Oaetes 26 vjet ne pritje te NOBEL-it

Oaetes 26 vjet ne pritje te NOBEL-it

Përkrah saj, gjigantët e letërsisë botërore kanë radhitur edhe shkrimtarin Kadare në listën e atyre që mund të nominohen si kandidatë për trofeun më të madh botëror të penës artistike. Cila është shkrimtarja amerikane që konkurron edhe përballë Kadaresë?

Oates, 26 vjet në pritje të Nobel-it

Prej gati 40 vjetësh Joyce Carol Oates nuk bën gjë tjetër veçse tregon anën shpirtërore, intelektuale dhe kulturore të shoqërisë amerikane, përshtypjet e saj drejt një dhune fizike dhe morale që sulmon individin dhe e bën të paaftë të ndërtojë marrëdhënie njerëzore. Çdo vit, të paktën qysh prej vitit 1981, Oates nominohet zyrtarisht për të qenë kandidate për çmimin Nobel, dhe pavarësisht jurisë së Stokholmit që nuk e ka zgjedhur kurrë, gjatë gjithë kohës ajo ka vazhduar të krijojë një numër të pabesueshëm veprash, romane dhe tregime. Përkrah saj, gjigantët e letërsisë botërore kanë radhitur edhe shkrimtarin Kadare në listën e atyre që mund të nominohen si kandidatë për trofeun më të madh botëror të penës artistike. Diskutimi i zjarrtë është hapur në Portugali ku ekspertët e letërsisë artistike nuk kanë asnjë dyshim që edhe këtë vit, midis qindra shkrimtarësh nga e gjithë bota, mund të jenë edhe Ismail Kadare, edhe Joyce Carol Oates. Për shkrimtarin shqiptar kjo nuk është e para herë të përflitet për një çmim kaq prestigjioz.

Ndërsa Oates tashmë u bënë vite që vihet në radhën e nominimeve Nobel. Vështirë të orientohesh në hapësirën bibliografike të kësaj shkrimtareje amerikane. E lindur më 1938 në Lockport dhe e njohur shumë pak në Shqipëri, ajo konsiderohet një maestro si në gjininë gotike e fantastike, ashtu dhe në atë të realizmit psikologjik. Prodhimtaria e Joyce Carol Oates konsiston në rreth 60 tituj. Ka përshkruar ambiente sociale nga më të ndryshmet. “Blonde” mbi Marilyn Monroe, “Ujë i zi” mbi incidentin tragjik në të cilin Ted Kennedy la të vdiste sekretaren e tij. Më 1970 Oates fitoi ‘National Book Award’, çmimi më prestigjioz letrar në Shtetet e Bashkuara. Që nga 1977 ajo jep leksione letërsie në Princeton University. Midis romaneve të saj numërojmë “Vajzat e këqija”, “Bishat”, “Një ditë do të të çoj poshtë”, “Bellefleur”, sagë e një familjeje të dhunshme e të mallkuar, publikuar në Amerikë më 1980. Së fundmi ka nxjerrë për lexuesit romanin “Ujëvarat”.

Shkrimtarja e ndjeshmërisë psikologjike

Historitë dhe personazhet e Oates janë të vendosur në një kohë ku mbizotëron ndjeshmëria, e ndryshme nga ajo që shihet sot. Në librat e saj ka gjithmonë një denoncim social, një kryengritje të thellë. Çdo personazh i saj bën të dëgjohet ajo që fshihet në mendjen e vetë krijuese. Ka gjithmonë një ndryshim midis unit social që impenjohet në dialogët me të tjerët dhe unit më të brendshëm, një un shpirtëror që bën të mundur të mbahet ajo që ne nuk u themi të tjerëve e përpiqemi ta fshehim për t’ia besuar vetëm vetes. Duke vënë në dukje realizmin psikologjik e duke depërtuar në magjinë e psikologjisë humane, Oates ka depërtuar në këtë mënyrë në majat më të larta të letërsisë botërore. Oates mbetet aktualisht e panjohur në letrat shqipe. E papërkthyer në shqip, ajo nuk është ende e humbur, ndoshta një ditë, jo shumë larg, të etur do të ndalemi për të hedhur sytë në faqet e romaneve të saj.

D.Dyli : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama