ruse.

Kronologji e eksplorimit te Polit te Veriut

1755
Një vendim i Parlamentit të Britanisë së Madhe ofron pesë mijë sterlina shpërblim për anijen e parë që do të lundronte në Polin e Veriut.

1819-20
Togeri Edward Parry kompletoi dimërimin e parë të flotës detare në Arktik, në bordin e anijeve "Hecla" dhe "Griper" dhe përpiqet të kryejë ekspeditën e parë në tokë. 

1829-33
Capiten John Ross në bordin e anijes "Victory" kaloi katër dimra në Arktik. Në një nga udhëtimet e tij të gjata, nipi i tij, James Clark Ross zbuloi Polin magnetik të Veriut.

1879-82
Amerikani George Washington De Long lundron anijen "Jeannette" nëpërmjet Grykës së Beringut me shpresën për të gjetur një det të hapur polar. "Jeannette" lundron pa drejtim për 16 muaj derisa copëtohet nga akulli. Vetëm 12 persona shpëtojnë.

1905-1906
Eksploruesi amerikan, Robert E. Peary niset për në Polin e Veriut me një skuadër me eskimezë dhe qenë. Moti i keq e detyron të tërhiqet, por ai arrin të vendosë një rekord të eksplorimit në tokë.

21 prill 1908
Eksploruesi amerikan Dr. Frederick A. Cook pretendon se ka arritur në Polin e Veriut. Pretendimi i tij u hodh poshtë por sidoqoftë, arritja e tij për të kaluar 14 muaj mbi akull mbetet e vlerësuar.

11-14 Maj 1926
Norvegjezi Roald Amundsen së bashku me Uberto Nobile, Lincoln Ellsworth dhe 11 të tjerë bëjnë fluturimin e parë të konfirmuar mbi Polin e Veriut. Udhëtimi i tyre ishte gjithashtu i pari nga Evropa në Amerikë nëpërmjet Polit të Veriut.

23 April 1948
Tre rusët, Ivan Cherevichny, Kotov dhe Vitali Maslennikov bëjnë uljen e parë në Polin e Veriut. Ata janë njerëzit e parë të konfirmuar që kanë shkelur në Polin e Veriut.

3 gusht 1958
Nëndetësja amerikane "USS Nautilus" bëhet nëndetësja e parë që lundron nën Polin e Veriut.

17 mars 1959
Nëndetësja amerikane "USS Skate" bëhet nëndetësja e parë që del në sipërfaqe në Polin e Veriut.

29 prill 1978
Aventurieri japonez Naomi Uemura bën udhëtimin e parë vetëm në Polin e Veriut me një slitë qensh.

21 prill 1987
Aventurieri japonez Shinji Kazama bëhet personi i parë që arrin në Polin e Veriut me motoçikletë. 

4 maj 1990
Norvegjezët Borge Ousland dhe Erling Kagge mbërrijnë në Polin e Veriut më këmbë, pasi nisen "Ward Hunt Island" më 8 mars.

26 maj 1997
Skuadra e parë e përbërë nga 20 femra britanike mbërrin në Polin e Veriut.

23 prill 2001
Norvegjezi Borge Ousland mbërrin në Polin e Veriut duke udhëtuar i vetëm.

19 maj 2003
Pen Hadow përfundon kryqëzimin e parë vetëm nga Poli i Veriut deri në pjesën kanadeze të Arktikut.

Prill 2004
Aventurierja franko-finlandeze Dominick Arduin zhduket pa lënë gjurmë në një zonë deti të hapur në përpjekje për të t'u bërë gruaja e parë që udhëton vetëm në Polin e Veriut.

2 gusht 2007
Një ekspeditë ruse arriti për herë të parë në fund të oqeanit në Polin e Veriut në një thellësi prej 4.3 kilometrash, si pjesë e një programi eksplorimi. Kjo ekspeditë kishte qëllim pretendimin e vitit 2001 të Rusisë për një pjesë më të madhe në Oqeanin Arktik. Në një akt simbolik, flamuri rus u vendos në fund të oqeanit në pozicionin e saktë të Polit.
 
Aurora Foto, Blendina Cara : Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama