Braziliania Andresa Femijet e politikaneve shqiptare me shajne zezake

Braziliania Andresa: Femijet e politikaneve shqiptare me shajne zezake

Me Andresën jemi mësuar të takohemi çdo fundjavë tek spektakli televiziv “E diela shqiptare”. Braziliania simpatike prej gjashtë vitesh jeton në Tiranë, megjithatë ashtu si shprehet, ka ende vështirësi në gjuhën shqipe, kjo për shkak se sipas saj, shqiptarët nuk kanë pasur durim t’ia mësojnë. E çlirët dhe pa komplekse pranon se nuk i ka problem batutat e moderatorit Ardit Gjebrea rreth ngjyrës së saj. Por ajo çfarë duket se e ka prekur Andresën janë komentet e disa fëmijëve të politikanëve shqiptarë, që në rrugë e kanë quajtur zezake. Dihet se termi "zezak" konsiderohet fyerje dhe në SHBA dhe Europë ndalohet përdorimi i tij dhe në raste padish, penalizohet.

Andresa tregon se ditë të arta po përjeton edhe me dashurinë. Ajo rrëfen për “VipPages” se pas verës do të bëjë edhe dasmën e shumëpritur me të fejuarin e saj italian.

Prej gjashtë vitesh jetoni në Shqipëri, si kanë qenë këto vite për ju?

Kanë kaluar shpejt në fakt këto gjashtë vite. Më vjen mirë që gjatë kësaj kohe jam njohur më shumë me kulturën shqiptare dhe njerëzit këtu. Kanë qenë gjashtë vite të mira në karrierën si dhe në jetën time.

Të gjithë janë shumë kuriozë, pse nuk ka mësuar ende shqip Andresa?

Ndoshta sepse shqiptarët nuk kanë durim që të flasin shqip, duke ditur që kanë një mjet tjetër komunikimi. Megjithatë, askush nuk mund ta mohojë që jam përmirësuar shumë në gjuhën shqipe. Dua të them edhe që shqipja është një gjuhë e vështirë për t’u mësuar, ndaj edhe kaq sa e flas unë, e quaj një progres.

Si kanë qenë këto vite që keni me Arditin?

Kanë qenë mbi të gjitha zbavitëse. Natyrisht që më ka shërbyer për shumë gjëra pjesëmarrja ime tek “E diela Shqiptare”.

Si e konsideroni këtë eksperiencë?

Unë e lë ditën time thjesht të rrjedhë dhe përpiqem t’i marr më të mirën, ashtu si edhe ka ndodhur. Gjithçka ka qenë spontane dhe nuk e kam menduar shumë pjesën e eksperiencës, megjithatë e kam shijuar mbi të gjitha, gjithë këto vite në një ndër formatet më prestigjioze në Shqipëri.

E mendon Andresa që ka një vend tek “E diela shqiptare”, që shumë njerëz mendojnë se duhet të ishte një shqiptare dhe jo ju krah Arditit?

Fillimisht mendoja se ishte kështu, por më pas ndryshova mendim. Nuk mendoj se kam ndonjë vend që një vajzë shqiptare e ëndërron. Kur Arditi më telefoni për të më marrë në punë, ai kishte një ide fikse se çfarë kërkonte dhe ishte pikërisht ideja e një të huaje në atë vend. Unë shkova tek “E diela shqiptare”, për të kërcyer vetëm 10 minuta samba, por më pas patën idenë për të më mbajtur në vendin ku sot jam. Vajzat që duan të bëhen prezantuese, janë edhe vajzat e Telebingos, që Arditi ia lë të gjithave mikrofonin, pastaj është aftësia e tyre nëse dinë të flasin në ekran apo jo, por shansin e kanë të gjitha.

A është xheloze Andresa për femrat e tjera tek “E diela shqiptare”?

Jam shumë xheloze për Arditin (qesh). Jam xheloze edhe për shoqet e mia, pasi e kam në natyrë xhelozinë, ndaj them jam edhe për Arditin.

A e konsideroni Arditin si mikun tuaj?

Le të themi se Arditi është mësuesi im. Nuk është se pimë kafen çdo ditë bashkë, por nëse njëri nga ne ka nevojë për tjetrin, e dimë që do të jemi gjithmonë aty. Kjo për mua është një tregues i miqësisë.

E keni menduar ndonjëherë të bëni diçka më shumë në ekran?

E pranoj që ndonjëherë më ka shkruar në mendje. Megjithatë, kam problem me gjuhën, çfarë do të thotë që dikush duhet të krijojë një format vetëm për mua, që të më përshtatet me gjuhën dhe mënyrën time të moderimit.

Si e kanë pritur shqiptarët Andresën?

Në fakt, më kanë pritur ngrohtë. Jeni popull i dashur dhe shumë mikpritës. Në gjithë këto vite jam ndjerë shumë mirë në vendin tuaj. Ka pasur raste që jam ndjerë si në shtëpinë time. Njerëzit në rrugë më njohin dhe më përgëzojnë. Jam e lumtur që kam bërë fansa.

Si ndjehet Andresa kur Arditi bën batuta rreth ngjyrës suaj?

Nuk e kam problem. E di që Arditi bën shaka dhe mbi të gjitha, unë kam një lëkurë me ngjyrë, nuk mund të prekem rreth kësaj teme.

Ke pasur ndonjëherë problem racizmi në Shqipëri?

Po, më ka ndodhur vetëm në një rast. Unë hyra në një lokal për të marrë diçka, nisën të më ofendojnë. Fillimisht nisën të thoshin ‘Telebingo’, por më pas filluan të më thoshin zezake dhe mbeta pak e ofenduar. Megjithatë, gjithçka kaloi, sepse në fund të fundit nëse janë fëmijë politikanësh, domethënëë, që atë shembull kanë marrë.

A i njihnit se fëmijët e cilit politikani ishin?

Jo nuk i njihja, por pronari i lokalit më tha që janë fëmijë të politikanëve të famshëm këtu në Shqipëri.

Sa i njihni politikanët shqiptarë?

Njoh vetëm disa, tek të cilët më ka dërguar Arditi të bëj intervista, por realisht di shumë pak për politikën këtu në Shqipëri.

Kur do martohet Andresa?

Këtë vit do të ketë dasmë. Jemi ende duke u marrë me detajet, datën akoma s’e kemi ndarë, por mendoj që do të jetë pas verës.

A keni menduar për fëmijë?

Mendoj se ka kohë edhe për fëmijët. Momentalisht them që dua një fëmijë, por nëse do të kem mundësi, do të bëj katër.

E keni menduar largimin tuaj nga Shqipëria?

Nuk kam menduar kurrë të rri. Pasi të përfundoj gjithçka jam duke bërë, kur koha t’i vijë, do të largohem në vendin tim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama