Ashtu si e kishin parashikuar. Më 29 shtator, gjyshi me nipin, do të ekspozojnë për herë të parë, një ekspozitë të përbashkët në Galerinë “Edward Lear” të Beratit. Deri këtu nuk ka asgjë të veçantë. Mund të thuash, një ekspozitë brezash dhe asgjë më shumë. Kuptohet, po të mos dish mënyrën e konceptimit të ekspozitës. Që, në fakt, është krejt ndryshe...
Jorgaq Gogu, 65 vjeçar, skulptor dhe ish nxënës i ateliesë së Janaq Paços ka hedhur në telajo me besnikëri imazhet fëmijërore të Teojorgut, nipit të tij, 7 vjeçar, duke i shtuar ngjyrën dhe duke përmirësuar disi rregullin kompozicional. Ky është kontributi i tij këtë herë, kuptohet po të mos kesh parasysh durimin me të cilin i vjetri ka ndjekur punët e të nipit të tij...Kështu, në fakt, ka ndodhur prej kohësh. Skulptori i vjetër, që ka punuar gati në të gjitha disiplinat e artit viziv, prej shumë kohësh, i është bindur ndjeshmërisë së fëmijës dhe ka vendosur të shikojë botën me sytë e tij dhe të pikturojë bashkë me duart e fëmijës. E ndërsa i vogli e fut në një botë surreale naive, ku miti, krijesa, trilli, animimi artistik janë në skaj, i madhi disiplinon dhe e përshtat me realitetin e sotëm...Çdo ditë pak nga pak janë ngritur në artin e tyre të përbashkët. Pa zë. Dy njerëz, të ndryshëm; katër duar dhe katër sy që punojnë. Por, rregulli ka qenë drakonian.
I vogli krijon figurat. Në botën e tij përzihet kibernetika fëminore, filmat vizatimorë, jeta e një brezi post-post-modern shqiptar.
I madhi disiplinon figurat. I merr. U jep jetë dhe i maturon. Nuk përzihet kurrë për t’i ndryshuar. Respekton krijimin e krijesës së krijesës së tij, që i evokon të shkuarën, kur në heshtje ka pritur artin e lirë. Jorgaqi i ka kushtuar pa fund qytetit të tij. Nuk i ka shpëtuar edhe ai, robërisë së penxhereve dhe bardhësisë, që të lëbyr në qytetin e tij.
E, kjo dyshe, që dikujt mund t’i duket si personazhet e krijuar të ndonjë fabule filmi surreal, janë një dyshe e njëmendtë. Jorgaqi, i madhi dhe Teojorgu, i vogli. Me të njëjtën mbiemër, por me një diferencë moshe bajagi të madhe, gjyshi dhe i nipi nuk pengohen të krijojnë dhe madje të merren vesh si ‘kolegë’. Pa e ngucur njeri-tjetrin, por duke gjetur një bashkëpunim të rrallë.
I vogli
Gjithçka, duket se e ka fillesën në përsiatjet vetmitare të skulptorit dhe piktorit beratas. Një ditë ka parë se vogëlushi, nipi i tij, modulonte harqet dhe këndet e ndryshme të pjerrëta, pa pasur nevojën që të lëvizte fletën. Ishte i përqëndruar dhe shprehej vetëm me vizatimin. Mbi të gjitha, çdo gjë të mësuar nga pak vitet e jetës, mundohej që ta identifikonte në letrën e bardhë...Fillimisht format e ngatërruara të jetës, pastaj ndenjën, reagimin dhe të keqen. Dukej se aq sa mësonte të shqiptonte fjalë i vogli, aq edhe i hidhte vizat e tij në pikturë. Vogëlushi e kishte më thjesht të shpjegonte botën e tij me figurinat sesa me të folurën. Derisa, pak nga pak me mësimet e para, mësoi të tregonte se çfarë do paraqiste bota e tij. E bota, që futej në gypat ndijorë të këtij fëmije ishin format, që paraqesnin përçudnuar të të keqen dhe mrekullisht dhe qartësisht të mirën, thjesht, jetën sesi e shikonte ai...në harkun e pak viteve, që ekzistonte...
I madhi
...Jorgaqi, një artist i kahershëm në qytetin e Beratit, me një jetë të trazuar dhe duke punuar me shumë ngulmim, nuk mund të mos i bënte përshtypje kjo paraqitje e fëmijës, së të birit të tij. Fillimisht e vëzhgoi, ndërsa një ditë i duhej që ta shprehte qartë: Djali ka talent dhe atij i duhet një dorë. E kush më mirë se ai, gjaku i tij, mund të bënte këtë punë. E burri, që gjatë jetës së tij ka punuar pa fund, nuk kishte nevojë për urdhër. Në të kaluarën e tij, ishte një nga iniciatorët për të mbushur hapësirën e Kombinatit të Tekstileve në Berat me basorelievë dhe punë të tjera...Në vite arriti që të skulpturojë dhe punoi shumë në grafikë. Ka krijuar disenjot e kushedi sa punëve në Kombinat në Byronë teknike duke marrë shpesh dhe çmime, ndërsa ekspozoi me shumë nderime në qytetin e tij. Me pastërtinë dhe një ndjenjë të përkorë mund të shikosh sesi nga dora e tij ka dalë Berati me realizëm, apo me surrealizëm; bukurinë e femrës dhe elegancën e detajit. Ka punuar me mermerin, allçinë dhe baltën dhe patjetër me lapsin, rapidin dhe gjithçka që mund të bëj një art viziv. Të kuptosh lidhjen e tij të artit të mjafton të dëgjosh dashurinë, që ka për baltën, elementin ngjizës të jetës. Këtë të fundit e dashuron, si të gjithë krijuesit dhe i përulet. Edhe pse, në jetë, i është dashur të heshtë dhe të punojë. Për të bërë artin e tij, për të mbajtur familjen dhe për të përballur mbijetesën. Në jetën e vështirë, duket se pak është përkulur, ndërsa ka mbijetuar mirë falë talentit dhe punës. E ka vënë veten dhe në një provë të vështirë, kur për vite të tëra ka punuar në emigracion në Greqi, pas ‘90. Sërish ia ka dalë dhe pa mundur të lerë asnjëherë pasionin e tij. Në atelienë e një skulpture greke ka treguar se mjeshtërisht modelonte, por nuk i është shkëputur vizionit të qytetit të tij, duke e paraqitur gjithmonë si një ‘qytet të bardhë’, apo si ‘qytet i një e mbi një dritareve’. Në të gjithë, këtë jetë, Jorgaqi ka ëndërruar që të mos e shkëpusë asnjëherë veten dhe artin nga e sotmja, por edhe nga nevojat e tij për t’i shprehur....
Të dy
E gjitha kjo i ngjan pak një tregimi të Andersen “Derri i hekurt”. Një djalë që ndjen një artist... Djali i është bindur të gjyshit-artist, teksa e ka parë sesa bukur i hedh vijat, sa bukur lakon ndjenjën, si e shikon atë, që bota e tij e shikon aq të ngatërruar. Në një hapësirë tjetër, i vogli, ka luftuar me “demonët” e tij. E keqja dhe e mira. Kudo. Fillimisht perceptimi i ka ardhur nga këshillat e familjes, sesi mund të luftosh. Pas kësaj, abstragimi ka qenë i vetvetishëm: Ai ka krijuar botin e tij të mikrobeve, luftëtarët dhe mbrojtësit. Ai ka konceptuar kuçedrën, por edhe të keqen në formën e përbindshave, që bota e sotme e filmave të animuar e jep me të gjithë shprehjen e saj të pasqyrimit dhe trillit artistik. Përballë i ka vendosur të mirën. Kurdoherë ajo, mbrojtur në kështjella dhe nga luftëtarë besnikë-të mirët. Në një tjetër punë, fëmija vendos përballë një ushtri të rregullt dhe përballë tyre një grup barbarësh. Me instiktin fëmijëror: ushtrinë e rregullt e vendos në skalione të rregullta të prira me flamur, ndërsa të këqinjtë, të shpërndarë dhe të papajtueshëm me asgjë...Pas kësaj ka vijuar puna e Jorgos, që kuptohet ka qenë njësoj e vështirë. Atij i është dashur që t’i marrë figurinat e hedhura në letra çfarëdo dhe t’i hedhë besnikërisht me ngjyrën e tyre reale. Më thjesht: Ndjenjat t’i transkriptojë për një botë të rritur...
..
Në fund, kur mundohesh të kuptosh këtë dyshe, të vinë ndërmend se punët e drurit, që artisti i vjetër ka realizuar, kanë një elegancë forme, që të kujton se jeta e tij është e përkorë dhe e bukur. Ajo që mendon ai. Nuk ka vend e keqja. Ndaj, i vogli, shpesh zë vend pas tij dhe i thotë ‘kolegut’ të madh: “Bravo e ke bërë mirë”. Ndoshta mund ta bënte më mirë, por në qoftëse jeta në këtë vend do kishte më shumë dashuri dhe pak urrejtje. Kaq, Këtu ndjenjat e ‘të vjetrit’ ndalen dhe tashmë sfida është në qytetin e tij të lindjes. Ka nevojë të përballet dhe të shikojë se ku është arti i familjes së tij. I nisur nga i nipi dhe i përcjellë nga ai. “Dy duar për një botë”. Në fakt janë katër duar për një botë të njëjtë: “A nuk do të mjaftonin vallë për një jetë të tërë”, do të thoshte Abdulla Sidran.
Ben Andoni : Gazeta Mapo











