Krijimtaria popullore sqepari i arte qe gdhend perjetesisht vetveten

Krijimtaria popullore, sqepari i arte qe gdhend perjetesisht vetveten

Krijimtaria popullore folklorike është ujë i shenjtë e shpëtimtar për krijimtarinë artistike muzikore. Në këtë studim, jemi përqendruar kryesisht te kënga, duke qenë se kënga, ashtu si e tërë krijimtaria popullore e burimeve folklorike, është zemra, dashuria, mendja dhe shpirti i krijuesit, interpretuesit dhe dëgjuesit të saj të gjithkohshëm.

Vështrimi ynë është mbi dukuritë, arritjet, kërkesat, ndikimet pikërisht nga epërsitë folklorike të mirëfillta, në sferën e krijimit, interpretimit vokal dhe të shoqërimit e ekzekutimit orkestror të kësaj kënge, popullore folklorike tradicionale, njëherësh asaj të përpunuar dhe të kultivuar mbi këtë shtrat. Ballafaqimi me dukuritë e strukturave ndërtimore dhe interpretuese mendoj se paraqesin interes praktik e studimor, jo vetëm për stadin aktual të tyre, por njëkohësisht për atë perspektiv.

Nuk duhet harruar asnjëherë se krijimtaria artistike është vepër e talentit, shpirtit, zemrës, arsyes dhe përvojës së popullit krijues, si provë e lirisë së artistit krijues dhe interpretues në atë masë, që ata vetë i japin si qëllim të fundit. Mbështetja e artit tonë të kultivuar mbi krijimtarinë popullore folklorike si domosdoshmëri bashkëkohore dhe perspective është kërkesë sa objektive po kaq racionale, për të rritur nivelin estetik të mjeshtërisë artistike, në raport me kërkesat e zhvillimit tonë të përgjithshëm shoqëror, përshtatur kërkesave të kohës. Historia flet në favor të tezës se është absolutisht populli ai që e ka dhe do ta kultivojë përjetësisht, këngën e vetë: atë homofonike dhe polifonike në llojshmërinë tipologjike të stileve, dialekteve dhe nëndialekteve.

Karakteri krijues dhe interpretues i këtyre këngëve, me veçoritë absolutisht të veçanta stilistike dalluese që mbartin, si ndërtimi i brendshëm strukturor  intervalor, interpretimi vokal, modusi interpretues dhe ai shoqërues orkestror i saj, janë dukuri që vijnë të krijuara, rikrijuara, përpunuar dhe përsëri rikrijuar përmes limës mjeshtërore krijuese shekullore të gjeniut popull në kohë.

Për këtë zhvillim të brendshëm të tyre, kanë luajtur rol vendimtar një sërë faktorësh: kushtet social ekonomike, kulturore, psikologjike, filozofike, veçoritë psiqike të kombit tonë etj. etj., dukuri që janë ngulitur dhe kultivuar duke dhënë pikërisht ato tipare dalluese për këtë lloj krijimtarie. Janë pikërisht këto tipare që vazhdojnë të jenë të qëndrueshme si procese dhe që u përcollën brezash, duke krijuar atë që sot e quajmë:

a -Traditë krijuese, interpretuese vokale dhe shoqërim – ekzekutues instrumentor.

Këto dukuri, si fonomene krijuese shpirtërore, i kemi vështruar në tri nivele marrëdhëniesh të traditës me novatoren:

a-Në rrafshin Historik,

b-Teorik dhe

c-Në rrafshin Estetik.

 

Me rrafshin historik të zhvillimeve, duhet të kuptojmë pamjen e përgjithshme të dukurive të elementeve dhe dukurive të reja muzikore që kanë hyrë dhe zënë vend në traditë, në ndërhyrje në stile krijuese, mënyra e metoda, duke gjetur, por edhe duke i fuqizuar edhe më shumë, këto shkolla të vërteta krijimi, interpretimi vokal dhe ekzekutimi instrumentor.

Në rrafshin teorik duhet nënkuptuar spjegimi i bashkëjetesës së këtyre elementeve të rinj dhe të bashkëveprimit të tyre me traditën. Kështu, siç tregon përvoja shekullore e kësaj krijimtarie, novatorja hyn në traditë përmes elementeve që i përputhen dhe janë vazhdimësi në rrafsh të përmbajtjes e botëkuptimit, filozofisë dhe veçorive tona psiqike tradicionale; ndërsa përsa i takon gjuhës muzikore, ajo hyn përmes mjeteve teknike me të cilët shkruhet kjo krijimtari, në mënyrë të veçantë përmes mënyrave interpretuese tipike vokale edhe instrumentore interpretuese.

Në rrafshin estetik: kjo krijimtari konsiston në zbulimin e ligjësive, parimeve, kritereve dhe metodave themelore krijuese, të ligjësive të përgjithëshme dhe të veçanta të këtij bashkëveprimi. Pra, kuptimi themelor i ligjësive në rrafshin e krijimit, ekzekutimit dhe interpretimit, modusit vokal interpretues, si shkak domosdoshmërie i vetë jetës që duhet të bëjë kënga. Për këtë rrethanë, theksoj se me domosdoshmëri muzikore, duhet të kuptojmë ato ligje, metoda, norma, kritere dhe parime themelore të traditës që shekujt kanë konsoliduar, ato anë kokëforta, relativisht të përhershme, të qëndrueshme, që në fund të fundit përfaqësojnë dhe që kanë të ngulitur së pari:

a-Si përmbajtje dhe pastaj

b-Si sferë intonative dhe interpretuese botëkuptimin, psikologjinë dhe veçoritë tona psiqike, të cilat kurrsesi nuk mund të margjinalizohen dhe të hidhen si të tepërta.

Duhet gjithashtu të mbajmë mirë parasysh edhe një tjetër veçori substanciale të marrëdhënieve Traditë dhe Bashkëkohore.

Tradita dhe bashkëkohorja ose novatorja:

a – Bashkekzistojnë

b – Bashkëndihmohen, bashkëveprojnë

c – Ripërtërijnë

ç –Përgatisin dhe

d –Lehtësojnë njëra-tjetrën

Në hapësirë dhe në kohë krijimi, interpretimi dhe shoqërim-ekzekutimi, fituan tipare  të qenësishme, të dukshme dhe të qëndrueshme, brenda një ndryshueshmërie relative drejt më të mirës, dukuri nga e cila kënga përforcoi fytyrën e vetë, fitoi ato tipare dhe veçori, të cilat dallojnë dukshëm në gjininë e këngëve homofonike dhe polifonike toske e labe, me llojshmërinë e stileve të dialekteve si edhe të nëndialekteve që paraqitën ende dhe sot.

 

Loro Sata, studiues dhe kritik muzike

Nga studimi: Krijimtaria artistike popullore folkloristike, sqepari i artë që gdhend përjetësisht vetveten: shpirti i intonacionit kombëtar në muzikë


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama