Motivi i famshëm i korit të vajzave nga akti i dytë i operës, tashmë është i njohur në të gjithë botën për elegancën origjinalitetin, romantikën dhe për një motiv i cili të ngulitet thellë. Vepra muzikore e luajtur nga instrumentistët e orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit gjerman David de Villiers, ishte edhe një nga surprizat e hapjes së stinës koncertore të Orkestrës Simfonike të RTSH-së.Janë bërë përpjekje dhe vazhdojnë të bëhen në mënyrë të parreshtur që motivi i operës “Princi Ligor” të kthehet në një kryemotiv për shumë formacione të ndryshme muzikore, por jo të gjitha kanë arritur t’ia dalin mbanë. Mbrëmë Orkestra Simfonike e RTSH-së, së bashku edhe me pianistin e njohur shqiptar Desar Sulejmani, arriti të sjellë suksesin e radhës të këtij sezoni artistik. “Rapsodi in blue” ishte pjesa tjetër e koncertit të mbrëmshëm, e cila u mirëprit me duartrokitje të shumta nga publiku që kishte mbushur sallën Odeonit të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Premiera e kësaj vepre u dha për herë të parë në 12 shkurt të vitit 1924 në Aeolian Concert Hall të Nju Jorkut. Sipas mjeshtërve të muzikës, si një pjesë muzikore jo e pëlqyer për regjimin e para viteve ’90, gjithmonë ishte destinuar të qëndronte mënjanë.
Ekzekutimi i kësaj vepre u bë i mundur vetëm pas viteve ’90. Ndërkohë që mbrëmë, nën drejtimin e dirigjentit gjerman, kjo pjesë së bashku me formacionin muzikor të Orkestrës së RTSH-së arriti kulminacionin dhe melodia “Rapsodie in blue” jehoi në Odeonin e Qendrës së Kulturës të Orkestrës. Pak para se të fillonte koncerti, dirigjenti gjerman Viller u shpreh se publiku duhet ta ndjekë këtë sezon koncertor, pasi do të ketë shumë surpriza, dhe unë do të sjell në këtë mbrëmje magjinë e muzikës gjermane. “Unë jam shumë i nderuar për këtë privilegj që më është bërë nga Drejtoria e RTSH-së dhe, në mënyrë të veçantë, nga Drejtori Artistik i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Publik Shqiptar Edmond Zhulali, për të hapur stinën Orkestrore Simfonike të RTSH-së. Po kështu, kënaqësisë sime i shtohet edhe pjesëmarrja e studentit tim në këtë orkestër, pianistit Desar Sulejman. Puna që kemi bërë deri tani dhe kontaktet që kemi pasur kanë qenë shumë të frytshme dhe ndihem i lumtur që ky bashkëpunim i parë me RTSH-në do të jetë një sukses dhe do të japë frytet e saj”, u shpreh ai. Një tjetër surprizë në këtë sezon koncertor është edhe pjesëmarrja e pianistit shqiptar Desar Sulejmani, i cili është edhe një nga studentët e dirigjentit gjerman. Në një prononcim të tij gjatë provave ai u shpreh: “Shpreh falënderimet për zotin Zhulali dhe për institucionin e Radio-Televizionit Shqiptar për mundësinë që na është krijuar për të dhënë diçka nga muzika gjermane, si dhe për të pasur një kontakt të vazhdueshëm me jetën kulturore të Shqipërisë. Gjithashtu, ndihem shumë i nderuar përkrah dirigjentit David De Villiers dhe mendoj se ky koncert do të jetë në mënyrë ekskluzive hapi i parë i mëtejshëm për stinën koncertore të RTSH-së”. Akoma nuk dihen shumë gjëra, por këtë sezon janë në program pjesë shumë të bukura, të cilat po tregojnë para publikut se tashmë gjithçka është e përgatitur më së miri. Në ditët që do të vijnë pritet vetëm interpretimi i pjesëve muzikore për të parë surprizat e radhës së këtij sezoni artistik të Orkestrës Simfonike të RTSH-së.
Gjatë punës së saj Orkestra Simfonike ka bërë bashkëpunime edhe me formacionin muzikor nga Tetova, një tjetër turne në Itali i cili ka rezultuar i suksesshëm. Dirigjenti gjerman David de Villers ka një karrierë të gjatë artistike dhe është i njohur për veprimtarinë e tij edhe në vende të tjera të botës. Ai lindi në vitin 1944 në Afrikën e Jugut, në Cape Town. Që nga viti 1990 ai është shtetas gjerman. Karrierën e tij artistike ai e filloi si shoqërues tek “Christoph von Dohnanyi”, në teatrin e operës së Frankfurtit, apo tek “Michael Gielen”. Nga viti 1983 deri në 1986 David de Villiers ka qenë dirigjenti i Orkestrës së Dhomës “Ad Artem de Metz”, si dhe nga viti 1984 deri në vitin 1991 kapelmaestri i parë dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Teatrit të Operës së Bielefeldit. Në atë kohë ky teatër arriti rezultate shumë të larta artistike, sidomos me vënien në skenë të operave të shekullit të 20-të, duke i dhënë kështu institucionit një njohje të madhe ndërkombëtare. Përveç shumë koncerteve me orkestra simfonike në Gjermani, Zvicër, Slloveni, Kroaci, Itali, Kore, Francë, Afrikë të Jugut, ai ka dirigjuar edhe shumë opera, si: “Wozzeck”, “Flauti magjik”, “Margarethe”, “Carmen”, “Tosca”, “Rigoletto und Le Pescatrici” (Haydn). Nga viti 1991 deri në vitin 1997 David de Villiers ka drejtuar Teatrin e Operës së Gießenit në Gjermani. Në vitin 1998 ai është emëruar si profesor i dirigjimit në shkollën e lartë të arteve Folkwang në Essen të Gjermanisë. Nga viti 2001 deri në vitin 2003 ai ka qenë edhe dirigjent i orkestrës simfonike të shkollës së lartë të arteve në Hamburg. Nga viti 2003 deri në vitin 2006, njëkohësisht me vendin e punës si profesor në Essen, ai ka mbajtur edhe postin e dirigjentit të përgjithshëm të Okrestrës Sinfonike të Radio-Televizionit slloven në Ljubjanë. Në këtë kohë ai ka dirigjuar çdo vit mbi 18 koncerte me këtë orkestër, jo vetëm në Ljubjanë po edhe në të gjithë Slloveninë. Koncertet e tij me këtë orkestër janë regjistruar edhe nga televizioni shtetëror slloven, si dhe janë transmetuar në të gjithë botën.
Përveç kësaj orkestre, David de Villiers ka dirigjuar në këtë kohë edhe koncerte me Orkestrën e Dhomës së Rijekes dhe Stutgartit. Ndërkohë që edhe pianisti shqiptar Desar Sulejmani është i njohur tashmë për aktivitetin e tij muzikor. Ai e filloi mësimin e pianos në moshën 6-vjeçare në qytetin e lindjes Shkodër. Pas përfundimit të shkollës 8–vjeçare në shkollën kombëtare artistike “Preng Jakova”, në klasën e znj. Fatmira Pelushi, ai vazhdon studimet në shkollën kombëtare artistike “Jordan Misja”, në klasën e znj. Nadjezhda Porodini. Përpara se të shkonte në vitin 1998 drejt Essenit, ku edhe do vazhdonte studimet e larta në Shkollën e Lartë të Muzikës Folkwang në klasën e pianos të prof. Till Engel, pianisti i ri shqiptar ka bërë një karrierë të shkëlqyer në Shqipëri si mbajtës i shumë çmimeve në konkurset kombëtare të pianos. Si solist i orkestrës “Virtuozet e Rinj te Tiranës”, nën drejtimin e z. Zhani Ciko, ai do të zhvillonte turne koncertesh në vitet 1995 – 1997 në Francë, Belgjikë, Hungari dhe Itali. Në vitin 1996 ai incizon me këtë orkestër diskun e tij të parë me koncertin për piano dhe orkestër në “La Maxhor KV 414”, në studiot e Radio Vatikanit. Krahas studimeve për piano në Shkollën e Lartë të Muzikës Folkwang, Desar Sulejmani është marrë me shoqërimin e romancës vokale dhe të këngëtarëve. Në kurset e shumta me Peter Feuchtwanger, Londër, Axel Bauni, Berlin, Charles Spencer, Vjenë, ai ka marrë perspektiva dhe ide të reja mbi muzikën, lojën në piano dhe interpretimin muzikor. Që prej tre vjetësh ai merret intensivisht edhe me dirigjimin. Ai ka dirigjuar që në vitin 2003 orkestrën simfonike të shkollës kombëtare artistike “Jordan Misja” në Tiranë dhe që nga viti 2004 ai është edhe dirigjent i orkestrës së Re Filarmonike të qytetit Neuwied në Gjermani. Pas mbarimit të specializimit në muzikën e dhomës në shkurt të 2006 me rezultatin “shkëlqyeshëm“ tek prof. Andreas Reiner (Kuarteti Rosamunde), pianisti i diplomuar studion që nga shkurti 2005 edhe për dirigjim orkestral në klasën e prof. David de Villiers në Shkollën e Lartë të Muzikës Folkwang në Essen.
Puna e tij si dirigjent me orkestrat profesioniste pasqyrohet në shumë koncerte me Orkestrën Simfonike të Bochumit, me Orkestrën Simfonike Solingenit dhe Remscheid, si dhe Filarmoninë e Re të Vestfalise në Recklinghausen. Që nga qershori i vitit 2006 ai ka marrë edhe postin e dirigjentit të Orkestrës Simfonike Heinrich Heine ne Düsseldorf. Në korrik 2007 Desar Sulejmani debutoi si pianist në festivalin ndërkombëtar Ludwigsburger Festspiele. Ndërkaq surpriza e radhës së këtij sezoni koncertor do të jenë edhe koncertet, si dhe shumë veprimtari të tjera artistike, që do të zhvillohen në kuadrin e javës gjermane të kulturës. Në vendin tonë do të ketë shumë veprimtari. Pianisti Sulejmani do të hapë më 2 tetor 2007 festimet në kuadrin e festimeve mbi 20-vjetorin e lidhjeve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë me një koncert si dirigjent në Akademinë e Arteve në Tiranë me orkestrën e tij nga Dusseldorfi Heinrich Heine Symphoniker.
Marre nga : Gazeta Sot











