Kalores te rinj ne gjurme te vjetra

Kalorës të rinj, në gjurmë të vjetra

Tre njerëz të hipur mbi kuaj, dy bashkëshortë anglezë dhe një miku i tyre amerikan kanë nisur një udhëtim të gjatë kalorësiak në të gjithë Shqipërinë, duke përshkuar vendin nga veriu në jug, duke shkelur në gjurmët e tre anglezëve që dështuan me krijimtarinë e tyre se e donin Shqipërinë: poetit Bajron, piktorit Lir dhe udhëtares Durham.

Bashkëshortët nga Cornwell i Anglisë, Robin dhe Luela Hanbury Tenison, shkrimtarë dhe eksploratorë dhe miku i tyre amerikan, kineasti Mickey Grant, e kanë nisur udhëtimin e tyre të rrallë më 1 shtator nga Bjeshkët e Nemuna dhe Lugina e Valbonës dhe sot më datë 23 shtator ata gjenden në Erind të Lunxhërisë në Gjirokastër.

Stacioni më i bukur dhe më mbresëlënës për ta është një fshat në rrethin e Kukësit. "Stacioni ynë më i mahnitshëm ka qenë fshati Arrës apo Aren në Kukës. Ne e pamë atë fillimisht nga maja e malit dhe na u duk sikur kishim arritur, por na u desh më shumë se një orë për të arritur. Ishte një vend i mahnitshëm, jo vetëm se aty nuk kishte shkelur këmbë vizitori dhe kamere, por ishte me të vërtetë një vend me peizazh të imagjinuar", tregon Robin Hanbury Tenison.

Sipas tre eksploratorëve të rrallë, Shqipëria duhet promovuar në të gjithë botën pasi është një vend me peizazhe të mahnitshme nga më liriket në bregdet dhe nga më dramatiket në brendësi të territorit. "Tre anglezët e mëdhenj që e kanë prekur këtë vend 2-3 shekuj më parë, poeti Lord Bajron, piktorit Eduard Lear dhe udhëtares Edith Durham, e kanë përshkuar peizazhin natyror të këtij vendi me mënyrat e veta, por ndryshe nga paraadhësit tanë, ne mendojmë se ky vend duhet promovuar dhe ekspozuar si një nga vendet më të vizitueshme dhe ideale për një turizëm kulturor dhe aventuror", thotë Luela Hanburg Tenison.

Çifti Tenison, pasi të përfundojë udhëtimin "kalorësiak" në vendin tonë, thonë se do të ulet të shkruajë një libër me mbresa dhe opinione për Shqipërinë. "Natyrisht që do të jetë një shkrim krejt i ndryshëm nga shkrimet dhe përshtypjet që kemi bërë në vende të tjera si në Kinë, Bretanjë të Francës, në Zelandën e Re, pasi është një eksperiencë e re dhe me vlera të jashtëzakonshme, duke u nisur nga një pritje dhe bujari e pashembullt njerëzore, nga peizazhi me thyerje të papërsëritshme. Ndihet ndjeshmëria e lartë e vargjeve të Bajronit për shqiptarët dhe Shqipërinë, por jam e sigurt që sikur Bajroni të kishte vizituar Luginën e Valbonës, do të kishte shkruar disa herë më me ndjenjë poetike se te "Çajld Harold", shprehet gruaja, që edhe pse e lodhur nga udhëtimet, nuk rresht së shprehuri përshtypjet e saj.

Edhe për kineastin, producentin dhe shkrimtarin amerikan nga Teksasi, Mickey Grant, njërin nga kineastët që ndoqi hap pas hapi historinë e infermierëve bullgarë në Libi nëpërmjet projektit "Njection", Shqipëria është padyshim një nga vendet më interesante të botës, por që fatkeqësisht në SHBA, Angli, Evropë, etj., ky vend ideal për turizëm kulturor, aventuror dhe sportiv njihet pak ose aspak. "Gjeografi dhe histori që të mahnit. Sinqerisht, gjatë gjithë kohës që ndodhem në Shqipëri, në këtë vend të bukur e të qetë, më ngjan sikur jetoj në Teksasin e hershëm, që njerëzit rrinë në banakun e barit duke mbajtur në një dorë gotën e uiskit dhe në dorën tjetër armën", shprehet me sens humori Mickey Grant. Duke luajtur dhe qeshur me një fëmijë rreth 7-8 vjeç nga fshati Shëntodhër, Mickey Grant vazhdon të shprehë opinionet e tij për Shqipërinë. Në Amerikë dhe në Angli, vazhdon ai, njerëzit e stresuar nga puna dhe jeta e mbyllur janë të dëshiruar të kridhen në një natyrë të virgjër si kjo dhe të largojnë stresin, por që ata të jenë këtu duhet të kenë informacion, guida, harta, filma, faqe interneti libra historikë, etj.


Në 23 ditë udhëtim me kuaj në të gjithë vendin, të shoqëruar nga udhërrëfyesit Durim Fezga dhe Yli Bani nga Tepelena, bashkëshortët Robin dhe Luela Hanbury Tenison, dhe miku i tyre amerikan, Mickey Grant, në hartën e tyre, që nuk e ndajnë për asnjë çast nga dora, kanë shënuar vendet e vizituara prej tyre në Shqipëri: Theth, Lugina e Valbonës, Bajram Curri, Tropoja, Kukësi, Elbasan, Librazhd, Malin e Skënderbeut, Vithkuqin, Voskopojën, Bredhin e Hotovës në Frashër, Këlcyrën, Tërbuqin e Labovës së Zhapës në rrethin e Gjirokastrës, Valarenë, Erindin në Lunxhëri. Robin, Luela dhe Mickey janë befasuar jo vetëm thjesht me bujarinë e njerëzve në zona të thella e të harruara, por edhe me shijen e rrallë të ushqimeve tradicionale shqiptare. "Kjo mikpritje dhe shija e ushqimeve tuaja janë elementë të rëndësishëm për ngritjen e një industrie turistike, por vetëm se ju duhet shumë për të kuptuar se turizmi nuk mund të bëhet pa një mentalitet tjetër për pastërtinë, ishte e trishtueshme, por të gjitha urat e vjetra e të reja që ne shkelëm gjatë këtij udhëtimi pamë se ishin kthyer në vend grumbullimi mbetjesh urbane. Duhet më shumë respekt për mjedisin tënd. Kjo që them tani është e rëndësishme për të pasur një turizëm kulturor apo natyror", shprehet Luela.

Ky udhëtim i tre vizitorëve të çuditshëm në gjurmët e Bajronit, Lir-it dhe Durham-it padyshim shërben njëkohësisht edhe si promovim i vlerave të turizmin kulturor. "Intensitetin e vlerave të trashëgimisë kulturore të Luginës së Drinos në Gjirokastër, me disa qendra të rëndësishme të antikitetit si Antigonea Adrianopoli, Melani, Lekli, me disa vlera të papërsëritshme të Mesjetës si vetë Gjirokastra, Libohova Labova e Zhapës, Labova e Kryqit, dhjetëra kisha e manastire të periudhës së Bizantit që ndodhen në këtë luginë janë një joshje e jashtëzakonshme për turistët perëndimorë, prandaj unë do ta quaja këtë projekt një udhëtim i kombinuar mirë që pozitiviteti dhe efektiviteti në drejtim të promovimit dhe ekspozimit të këtyre vlerave do të preket qysh sezonin tjetër turistik", shprehet për "Shqip" organizatori shqiptar i kësaj ekspedite, Auron Tare.


Marre nga  : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama