Hapen te liqeni mini-bibliotekat e para ne Shqiperi Kumbaro Rrojme dhe pa Nobel

Hapen te liqeni mini-bibliotekat e para ne Shqiperi, Kumbaro: Rrojme dhe pa Nobel

Ministrat lexojnë bashkë me të rinjtë dhe dhurojnë libra nga bibliotekat e tyre. Nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Kulturës, në kuadër të "Fushatës Kombëtare të Leximit", sot janë hapur mini-bibliotekat e para në Tiranë.

Vendi i zgjedhur për këtë nismë të veçantë ka qenë parku i Liqenit Artificial, ku të gjithë janë bërë pjesë e konkursit të mini-bibliotekave kreative dhe leximit në natyrë.

Publikut të pranishëm, ku shumica ishin fëmijë dhe të rinj, i janë bashkuar edhe disa nga ministrat e Qeverisë. Bashkë me ministren e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, ministrja e Inovacionit, Milena Harito, David Muniz, zv. ambasadori amerikan, Rayan Robert, i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, si dhe Blendi Gonxhe, drejtor i Agjensisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

E kthyer tashmë në një traditë sa herë takohemi për një libër, ministrat dhe të rinjtë kanë lexuar pjesë nga autorët e tyre të preferuar. Ministrja Nikolla sërish solli një poezi të Agollit, të cilin e ka ndër të preferuarit e saj, ndërsa Kumbaro kishte zgjedhur një pjesë të veçantë nga “Kafet në Rostand” të Ismail Kadaresë, kandidat për çmimin Nobel, për të cilin Kadare ishte edhe këtë vit.

“Shpresa është e kotë. Një qetësi para furtune. Dhe ja, ia shkrep diku…Do të gjendet nje shkas, një gazetë, një polemikë, gjysmë e shuar dhe gjithçka do të rifillojë si çdo vit. Çmimi Nobel këtë herë…

…. Duam Nobel. E duam se s’bën. E meritojmë. As që pyesim për të. Hë, hë s’pyesim? Atje na rri mendja. Do të na i japim me një këmbë. Kurrë mos e dhënçin! Do ta japin se s’bën. More s’e japin, kaq ta bëjmë dhëmbin. Ky i yni e ka fajin: nuk del t’iu thotë: s’e dua dhe pikë. Po prit, mor zotni, si të thotë s’e dua, kur s’ia jep kush? Ashtu të thotë: në ju dhimbset aq fort, mbajeni për vete. Rrojmë dhe pa Nobel.”

"Little free library-t”e para u krijuan bashkë me këndin e leximit në një hapësirë tërësisht ekologjike nga "U.S Embassy Youth Coucil". Grupi i të rinjve të ambasadës preferoi të mos marrë pjesë në konkurs, por vetëm dha një shembull sesi këto mini-biblioteka mund të funksionojnë, ashtu siç ndodh gjerësisht edhe në SHBA ku janë të regjistruara 44.000 të tilla.

“Little Free Library në Shqipëri” nën moton: Ngri një bibliotekë të vogël për të gjithë, fito një bibliotekë të madhe për vete. Konkurs mbarëkombëtar që nxit përhapjen në Shqipëri të mini-bibliotekave kreative. Kush krijon mini-bibliotekën më kreative do të fitojë një pako me libra për pasurimin e bibliotekës së tij. Projekti ka nisur në tetor dhe ceremonia e mbylljes së konkursit do të jetë në javën e parë të dhjetorit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama