Irma Kurti me nje puthje te fundit

Irma Kurti me një puthje të fundit

Ndërsajeton prej vitesh në Itali, ku edhe ka shkruar pjesën më të madhe të krijimeve të saj, Kurti sjell për publikun shqiptar një përmbledhje lirikash që përshkohen nga ndjenja e dashurisë dhe e dhimbjes së pafund për humbjen e njeriut të saj më të dashur, nënës. Poezitë “Mëngjes i frikshëm”, “Një fije jete”, “Të paktën si hije”, “Ti ke ftohtë”, “Doja të të thosha”, “Në krahët e mi”, “Si një mallkim”, janë të veshura me dëshpërim e dhimbje, të cilën autorja e përcjell tek lexuesit në mënyrë dialoguese. Pjesa e dytë e librit e konceptuar me lirika dashurie sjell, copëza kujtimesh, ëndrra e zhgënjime në kërkim të dikujt që ndoshta nuk ekziston. “Një tjetër”, “Po të humbas”, Në përqafimin tënd”, “Dëgjova zemrën”, “Për t’u dashur, urryer prapë”, “Në gjunjë”, “Mëkat”, shprehin zhgënjimet e dashurisë, ankthin e dilemat. “Puthja e fundit”, e botuar nga shtëpia botuese “Dudaj”, vjen pas disa vëllimeve të tjera me poezi të autores, si “Këtë natë me ty”, “Shihemi në një tjetër botë”, “Qirinjtë janë fikur”, “Bëj sikur fle”.

Kurti njihet më së shumti nga publiku si krijuese e teksteve të këngëve të muzikës së lehtë, shumë prej të cilave janë vlerësuar me çmime në festivale kombëtare apo Koncerte të Pranverës, si “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “Nuk iu zemërova pranverës”, “Trokite tek dera”, “Befas zgjohem” janë tituj këngësh që pëlqehen ende nga dashamirësit e muzikës. “E njëjta ëndërr”, një prej këngëve më të suksesshme të Irma Kurtit, mban titullin e një përmbledhjeje në kasetë dhe CD të disa prej teksteve të saj të këngës, ndër më të njohurat në vite.


A. M. : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama