30 shtatori Dita Nderkombetare e Perkthimit

30 shtatori, Dita Nderkombetare e Perkthimit

Prej vitit 1991, data 30 shtator njihet botërisht si Dita Ndërkombëtare e Përkthimit. Kjo si një homazh ndaj Shën Jeronim, përkthyesit të Biblës, i cili konsiderohet si shenjti mbrojtës i përkthyesve.

Përzgjedhja e datës 30 shtator përkon me ditën e vdekjes së shenjtit, në vitin 420. U njoh si e tillë falë idesë së FIT (Federata Ndërkombëtare e Përkthyesve), e cila hodhi idenë e një dite të njohur zyrtarisht mbi përkthimin. Sipas FIT, kjo ditë tregon solidaritetin e komunitetit të përkthimit në mbarë botën në një përpjekje për të promovuar profesionin e përkthimit në vende të ndryshme (jo domosdoshmërisht vetëm në ato kristiane).

Kjo është një mundësi për të shfaqur krenarinë në një profesion që është duke u bërë gjithnjë e më thelbësor në epokën e globalizimit.

Shën Jeronim, i njohur me emrin latin Sophronius Eusebius Hieronymus u lind në vitin 347, në Stridon të Dalmacisë, dhe vdiq më 30 shtator 420, në Betlehem. Ishte at i kishës dhe teolog. Ai u shpall mësues kishe nga Vatikani dhe njihet si përkthyesi i Biblës nga greqishtja dhe hebraishtja në latinisht. “Vulgate” e Shën Jeronimit ende edhe sot është një tekst i rëndësishëm i Kishës Katolike Romake.

Shën Jeronimi në traditën artistike të Kishës Katolike Romake paraqitet zakonisht si mbrojtës i mësimit teologjik dhe si kardinal përkrah ipeshkvit Augustin, kryeipeshkvit Ambrozit dhe Papa Gregorit I.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama