Suvenir nga Gjirokastra nje gote me Enver Hoxhen

Suvenir nga Gjirokastra, një gotë me Enver Hoxhën

Tregtari Dhrami: Blerësit më të mirë, turistët e huaj, që njohin ose duan të njohin historinë tonë

GJIROKASTËR- Vera që lamë pas është cilësuar si më e suksesshmja për qytetin e gurtë, përsa i përket turizmit. Ashtu si asnjëherë më parë, Gjirokastra dhe veçanërisht pjesa muzeale, e pikat më të bukura u vizituan përditë nga qindra turistë të ardhur pothuaj nga të gjitha anët e Europës dhe të botës. Ndërkaq, gjallërim nuk njohu vetëm qyteti, por edhe bizneset që funksionojnë në Qafën e Pazarit karakteristik, e veçanërisht në dyqanet e suvenirëve, ku mbizotërojnë elementët kombëtare shqiptarë.

***

Por, ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se suveniret më të tërhequra në qytetin e gurtë prej turistëve të huaj janë gotat apo filxhanët me pamjet e Enver Hoxhës, shitje të cilat deri në këto momente qëndrojnë në vendin e parë. Tregtarët rrëfejnë se fakti që turistët e njohin historinë e vendit tonë dhe që janë në qytetin e lindjes së Hoxhës, i shtyn ata të marrin si kujtim nga qyteti i gurtë fotot e tij të stampuara në gota. Të tilla janë shitur me qindra dhe tregtarët tashmë kanë shumë pak furnizim prej mallit më të tërhequr.

***

"Turistët janë shumë të apasionuar pas figurave historike të vjetra të vendit tonë e veçanërisht pas Enver Hoxhës. Nuk është se e pëlqejnë, por nisen nga historia që ta blejnë atë". Kështu nis rrëfimin e tij për shitjen e suvenirëve, Kastriot Dhrami, njëri prej tregtarëve në zonën muzeale të qytetit. Ai tregon se kjo verë ka njohur dyndje turistësh dhe për fat të mirë dhe blerës bujarë, shumica e të cilëve të apasionuar pas suvenirëve. "Një turiste franceze tha se e urrente për ato që i kishte bërë kombit tonë, por megjithatë bleu katër gota, ndërsa një turist norvegjez tha se koleksiononte gota me figurat e të gjithë diktatorëve të botës. Pothuajse të gjithë turistët që hyjnë në dyqanin tonë blejnë gota dhe megjithëse ato kanë portrete të shumë politikanëve, sërish Enver Hoxha mbetet në vend të parë",- tregon ai, duke shtuar se aktualisht në dyqan i ka mbetur vetëm një gotë. Ndërkohë që sipas Dhramit, prodhimi tjetër i serisë së këtyre gotave del pas dy muajsh.

***

Ndërkaq, edhe objektet me motive kombëtare shqiptare si dhe kartolinat janë mjaft të tërhequra. Por, megjithëse shitjet gjatë këtyre muajve të fundit kanë qenë të konsiderueshme, sërish tregtarët mbeten pesimistë, përsa u përket muajve të tjerë të ardhshëm, duke qenë se Qafa e Pazarit është një zonë e frekuentuar mjaft nga turistët, por thuajse e braktisur nga banorët e qytetit.

Entela Bani : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama