Tonin Tershana vdiq duke kenduar Erdh pranvera

Tonin Tershana vdiq duke kenduar 'Erdh' pranvera'

Në ambientet e hollit të Rtvsh po zhvillohen homazhet për këngëtarin e mirënjohur Tonin Tërshana i cili humbi jetën dy ditë më parë. Në ceremoninë e organizuar në nder të artistit të madh të muzikës shqiptare ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Veliaj i cili theksoi se Tërshana ishte një artist që ishim të nderuar ta kishim pjesë tonën pasi ishte njeriu që dhuroi vetëm gëzim.

Miq të afërm qytetarë kolegë të këngëtarit shprehin adhurim dhe nderojnë artistin mes lotësh dhe fjalësh prekëse.Justina Aliaj këngëtarja e mirënjohur bashkëpunëtore e ngushtë e Tërshanës shprehu mirënjohje për këngëtarin dhe theksoi se sot është një ditë zie

Tonin Tërshana vdiq duke kënduar “Erdh’ pranvera”

Iku papritur nga kjo jetë, ndërsa vetëm dy ditë para vdekjes në spital, Tonin Tërshana do të vijonte të këndonte duke marrë serumin këngën e tij të preferuar, “Erdhi pranvera”.

Kështu rrëfeu i kunati, vëllai i bashkëshortes së Tonin Tërshanës për “Shqiptarja.com” dje, kur familja priste e përcillte miqtë në shtëpinë e re të Tonin Tërshanës. Ishte kjo shtëpia që priste të hynte sapo të dilte nga spitali... 

Këngëtari i njohur, Tonin Tërshana, u shua në moshën 68-vjeçare, mbrëmjen e së martës. “Dy ditë para se të ndërronte jetë, ndërsa merrte serum, më tha që “Dua të këndojë!”. “Këndo”, -i thamë. Nisi të këndojë këngën “Erdhi pranvera”, pastaj këngën “Nënës” dhe një këngë të re, që e kishte dëgjuar në momentin e fundit, por s’ia kujtonte tekstin dhe thoshte se “kam shumë dëshirë me e këndu”. Duke kujtuar lidhjet familjare me Tonin Tërshanën, i kunati tha se “Për mua ishte, jo vetëm burri i motrës, por edhe shok e mik.

Ashtu ishte me të gjithë shkodranët. Ai ua ndizte festat e gëzimet më shumë me këngët e tij”.


Këngëtari Tonin Tërshana mendonte se do të shërohej dhe do të mbërrinte për dy-tre ditë në shtëpinë e re. Në shtëpinë me qira të një banese në katin përdhes të një vile në periferi të Tiranës (ku mezi hynte drita e diellit), qiradhënësi na tha se vetëm para tri ditësh familja e tij kishte transferuar mobiljet për në banesën e re sociale, e cila iu dhurua këngëtarit Tonin Tërshana nga kryetari i bashkisë, Erjon Veliaj.


“Priste të bëhej mirë dhe të vinte në shtëpinë e re, -rrëfeu bashkëshortja, -por ja që fati nuk deshi”.

Këngëtari Tërshana, u fut në shtëpinë e re me arkivolin e mbuluar me lule. Ndërsa motra më e vogël e Tonin Tërshanës, Dila, mes lotësh rrëfen momente të panjohura e tragjike nga jeta e këngëtarit. E motra e Toninit rrëfen jetën ë artistit, duke u shprehur se Tonin Tërshana ka vuajtur gjithë jetën e vet; që në fëmijëri, kur babai e la jetim të vogël e deri kur mbeti pa punë pas viteve 1990. Pastaj brenga për vdekjen e së bijës, në moshë të re, 39-vjeçare, “e mposhti fare”, tha ajo, duke theksuar se “vuajtjet iu shtuan, duke qenë i lënë pas dore nga shteti”. Le të ndjekin rrëfimin për jetën tragjike dhe çastet e fundit të jetës së këngëtarit të madh Tonin Tërshana nga goja e motrës së tij.
 
Janë të kuptueshme emocionet e dhimbjes në këtë çast, pasi vëllai juaj iku papritur nga jeta. Por, humbja e një këngëtari që hodhi themelet në muzikën shqiptare është humbje për të gjithë ne. Si e kujtoni vëllanë tuaj, dhe historinë sesi e nisi rrugën e këngës?


-Unë kam shumë gjëra me thanë, por në këtë gjendje është e pamundur. Së pari, ai ka qenë njeri i dashur shumë. Rrugën e këngës e ka nisur në festivalin e katërt, që ka fituar çmim të parë e që nga ajo kohë ka kënduar në anketat në TVSH, në programet e teatrit të Shkodrës, që e kanë thirrur. E kanë ftuar shpesh në teatrin e Shkodrës, ku ka qenë shumë i respekuar nga të gjithë.
 
Tonin Tërshana sapo do të futej në shtëpinë e re, si e priti këtë ndryshim në jetën e tij?


-Ah, ah, çfarë ka me të thanë Dilja ty. Ai ishte tek spitali këto ditë dhe m’u duk shumë optimist. I thashë, “-Nini, po ti dukesh më mirë”. “-Jam shumë mirë tani, - më tha, -po më pushon edhe dhimbja dhe ndoshta të hënën dal prej spitalit”. Por nuk arriti i shkreti. Mbrëmë në orën 7 e gjysmë ai dha shpirt.
 
Si shpjegohet që një artist me karrierë të ndritur në pjesën më të madhe të jetës së tij të ketë një jetë kaq të vuajtur, duke mbetur pa shtëpi e me kaq halle?


-Ah, është lënë pas dore prej shtetit. Prej shtetit është kjo gjë, nuk është prej tij. Dua të them se gjithë njerëzve të famshëm u janë ulur vlerat, nuk kanë qenë vlerësuar kurrë. Ndoshta nuk them se sot nuk ka këngëtarë, ka boll, por zëri i Toninit, nuk e them se unë jam e motra, por është i papërsëritshëm. Këtë s’e them unë, e thonë njerëzit, që është i papërsëristshëm. Edhe telefoni mbrëmë nuk na ka pushuar nga njerëz që s’i kemi njohur kurrë e që kanë shprehur ngushëllimet.
 
Si e ka shprehur konkretisht emocionin për të ardhur tek shtëpia e re, se pashë që shtëpia me qira ishte përdhese dhe për mushkëritë e tij duhet të ishte edhe pak e dëmshme?


-Ishte shumë e dëmshme. Madje pak ditë përpara, duke folur me të më thoshte: “- Po unë që kur kam shkuar tek ajo shtëpia jam mbyllur brenda, qendrën e kisha larg. Forcë nuk kisha për lëvizje të shpeshta, edhe mërzia ishte e madhe”. Ka vuajtur shumë. Atij sikur i dha kolpo në tru gjithçka. Nuk ishte edhe pak ajo që i ndodhi me vajzën, se vajza e tij nuk ishte fort e madhe, i vdiq në moshën 39-vjeçare, para tri vjetëve. Të gjitha gjërat i janë ngarkuar në tru, të tëra iu bënë bashkë. Edhe emigrimi e ka shkatërruar, ngeli pa shtëpi, pa punë, pa shumë gjana, që madje ky i meritonte më shumë se një tjetër.
 
Në emigrim u nis se mbeti pas punë?


-Ishte pa punë atëherë. Ishte në Shkodër. Prej Shkodre erdhi në Tiranë, lanë dhe shtëpinë nëpër firma si gjithkush në atë kohë. Ndodhi kjo, se shiko; kur të lënë pasdore, do ta bash diçka. Tonini i zoti për punë të tjera nuk ishte. Mori rrugët edhe shkoi në emigrim, ku ishte shumë pak i vlerësuar. Më mirë të them aspak i vlerësuar. Edhe në rast se ka kërkuar për punë, e pyesnin çfarë ke punuar. Ky u thoshte këngëtar. “Ah këngëtar, po ky do edhe një tjetër punë më të fortë, me ia ngarkue këtij, se nuk qenka lodhur ky”. Këto fjalë m’i ka treguar me gojën e vet Tonini. Kështu nisën hallet e tij me këto vuajtje.
 
Si e mbani mend ndër vite Toninin?


-E kujtoj për këngët. Edhe pse e gjithë familja jonë këndon e ka kënduar, Toni u shqua si këngëtar i mirë qysh fëmijë. Nisi të këndonte njëherë në Shkodër e madje erdhi të këndonte në Tiranë, qysh i vogël. Pastaj më vonë na ka munguar shumë. Kena pasur mall e mërzi kur ka qenë gjithmonë larg. E kena ndjerë në shpirt se ka qenë më i vuajturi ndër fëmijët tanë, dhe më i mosvlerësuari prej shtetit.  Atëherë, edhe tash, pak vlera i kanë njohur. Do të ishte më e mirë jeta e tij, nëse do kishte pasur disa gjëra të riparueshme prej shtetit.
 
Më thatë se babai ju ka vdekur kur ishit shumë të vegjël. Në ç’ moshë ka mbetur Tonin Tërshana jetim?


-Kur vdiq babai, unë kam qenë vetëm një vjeç dhe ai ka qenë 6 vjeç. Kemi qenë gjashtë fëmijë, dhe nëna e shkretë, një grua vetëm 34-vjeçare rriste gjashtë jetimë pa punë. Pasi babai vdiq dhe na la jetim, Toni ka vuajtur më shumë. Janë të rënda këto, por unë fola sot prej shpirtit. Ndjesë që i tregova këto, por një ditë do të dilnin vuajtjet. Kjo ka qenë jeta e Toninit, jeta e artistit nuk mund të fshihet kurrë...


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama